Në diten e sotme lindi në Gjakovë, Ali PODRIMJA,

28.08.2013 (komentet: 0)

SAli Podrimja hkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme Rilindja, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në Edicionin e Botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave.

 



Është anëtar i LSHK dhe i PEN-it shqiptar. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt.Me shkrime filloi të merret qysh si gjimnazist. Poezinë e parë Arabja e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë Thirrje. Në përkthim të poetit Esat Mekuli u botua edhe në gjuhën serbokroate, me ca plotësime (1968). Përmbledhja Thirrje në vitin 1971 u bë kartuç në Tiranë, shkaku i disa poezive “hermetike”. Ekzemplari i shpëtuar nga një poet tiranas, udhëtoi deri te autori hiç më pak se 20 vjet.Pos poezive, Podrimja shkruan ese e tregime. Bashkëpunon me të gjitha revistat e fletushkat në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me shpërblimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Është prezent në shumë manifestime ndërkombëtare. Jeton në Prishtinë si krijues i lirë.


ARTIKULL 1:

...kërkojmë vetminë e vëllait tonë!

Nga Hasan Mekuli

Ese/ Poezia jonë e sotme e ka frymën dhe ngjyrën origjinale dhe të vërtetën e vet të veçantë
Në sistemin e të menduarit poetik, tashmë të formuar dhe me mbështetje të fortë në rrjedhat jetësore të botës sonë dinamike dhe plot ngjarje të ndërlikuara, si dhe në përgjithësi më natyrën artistike të poezisë së sotme shqiptare si sistem më vete, ka pjesë të veçanta, nyje ende të pazgjidhura dhe vlime karakteristike që ngërthen më vete ky sistem, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, në të cilat poezia jonë shënoi disa risi dhe kthesa artistike. Ato ndonjëherë kanë të bëjnë me këtë apo atë autor, por në shumicën e rasteve përkojnë me realizimet apo veprat konkrete, me prirjet individuale, mjeshtërinë e shtjellimit apo thellësinë e të menduarit. Prandaj, sot mund të ndalemi apo të përqendrohemi vetëm në analizimin e elementeve të drejtpërdrejta, të atyre që na paraqiten qartë, në një rrjedhë poetike pa vorbuj, pa nyje. Natyra e poezisë sonë të sotme dhe sistemi, apo sistemet e të menduarit të saj, sot kërkojnë një përqendrim dhe kredhje më të thellë, një gërmim më të vendosur si në thellësi ashtu edhe në gjerësi. Ajo nuk zbulohet vetëm me konstatimin e një ane apo segmenti. Prandaj, më shumë se kurdoherë deri më sot na imponohet e vërteta se kemi edhe shumë detyrime kur është fjala për zbulimin e tipareve artistike dhe vlerave të kulluara, të rëndësishme për tërësinë e saj, për një poezi sikundër e kemi, komplekse dhe pa dyshim plot shtresime artistike.
Si tërësi e një sistemi gjuhësor dhe poetik, poezia jonë e sotme e ka frymën dhe ngjyrën origjinale dhe të vërtetën e vet të veçantë, pa marrë parasysh faktin se ajo qëndron e hapur ndaj sistemeve të tjera të kohës së vet, dhe në këtë mënyrë pasurohet, apo edhe vetë përkon me sistemin e përgjithshëm të përvojës dhe artit poetik bashkëkohor, ndaj edhe kalon nëpër procese të ngjashme.
Ndoshta nuk ka nevojë që këto fakte t'i vëmë në pah, apo t'i provojmë me ndonjë shembull apo dëshmi konkrete. Mirëpo, përsiatjet e tilla na imponohen gjithnjë më shumë, ngase këto të vërteta përkojnë ndjeshmërinë tonë të re, me trajtat pak si të ndryshuara të të menduarit me vargje, me emocionet e zhdrivilluara dhe botën tonë shpirtërore mjaft të ndryshuar, me shijen tonë dhe tiparet e ngjyrat e veçanta të paraqitura në vepra poetike të mirëfillta, në vazhdën e pjekurisë së fjalës poetike shqipe, ku pasqyrohet një nivel i konsiderueshëm i artit poetik të kulluar.
