Në ditën e sotme indi Alush CANAJ, poet shqiptar, në fshatin Koretin të Dardanës.

24.08.2013 (komentet: 0)

Në vitin 1956, në kohën e terrorit serb, gjatë aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve e të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, familja e tij u vendos në Gjilan. Aty A. Canaj, e kreu shkollën fillore. Ma vonë u regjistru në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit.





A. Canaj ishte veprimtar dhe organizator i spikatur i veprimtarive kulturore, letrare në jetën shkollore si gjimnazist. Pas kryerjes së gjimnazit u regjistru në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Në letrat që u shkrunte shokëve në këtë kohë u tregonte për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve. Qytetin student të Beogradit qunte ‘qytet i zi’.

“Këtu vëllezërit tanë janë të përbuzur tejmase. Ata mbajnë valixhe nëpër stacionin e autobusëve, por i sheh edhe duke larë rrugët në mëngjeset e hershme të këtij qyteti vetëm e vetëm për të fituar kafshatën e gojës.. Në këtë qytet të “bardhë”, nga shpirt-“zinjtë” shtypen qytetarët vetëm se janë shqiptarë me plisa të bardhë”. 

Në letër shtonte se, “ka ardhur koha për ta shtrënguar grushtin e fortë, atë grusht si të Migjenit...” 

Letra e tij ra në dorë organeve të sigurimit dhe poeti e pësoi rëndë, ai hyri në “listën e zezë” të UDB-së. Pas pak kohësh la Beogradin dhe u regjistru në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.
Alushi Canaj, vjershën e parë e botoi në ‘Rilindja për fëmijë’ më 1965, si 13-vjeçar.

Beqri Musliu, në një takim letrar për Alush Canajn, në vitin 1992 ka thënë publikisht: “Alushin e vranë, ashtu siç e vranë edhe Rexhep Elmazin e poetë të tjerë.’ Alush Canaj shkroi dy letra, në të cilat shihej përmbajtja e tyre prej atdhetari të etshëm për liri të popullit shqiptar. Letrat u ranë në dorë shokëve të tij dhe ato u lexuan fshehtas, njëra prej letrave ra në dorë organeve të sigurimit (UDB-së) dhe kështu nisi zingjiri i pafund i ‘bisedave informative’ në zyrat e UDB-së. 

Vëllai i Alushit, shkrimtari Avdush Canaj mblodhi shkrimet e mbetura, kryesisht të publikuara të vëllait, Alushit në të përkohshmet letrare – artistike, që botoheshin në Prishtinë dhe në Shkup: në “Pionieri”, “Rilindja për fëmijë”, “Gëzimi”, “Fatosi” e gjetiu. Vjershat dhe tregimet kanë vitet e botimit. 

“VALS VEROR”, “Zëri”, Prishtinë, 1992, ku përfshihen shkrimet në poezi dhe prozë të botuara gjatë viteve 1965 – 1972. “Vals veror” e përbëjnë tre cikle: “Valsi veror”, vjersha; “Treni i fëmijëve”, tregime dhe “Po e ndiej”, shtatë vjersha për moshën e djalërisë. Vjershat e ciklit mbizotërues të librit “Vals veror”, libër,së cilës Alushi i kishte vënë titullin “Kangët e mëngjesit”. Ballinën e fletores - libër e pati ilustruar me ngjyra druri. Kontrastet dhe përbërës të ilustrimit, reflektonin atmosferë që e ngërthente agimin pranveror, larushinë verore, ngrohtësinë që sjell afër fëmisë florën dhe faunën, gjallërinë dhe freskinë e jetës dhe, në tërësinë e kësaj tablloje dielli me rrezet flakëruese.
A. Canaj bëri vetëvrasje, pas torturave të tmerrshme dhe presionit psikik nga UDB-ja, me 15 shkurt 1972.



NËNA SHQIPËRI

Atje larg në veri
Nëna ime Shqipëri
Si ylber me shtatë ngjyra
Lule e çelur, më e mira
E kam dritë, e kam xhan
Korbat e zezë prej saj më ndanë
Oh, sa keq! U bubu,
AJO pas malesh unë këtu
Zog do bëhem të fluturoj
Nënën time ta takoj
Ta puth në faqe si dikur
T`i them në prehër : U bëra burrë
Ujq e dhelpra më vijnë pas 
Dashuri e Nënës do t`i vras.

(1970)




NË KËTO MALE


Në këto male epike
Me kroje rrëzë guri
Luftoi me kral e mbret
Atë Bajram Curri.

Në këto male legjendare
Ku zogjtë pinë ujë pa gotë 
Pushkën s`e ndalën kurrë
Azemi e dada Shotë.

Në kët male këngësh
Me ballin në re
U betuan dhe lis e gur:
-Do të mbrojmë, atdhe!

(1966)

YLLI I ARBËRISË

Kush ia shtypi kokën
kuçedrës së tërbuar?
Kush ia ktheu
nderin shqiptarit?
Kush e solli në jetë
lulën e lënduar?
Kush ia shëroi krahët
shqiponjës së malit?

Skëndërbeu-
trim me fletë,
Skënderbeu-
kurorë e lirisë,
Skëndërbeu- 
rrufe, shigjetë…
Skënderbeu-
Yll I Arbërisë.

(1966)

ËNDRRA NË KRAHËT E ERËS

Fusha mbylli sytë,
edhe qielli
me këngë të kaltra.
Vrik erdhi gjumi 
më çoi te lumi 
era në breg
më mori mbi flatra.

Fluturoja fushës,
fluturoja malit
sikur me raketë! 
Pyllthit me lulëkuqe
vizatova një mollëkuqe
n`pallat të zambakut 
në katin e tretë.

Peshqit në det
më mësuan not
te i Dashurisë Kep. 
As vetë nuk e di
si rashë në thellësi.
Kur më puthi nëna,
unë: sa një plep!

(1969)

Kthehu mbrapa

Shto koment