Në ditën e somte indi Ali Asllani

20.11.2013 (komentet: 0)

Lindi Ali Asllani në Vajzë të Vlorës. Prindërit e tij, Asllan dhe Hyjrie, vdiqën të ri, tue lanë ende të vogël. Pasi mbaroi filloren, në “Muradie” të Vlorës, u vendos në Janinë, ku studioi në shkollën e njohur “Zosimea”.

Skeda:Ali Asllani.jpg

Studimet e larta i kreu në Stamboll, ku pasi ndoqi një vit për mjekësi, u regjistru në Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative, të cilin e përfundoi më 1906. 

Ali Asllani u aktivizu që i ri në lëvizjen patriotike kombëtare, tue qenë një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”, të Janinës. Për bashkëpunimin me Ismail Qemalin ai filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej. Mundi t’i shpëtojë internimit duke kaluar në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. 

Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës (1909), si përfaqësues i Klubit “Bashkimi”. 

Më 1910, pas rënies së kabinetit që e kish internu, u kthy sërish në Stamboll. Pas Shpalljes së Pavarsisë, Ismail Qemali ia besoi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, detyrë që e mbajti deri më 22 janar 1914, ditën e dorëheqjes së Ismail Qemalit nga Qeveria e Vlorës. Edhe pas largimit të Ismail Qemalit nga Shqipëria ai mbajti lidhje dhe korrespondencë të rregullt me të, së bashku me patriotë të tjerë vlonjatë, si Ibrahim Abdullahu, Hasan Sharra, Abaz Mezini, Alem Mehmeti, Osman Haxhiu, Qazim Kokoshi, etj. Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por meqenëse kundërshtoi pushtimin u pushu nga puna. 

Nga dhjetori i vitit 1918 deri më nëntor 1920 ishte Kryetar i Bashkisë së Vlorës. 

Në vitet 1921-1922 ishte Kryekëshilltar i Qeverisë dhe më pas Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Për një kohë të gjatë u emëru Konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emëru «Zavëndës i ngarkuar me punë» në Sofje, më vonë, po aty, u emëru «Sekretar i Parë» dhe «i ngarkuar me punë». 

Në vitet 1930-1932 ishte Ministër i akredituar në shtetin grek.

Më 1934 përsëri është Kryetar i Bashkisë së Vlorës, deri në prag të pushtimit fashist, më 1939. 

Pas pushtimit u emërua anëtar i Këshillit të Lartë por, shumë shpejt pas këtij emërimi, u largu nga jeta politike dhe u vendos në vendlindje. Pas LBD-së asht ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Edhe pse nuk u dënu, siç u ba me shumë miq e familjarë të tij, jeta e poetit dhe patriotit të madh, pas LBD-së, ishte shumë e vështirë. 

Krijimtaria e Ali Asllanit nis që në moshë të re, gjatë periudhës kur studionte në Janinë. Vazhdoi të shkruajë edhe në Stamboll ku, vjershat e tij, i gjejmë në periodikë të ndryshëm si: «Dituria», «Përfytyrimi i shkencës dhe edukatës», etj. Nga vjershat e para të thurura prej tij kanë qenë «Fshati im» dhe «Kroi»(10).

Gjatë viteve 1914-1920 shkroi mjaft poezi por shumica e tyre mbeti të pabotuara. 

Më 1920 shkroi «Vlora-Vlora», e cila lindi në zjarrin e Luftës së Vlorës dhe u kthye në një këngë-himn, e shoqëruar me muzikën e mjeshtrit Thoma Nasi. 

Gjatë viteve ’30 botoi mjaft poezi në shtypin e kohës, por «ajo që e bëri të njohur dhe e solli përfundimisht poetin në letërsinë shqipe, është vepra e tij madhore, poema “Hanko Halla”»(11). E shkruar më 1929 në Sofje, kjo poemë ishte botuar pjesë-pjesë, fillimisht në «Kosova» të Kostancës(1932) e më vonë në «Shkëndija» (1942). Po më 1942 poeti e publikoi të plotë në një botim të veçantë, së bashku me vjershat e gjata «Dasma shqiptare» dhe «Vajza shqiptare». Para vdekjes mundi të botoj pak libra: «Vidi-vidi pëllumbeshë» (1960), «Shqipëria kryesorja» (1961), «Vajzat dhe dallëndyshet» (1964), “Kur merr zjarr rrufeja» (1966). Pas vdekjes iu botuan: «Poezia shqipe»(1973), «Poezi të zgjedhura» (1996) dhe “Vidi, vidi pëllumbeshë”(1999), etj. Përveç aktivitetit të tij politiko-atdhetar, sidhe krijimtarisë letrare, Ali Asllani do mbetet i njohur për qytetin e Vlorës edhe për ndërtimin e dy monumenteve: «Shtylla e Flamurit Kombëtar», në Sheshin e Flamurit, dhe «Kulla e Sahatit», të dyja skicë-idetë u përgatitën prej tij dhe inagurimet e tyre u bënë në vitin 1937, gjatë periudhës që ai vetë ishte Kryetar i Bashkisë së qytetit.


Vdiq në Tiranë, më 20 dhjetor 1966.

Kthehu mbrapa

Shto koment