Prandaj, për cilindo nga poetët tanë që të flasim, mendimi ynë ka për të përkuar me ndonjërën nga këto pjesë të pashkëputshme të këtij sistemi poetik të formuar, më të pjekur se kurdoherë më parë; me këtë frymë të re dhe të kulluar të fjalës poetike shqipe,e cila, natyrisht, nënkupton koherencën, Iidhmërinë me traditën, por e ka edhe mëvehtësinë. Për këtë dhe për shumë arsye të tjera, ne flasim apo e analizojmë veprën përkatëse të një individi krijues, poetikën dhe artin e tij, mjeshtërinë që ka etj., por e kemi parasysh, me plot arsye, edhe tërësinë e poezisë sonë dhe vendin që i takon apo që na duhet t'ia caktojmë autorit apo veprës përkatëse në këtë tërësi. Flasim për ndonjërën nga përmasat e saj, e cila në momentin përkatës na duket e rëndësishme, apo më e dalluar, ose, përgjithësisht, për figurën dhe botën e ndonjë poeti tanë si krijues, si individ që zotohet për krijimin e shtimin e një bote të artit, e në fakt, përmes kësaj, flasim për karakterin, arritjet dhe prosedetë e përgjithshme në poezinë tonë si tërësi. E kjo, qoftë kur e lidhim për rrjedhat e përgjithshme, qoftë kur përkon vetëm me një autor, një poet apo një vepër të tij poetike, do të thotë se flasim, me trajta specifike të poezisë, pra me trajta të drejtpërdrejta apo të tërthorta, për vetveten, për diçka që ka ngjarë apo që po ngjan në qenien tonë krijuese intelektuale, apo edhe në jetën tonë sociale, fizike apo shpirtërore, plot vlime, kërshëri, kërkime, ëndrra dhe zotime specifike krijuese.
Si pjesë karakteristike e këtij sistemi të formuar të të menduarit dhe të krijimtarisë poetike, poezia e Ali Podrimjes, marrë në tërësi, me një motivikë të pasur që ngërthen më vete, me shprehjen e saj të dendur e të veçantë, por edhe me tërë kontradiktat që ka, me baticat dhe zbaticat e periudhës së fillimit, si dhe me prirjen e zhytjes në një filozofi specifike poetike, prirjen për të krijuar kulla „të mbyllura", apo fortesa fjalësh, është posaçërisht interesante dhe pa dyshim e përshtatshme për ta provuar veçantinë e sistemit të të menduarit poetik te ne, apo provat e një poezie, e cila mjaft dukshëm anon kah ajo filozofike.
Natyrisht, fjala është vetëm për një segment, për një vepër, apo edhe për karakteristikat poetike të një individualiteti poetik. Me të nuk shkoqitet tërë kompleksiteti i këtij sistemi, as nuk provohen natyra dhe karakteri i poezisë sonë aq të nduarnduarshme, por, megjithatë, paraqitet një komponentë e saj e rëndësishme, zbulohen dhe provohen disa nga veçoritë e saj, vihen në pah disa nga kërkesat e domosdoshme që ka dhe paraqiten, artistikisht të shpjeguara apo edhe të pashpjeguara, disa nga kahjet e saj të sotme. E kjo, pa dyshim, e ka peshën dhe rëndësinë e vet specifike letrare.
Si poet i një natyre, fryme dhe cilësie të vetëvetishme krijuese, Ali Podrimja pa dyshim është një individualitet i formuar dhe karakteristik. Ai e ka botën e vet specifike të motiveve, të kontradiktave personale, me mbështetje në përjetimet subjektive apo objektive, por gjithsesi jetësore; ka botëkuptimet dhe shijen vetanake, fakturën poetike të veçantë dhe mënyrën mjaft depërtuese për t'i mishëruar frytet dhe mendimet e veta poetike me atë kompleksin e përgjithshëm, apo në atë që e marrim si nivel i arritur dhe sistem specifik dhe i formuar i poezisë së sotme shqiptare.
