17 VJETORI I RËNIES HEROIKE TË FAMILJES JASHARI

04.03.2015 (komentet: 0)

Me rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, Qeveria e Kosovës, më 5, 6 dhe 7 mars, organizon manifestimin gjithëpopullor.

Me rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, Qeveria e Kosovës, më 5, 6 dhe 7 mars, organizon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Programi i manifestimit përfshin:

Më 5 mars, në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë duke filluar nga ora 11:00 do të mbahet ceremonia ushtarake e FSK-së.

Më 6 mars, duke filluar nga ora 09:30 do të bëhen homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në komunat e Republikës së Kosovës.

Në ora 18:00, po më 6 mars, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, do të mbahet Akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Më 7 mars, duke filluar nga ora 17:45, fillon ndezja e flakadanëve në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz të Skenderajt.

Në orën 18:00, po më 7 mars, vazhdon manifestimi “Nata e Zjarreve” me program kulturoro-artistik të begatshëm në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Qeveria fton qytetarët që t’i bashkohen manifestimeve dhe “së bashku të nderojmë veprën heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë e popullit tonë”.
 

Kthehu mbrapa

Shto koment