Vërtet, vjershat e Podrimjes ndonjëherë nuk janë të lehta për t’i kuptuar. Jo rrallë ato kanë natyrë organizmash të mbyllura, të hermetizuara në qenien apo trajtën e vet ekzistuese, të mbarë, por për ne mbase të pakapshme në të parën, ndaj shëmbëllejnë, si të themi, me rrymat nëntokësore të ujërave, të cilat janë dhe, ndonëse ne nuk e njohim esencën e natyrës që kanë, shpërthejnë, madje shpesh me një fuqi e kuptimësi të papritur të fuqishme, por edhe joshëse. Sido që të jetë, vjershat e tij prapë na bëjnë për vete, duke na sugjeruar një botë motivesh jo të zakonshme dhe të veçanta. Kërkojnë përqendrim dhe, po qe se i lexojmë me përkushtimin e duhur, këto “organizma të mbyllura” s'kursejnë ta zbulojnë frymën dhe gjallërinë e vet jetësore, kështu që poeti në fakt na e shpërblen mundin, me bukurinë e shtjellimit dhe Iaryshinë e ngjyrave aq të veçanta që zbulojmë, me motivikën e pasur që ka dhe me pasurinë e botës së mendimeve dhe emocioneve që tash na del e theksuar.
Pra, Ali Podrimja është një nga poetët tanë të sotëm më të talentuar dhe për lexuesin mbase më të ndërlikuar, i cili, pos veçorive të tjera poetike, vëmendjen tonë e tërheq edhe me veçantinë e të menduarit dhe të shtjellimit poetik, me raportin ndaj traditës, me filozofinë poetike si dhe me produktivitetin e tij. Me një sensibilitet të dalluar dhe prirje të spikatur për variacione poetike ai gjithnjë, prej njërës në tjetrën përmbledhje, është jo i zakonshëm, poet i cili vazhdën e fjalës së vet nuk e mbështet vetëm në rrjedhat e njohura të përvojës sonë, por në një përvojë dhe horizont poetik të zgjeruar, prore jashtë suazave të së zakonshmes, jashtë rrjedhave të fjalës poetike me të cilat jemi mësuar. Ndoshta këtu edhe qëndron arsyeja pse na duket se në të gjitha përmbledhjet e poezive që ka botuar ai deri më tash, mund të gjejmë jo një, por “disa poetë”, apo më mirë disa fizionomi të një poetit të thuash asnjëherë jo të njëjtë, ngase Podrimja me lehtësi e lakon unin e vet poetik në rasa kohe e përvoje artistike, sipas imperativit të pozitës, të procesit të saj përherë të gjallë krijues, sipas frymëzimit dhe shkallës së pjekurisë që arrin. Prandaj, çdo përmbledhje e tij e re njëkohësisht është edhe vazhdë e indit poetik të filluar edhe pasurim përmes eksperimenteve, por edhe pasurim me trajta e thelb fare të ri, të një dore e fryme poetike të veçantë, e ndoshta vepër më vete, sepse jo rrallë poeti bën kapërcime, shqetësimet e brendshme mendore nuk e lënë të qetë, ndaj e shohim nëpër ishujt e përvojës poetike të re, në stinë kohe apo jete që caktohen me disponimin e tij poetik, e gjejmë në ikje prej shiut apo prej njeriut, në marshim tehut të shpatës apo tehut të fjalës, po ashtu sikundër që mund ta gjejmë në punën e tij plot përkushtim, duke gdhendur emrin e njeriut në gur, duke iu qasur njeriut me dashuri, duke e parë atë si lindje të madhe, si vogëlush me emër të çuditshëm, i djegur etjesh, i përvëluar brengësh, por në të vërtetë ndjellamirë. Sepse Ali Podrimja prore është, qëndron dhe vazhdon të jetë i kredhur në mendime mbi botën dhe njeriun e sotëm. Kjo qëndron në natyrën e tij. Prandaj edhe e shohim dhe vazhdimisht e zbulojmë edhe si prolog, por edhe si epilog komunikimi të tij poetik me ne, edhe si hyrje, por edhe si përfundim i kuvendimeve të poetit me vetveten. Për çka vallë? Për ishujt ku kërkojmë vetminë e vëllait tonë të madh Robinsonit, për enigmën e etjeve që na djegin e përvlojnë, për frikën e qiellit që na përbin, për ditën që ka harruar të çelë, për sëmundjet që bredhin shtigjeve magjike të qenies sonë të fshehtë, për kundërshtimet dhe mallkimin e njeriut që bartën brez pas brezi? Apo për gjëra që ngjajnë përtej dhimbjes, përtej mallkimit. Për ikjen e pëllumbave, lojën e dritave, apo lojën ku “guri im rrokulliset”, për hapësirat e pafund, ato që s'kryhen dhe s'kanë të mbaruar, në të cilat ngazëllimi dhe ëndrra e njeriut vazhdojnë, si edhe mashtrimet, dyshimet etj. por edhe në këtë e atë, edhe në çdo rast deri te kredoja e poetit, deri te Kulla e tij çon “udha e panjohur”, sepse: si në tërë opusin e tij poetik ashtu edhe këtu Podrimja e hap dhe mbyll peizazhin jo me shpatën e zhgënjimit, as me fishekzare ngazëllimi poetik, po me Çelësin e mendimit, duke qenë fare i vetëdijshëm se “dikund në mes meje e botës / tufa kullot ëndrrat”, se Fshehtësisë s’ia gjen dot dumin, se s’gjendet dot përgjigjja për pyetjet që shtron jeta, apo atyre që shtron njeriu i ballafaquar me gjithësinë dhe enigmën e jetës dhe të vdekjes; pse një mbretëri ndjek një mizë, pse kjo botë “tash duket tash s'duket” mbështillet e s’lidhet, dhe bie në gjumë, dhe mbetet enigmë, botë deri te e cila poetin e çon: udha e panjohur.
Në poezinë e tij, pra, ekziston një ind karakteristik mendor, i cili përkon me frymën e përgjithshme dhe kredon e Podrimjes. Këtë ind kemi mundur ta vërejmë te Podrimja i ri i fillimeve, por edhe te ai me përvojë krijuese, i cili e pasuron gjuhën dhe mënyrën e të menduarit, pasuron përvojën e cila tash më nuk përkon vetëm me ditët dhe netët e zakonshme të jetës që çon çdo njeri, pra të realitetit konkret, por përkon, më gjerë, me çaste jete të përvëluar të vetë poetit, i cili mishëron jetën e sivëllezërve të tij të mëdhenj apo të vegjël, qofshin ata që përmend drejtpërdrejt, si Hamleti, Robinsoni etj. qofshin edhe shumë të tjerë që nuk i përmend. por i nënkupton, si poet i brengosur për mbarë jetën e njerëzve, sidomos atyre të së sotmes. Prandaj, përmbledhja Sampo II ka lidhje përmbajtësore, motivike dht ideore me përmbledhjen Sampo I, por edhe me akcilët tërësi poetike të Podrimjes, sepse edhe kjo është njt kontribut për ndërtimin e kullës së tij poetike, edhe kjo, Sampo II, pjesë e ëndrrës që vazhdon, e artit poetik që nuk ka të shterur.
As më parë as këtu Podrimja nuk nguron, nuk ka frikë nga fjalët. Gjuha te ai nuk është vetëm një mjet i zakonshëm i shtjellimit, por mundësi krijuese për t’i shfrytëzuar, për të depërtuar në botën e ndërlikuar dhe plot fshehtësi, plot nyje enigmatike të njeriut, të Robinsonit të gjorë apo Hamletit të sëmurë, sepse, vërtet, e jeta kërkon shumë, ndërsa jep pak. Prandaj, poezia hyrëse e Sampos tingëllon aktuale edhe në Sampo II, ngase poetikisht fuqishëm e fikson pozitën tragjike dhe dilemën hamletiane bashkëkohore të njeriut, të vetë poetit...
Kjo, në fakt, është enigma kurrë e zgjidhur e ekzistimit të njeriut dhe ballafaqimit të tij me himerat, me zhbindët e padukshëm dhe të rreziqeve që i kanosen. Aty Podrimja njësoj e sheh edhe Robinsonin fatlum edhe Hamletin fatkeq, apo anasjelltas, sikundër edhe vetveten, të zhytur në kërkimin e shtegut të vërtetë për t’ia sqaruar vetes jetën si lumë që ka përjetësinë t rrjedhjes së vet, ndaj edhe bukurinë, por njëherësh ndryn më vete edhe sekretin e vdekjes, e cila gjithnjë përgjon dhe është, të thuash, e pranishme. Pra, fjalët për të janë lënda magjike për ta arritur “alkiminë e poezisë”, lëndë që shton radiusin e mendimeve me të cilat duhet kredhur në thellësitë më të largëta të botës psikike të mikrokozmit të ashtuquajtur Njeri. E, kjo i shërben një qëllimi të veçantë që ka Podrimja. Sepse kështu ai, duke e vërejtur madhështinë e tij, stuhinë e shpirtit, tmerret e tragjikës që përjeton dhe është i destinuar.
E kjo dashje e tij, e babait tonë, e ashtit nga i cili ka lindur fisi dhe gjaku ynë, buron nga lashtësia. Stërprindi ynë, i Hamletëve dhe i Robinsonëve tanë, e le të shtojmë, edhe i Don Kishotëve tanë, pikërisht atëherë, në atë kohë të stërlashtë që s’e kap dot mendja e thjeshtë “gurin e rënd në themel ka vënë” dhe ky gur ka qenë gur i përrallave, pra mishërim i së bukurës, asaj që të këndell dhe të jep jetë e fuqi. Këtë stërgjysh, apo babain tonë të lirikës së Podrimjes ne e shohim si njeri fare real, edhe në takim me zotin, edhe në takim me djajtë, e shohim si “kambësor kohësh të serta”, viga dhe të përjetshëm. Këtu e shohim edhe metaforën magjike, mjeshtërore, të qëndresës, sepse ajo kulla që “është ngritur njëmijë vjet / mbi një asht mbi një emër” është simbol i unit tonë dhe besimit. Ajo flet “për shkak të dashurisë” dhe flet “për shkak të urrejtjes”, jo vetëm pse prore “Ujku hynte në përrallat tona”, por pse realiteti ku kemi jetuar, apo ku kanë jetuar brezat e fisit tanë, i ka pasur dhëmbët e ujkut gjakpirës, ndaj prore vdiste ndokush në Kullë, vdiste njeriu në vatrat dhe në trevat tona, vdiste dhe lartësohej mbi eshtrat dhe përtej vdekjes; vdiste, por “jeton i gjallë në mermerin e historisë”, sepse kurrë “nuk ka vdekur në gjunj” dhe ne qe e njohim dhe e rikujtojmë jo vetëm në këngën e kreshnikëve, por edhe në këngëtimin e poetit tonë, të frymëzuar nga goja dhe historia e popullit, por të frymëzuar në një mënyrë vërtet origjinale, kuptimplote.
Natyrisht, Podrimja na paraqitet edhe si poet dilemash. Ai beson, por edhe dyshon. Ai përjeton thellë dhe sinqerisht, dhe rrëfen pa ngurim e sinqerisht. Edhe besimin edhe dyshimet i mbështet në përvojën e njeriut jo të një kohe të kufizuar, por të një distance e jete pa kufi, në të cilën ai ishte viktimë e shpeshtë, por edhe luftëtar i paepur i cili synonte lirinë dhe kuptimin e jetës e shkrinte në këto synime. Ai kaloi shekuj dhelprash, provoi dhe ditët e egra kur të thuash ishte njësoj:
“Të rrosh apo të mos rrosh" dhe kur secila natë dukej e mbramë, secila ditë e fundit, sepse lindin njerëz e djaj njësoj, me fytyrën e bishës, por edhe me atë të Njeriut. Poeti këtë njeri e sheh si kalorës shekujsh, pohon bukurinë imperative të tyre “të bukur jini kalorsit e mi të bukur jini”, por edhe ironizon, godet me thumbin e një sarkazme:

Po sytë
po sytë në ballë
si ju lanë 
Podrimja, sado që mbyllet në kullën e fjalës dhe të ritmit të saj të fshehtë, në rrjedhat e saj sekrete, komunikon dhe rrëfen në një mënyrë, e cila mundëson zbulimin e mendimit. Fjalët më të shpeshta, apo më mirë simboli më i shpeshtë që shfrytëzon, janë: lumi, guaska, ishulli, sëmundja, dhimbja, folja, gjarpri, djalli, zoti, brigjet, përralla, ashti, gjurmët, heshtja etj. dhe përmes tyre pa shumë vështirësi mund ta zbërthejmë tërë botën e personifikuar dhe kahjet e mendimeve të Podrimjes si poet, apo kahjet e përfundimeve të tija si filozof poezie. Mbase mund të gjenden edhe shembuj të tjerë karakteristikë, por poezia Bota u soll rreth boshtit të vet e kësaj përmbledhjeje është një shembull mjaft karakteristik në këtë drejtim. Jo më pak karakteristike si nuancime filozofike dhe ndryshesa të një mendimi, të cilin e shohim ind të kuq në tërë poezinë e tij, janë edhe poezitë si E njerëzit udhëtuan në një cirk të madh të Hiçit, Vdekja buzë Iumit, Ndjenja, A ju dëgjon harrimi etj. si Të vdekurit, ku në disa vargje sublimohet një botë e tërë mendimesh për jetën e pajetuar.
Në poezinë e Podrimjes, edhe më përpara, por sidomos tash në Sampo II, ku ai bën zgjedhjen e shkëndijave kyçe të mejtimit poetik, njësohen përralla me jetën dhe jeta me Iegjendën, njësohet ëndrra me realitetin dhe realiteti me këngën, e kënga me faktin e jetuar. Bota është tejet e madhe dhe tejet e vogël dhe poeti qëndron në të si një fije kashte në stuhi. Kumbojnë simbolet karakteristike të fëmijërisë, bukuria që gëzoi, mosha e hershme, por edhe elementet që përkojnë me anën tjetër, të shëmtuar, me travajet e dhimbjen e Njeriut. Por, Podrimja vështrimin nuk e kthen pas, por e ka të drejtuar gjithnjë kah ardhmëria. Të kaluarën e dend në subjekt dhe e analizon përmes vetes dhe ashtit të vet, realitetin e konkretizon dhe kridhet në të për ta pohuar, ndërsa të gjitha këto i bën për të ndjellë ardhmërinë dhe për ta përqendruar vëmendjen në të si ideal. Në vegimin e tij poetik kudo shihen gjurmët e së kaluarës, por vetëm si gjurmë, bile në të shumtën e rasteve si gjurmë që shpjegojnë mallkimin dhe në disa raste të veçanta gjurmë që mbështesin krenarinë kombëtare dhe historike, por në kontekstin e përgjithshëm baza e poezisë së tij është bashkëkohësia, ndërsa potenciali dhe fryma e saj është përqendrimi në të ardhmen. Prandaj edhe mund të pohojmë se në këtë poezi, marrë në përgjithësi, kemi të bëjmë me një shkrirje, apo më mirë ngjizje të mençurisë dhe përvojës popullore, të cilat qëndrojnë të mishëruara në përrallat dhe legjendat e popullit, poaq sa edhe në poezinë e tij, me ndjeshmërinë e njeriut të sotëm, të poetit dhe të qenieve që mishëron ai, apo më mirë me dramën e ekzistimit dhe të ballafaqimeve me probleme të mëdha jete në këtë kohë. Në prizmin në të cilin na i ofron këto motive e tema të vjershave, Podrimja është pa dyshim i veçantë. Ai ka përparësi në këtë drejtim, ngase ligjërimi i tij është lirik dhe ai kujdeset që të mos dalë nga suazat e lirikës, por 17 kanalizoi sipas urdhrit të artit poetik modern. Prandaj edhe në Sampo II, si edhe në përmbledhje të tjera, e shohim fijen e pashkëputshme të një kontinuiteti logjik dhe të një natyre thjesht moderne të poezisë së tij.




 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment