Si t'i kundërvihemi filmit dokumentar serb?!

24.09.2017 (komentet: 0)

AVNI RUDAK . REGJIMI I RI I BEOGRADIT, FUSHATË KUNDËR KOSOVËS NË UNESCO

Ngathtësia diplomatike e Kosovës është pasojë e garës së mjerë të partive politike për ndarjen e pushtetit me çdo kusht dhe me çdo çmim

Duhet pranuar se ndërkombëtarisht, rajonalisht dhe më gjerë, Serbia shihet shumëfish faktor më i rëndësishëm politik sesa Kosova. Ka edhe një faktor tjetër me rëndësi: raportet në UNESCO dhe lobimet për shtetet si Kosova, janë arenë e përplasjeve të titanëve, superfuqive, etj.

 

Ditëve të fundit e pamë se me përkrahjen e Serbisë dhe në përputhje me politikat e tyre të jashtme u lansua një film (pseudo)dokumentar serb, ku shqiptarët si ISIS kanë shkatërruar trashëgiminë kulturore dhe historike ortodokse e serbe. Objektivat kryesore të Serbisë janë edhe pengesat e Kosovës në njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimet në organizatat e fuqishme globale si UNESCO. Madje, në pengesat diplomatike nuk përzgjidhen as mjetet e shëndetshme diplomatike, duke e vënë fokusin vetëm në propagandë. Shfrytëzimi i filmit dokumentar e të angazhuar politik, me qëllim të humbjes së përkrahjes edhe nga vendet që e kanë njohur Kosovën, për të mos e votuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, është në vazhdën e aktiviteteve dhe politikave jo korrekte ndërfqinjësore të Serbisë. Serbia jo vetëm që nuk po merret me të kaluarën sa dhe si do të duhej, por edhe vazhdon ta ruajë me ngadalësi fanatizmin politik rreth Kosovës (qoftë edhe me efekte të brendshme elektorale!). Nuk është se nuk ka ndryshuar qëndrime gjatë krejt këtyre vjetëve për të mos rënë edhe në nacionalizëm folklorik, por vazhdon me mentalitet të vjetër në shumë politika ndaj Kosovës e ca fqinjëve tjerë. Gjuha e politikanëve në Serbi nuk është si do të duhej të ishte, por në këtë kolumne do të merremi vetëm me disa aspekte diplomatike të cilat do të duhej t'i shfrytëzonte Kosova për të arritur qëllimin e anëtarësimit në UNESCO, apo edhe për ta luftuar propagandën e Serbisë kundër Kosovës, sikur është rasti me filmin e fundit rreth trazirave të marsit! Duhet rikujtuar se pjesë e propagandës për shfrytëzim të trazirave të marsit 2004 për propagandë kundër shumicës myslimane kosovare, është edhe filmi "Enklava", ku merr pjesë edhe aktori kosovar, Çun Lajçi.

VAZHDIMI I PROPAGANDËS SERBE

Dokumentari propagandues serb kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO ka disa qëllime kryesore: vazhdimin e propagandës për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO; frikën se anëtarësimi në UNESCO do t'i bënte disa nga objektet dhe monumentet e trashëgimisë kulturore ortodokse nga trashëgimi serbe në trashëgimi kulturore të Kosovës; propaganda vizuale në prag të mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv në muajin e ardhshëm dhe Konferencës së Përgjithshme në muajin nëntor; memorizimin e trazirave të marsit për t'i mbuluar aq shumë shkatërrimet e trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë gjatë luftës së vjetëve 1997- 1999; theksimin e vazhdueshëm para Bashkësisë Ndërkombëtare se, "shqiptarët janë fundamentalistë islamikë kundër civilizimit të krishterë, katolik e ortodoks"! Por si duhet t'i kundërvihemi këtij dokumentari? Le t'i shtjellojmë disa nga mediumet, artet, diplomacitë e çështjet, të cilat duhet t'i ndjekim edhe ne: 1. Kinemaja si "arti i shtatë", sipas teoriticientit italian Ricciotto Canudo, me vendqëndrim në Francë, ishte në fillimet e saj shpërthyese. Pavarësisht se në fillim e emërtoi si artin e gjashtë në manifestin e tij, më pas e bëri si artin e shtatë. Fuqia e filmit në përgjithësi, e shikove në shtëpi apo në kinema, është aq e madhe, sakaq qindra deklarime të politikanëve bien në ujë, për të mos bërë jehonë sa bën një film! Nëse në film thuhet se shqiptarët janë shkatërrues të trashëgimisë kulturore ortodokse, shikuesit do të binden më shumë nga filmi, sesa të lexuakan a dëgjuakan një politikan të Kosovës se çfarë replikon me Serbinë në faqen e tij të fejsbukut, në portalet e tij, në portalet e opozitës, në portalet relativisht që mundohen të ruajnë ndonjë vlerë profesionale, etj. Pra, serbët e bënë një film dokumentar, me agjitacion kundër Kosovës në UNESCO, prandaj, fuqisë kinematografike, është vështirë t'i kundërvihesh me diçka tjetër më të madhe, sesa me një film dokumentar. Filmit dokumentar propagandues nuk mund t'i kundërvihesh as me librin e mirë të bërë për djegien e dhjetëra xhamive gjatë luftës nga Serbia, sepse e kam lexuar edhe atë libër të bërë nga njëri prej Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ka qenë punë e duhur! Mirëpo, këtij filmi dokumentar propagandues serb mund t'i kundërvihesh edhe me botime librash të tjerë, me lobime diplomatike, me shfrytëzim të ambasadave të Kosovës, e tjerë e tjerë, por jo edhe pa një film. Është e vështirë të mbulosh propagandën e një filmi dokumentar serb me një fletushkë, deklaratë politike, me një replikë përmes një mediumi të thjeshtë. Në anën tjetër, filmi dokumentar që mund të bëhet nga Kosova, nuk duhet kurrsesi t'i kundërvihet me propagandë të ngjashme. Nuk luftohet propaganda me propagandë, por me të vërtetën. Nëse edhe ju i kundërviheni me propagandë, nuk ka dallim asgjë pastaj me propagandën e fqinjit tënd! 2. Filmi dokumentar kosovar duhet t'i kundërvihet filmit propagandues serb, duke pasur brenda vetes shumë çështje, fotografi, skena, intervista, shifra, etj. Le të zbërthejmë disa nga këto çështje me rëndësi, për t'u përfshirë në këtë film dokumentar: a) Konteksti politik i trazirave të marsit 2004, duke dhënë fakte e dëshmi se ngjarjet politike ndërlidheshin, në mes të tjerash, edhe me fiksimin se pas 3 vjetësh do të kishim pavarësinë. Trevjetëshi është shumë i rëndësishëm si kontekst politik i rebelimit të përgjithshëm kosovar atëbotë - pa e pasur domosdo revoltën me motivacion fetar, dhe natyrisht, pa e propaganduar me sigurinë e plotë se vetëm kjo ka qenë arsye. Kur flasim për kontekstin politik të trazirave të marsit dhe djegien e kishave ortodokse, do të thotë se të huajt e kanë parasysh zhvillimin politik dhe historik të ngjarjeve, pa i dhënë konotacione direkte të luftës ndërfetare, shqiptare-serbe; b) Dhënia e shifrave zyrtare të djegieve të kishave ortodokse gjatë trazirave të marsit dhe ballafaqimin me këtë histori të shëmtuar e lënduese ndaj bashkëqytetarëve tanë serbë. Kurrë nuk duhet harruar se kjo pjesë e historisë sonë më të re është shumë e dëmshme, jonjerëzore dhe kurrë nuk duhet të përsëritet! c) Dhënia e shifrave zyrtare të vrasjes dhe lëndimeve nga dyja palët, si serbë, si shqiptarë. Në këto trazira kishte edhe dëme të mëdha jo vetëm në njërën palë, por në dyja; d) Proceset gjyqësore të shqiptarëve të dënuar për këto trazira me aq shumë vjet, duke marrë në intervista: prokurorë, gjyqtarë, gazetarë, Këshillin për Mbrojtjen e Të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Avokatin e Popullit, etj., të cilët duhet të tregojnë se sa janë dënuar, sa kanë qenë të burgosur, etj. Le ta dinë të huajt se Kosova i ka dënuar edhe me burgosje të gjatë disa nga pjesëmarrësit e trazirave!; e) Shifrën zyrtare të milionëve të ndarë nga buxheti i Republikës së Kosovës për të rinovuar dhe riparuar të gjitha kishat e manastiret ortodokse pas trazirave të 17 marsit 2004. Është shumë e rëndësishme të përmendet në filmin dokumentar, saktësisht kjo shifër dhe po ashtu se si Serbia gjatë djegies së xhamive dhe në përgjithësi trashëgimisë kulturore-historike gjatë luftës së vitit 1998-1999, asnjë dëmshpërblim akoma nuk e ka dhënë. f) Duhet të intervistohen drejtorët e muzeve të Kosovës dhe ndonjë politikan me rëndësi gjatë përpilimit të Pakos së Ahtisaarit, ku përmenden artefaktet arkeologjike dhe etnologjike, të cilat huazuar nga Serbia gjatë luftës së fundit, dhe megjithëse është e paraparë edhe me negociatat diplomatike dhe dokumentin e Ahtisaarit, akoma nuk janë kthyer këto artefakte. Kjo çështje duhet të jetë shumë e theksuar në filmin dokumentar. Nuk ka më propaganduese se sa të derdhësh lot se shqiptarët i kanë djegur kishat ortodokse gjatë marsit 2004, ndërsa si shtet, mbani mbi 1200 artefakte arkeologjike dhe etnologjike të Kosovës! Dhe jo vetëm kaq! Ju si shtet jeni në një dokument ndërkombëtar, të shkruar nga finlandezi Ahtisaari dhe kjo është pranuar si fakt i plaçkitjes edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare! Ndryshe është të ankoheni ju si viktimë e plaçkitjes e të mos e pranon këtë plaçkitje edhe Bashkësia Ndërkombëtare! Prandaj, është shumë më e lehtë kjo të përmendet në dokumentar, sesa sikur të mos e pranonte Bashkësia Ndërkombëtare! Madje, kamera mund të fokuset edhe në nenet e Pakos së Ahtisaarit, kur përmendet detyrimi e zotimi që Serbia duhet t'ia kthejë Kosovës këto artefakte. Sa për lehtësim, po ua citojmë këtë nen nga kjo pako: Neni 6 - Kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike - paragrafi i parë i këtij neni: "Republika e Serbisë brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, do t'i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999." Pavarësisht se gjuha e Ahtisaarit si ndërmjetësues, ka qenë edhe diplomatike, e butë e paqësore, që në disa variante edhe e kuptueshme, nuk përmendet si plaçkitje, por huazim, mirëpo me rëndësi është që Bashkësia Ndërkombëtare e ka pranuar se këto artefakte janë të Kosovës dhe duhet t'i kthehen sërish Kosovës pas 120 ditësh prej zbatimit të marrëveshjes, që i bie rrafsh 9 vjet u bënë që nuk janë kthyer! Fund Pavarësisht kundërargumentit me një film dokumentar, për çështjet të cilat i përmendëm më lart, ne jemi shumë larg këtij procesi, sepse pikërisht votimi në UNESCO është afër. Prandaj, ngathtësia diplomatike e Kosovës është pasojë e garës së mjerë të partive politike për ndarjen e pushtetit me çdo kusht dhe me çdo çmim; pasojë e vizionit të ngushtë apo mungesës së vizionit për Kosovën; me mungesë përvoje diplomatike të tipit të Serbisë, etj. Po ashtu, jemi shumë vonë edhe për të bërë një film të tillë, ngase muaji tetor dhe nëntor janë vendimtarë për anë- tarësimin në UNESCO. Përveç kësaj, më lehtë binden partnerët e Serbisë me propagandën e tyre kundër Kosovës sesa partnerët tanë për anë- tarësimin e Kosovës. Duhet pranuar se ndërkombëtarisht, rajonalisht dhe më gjerë, Serbia shihet shumëfish faktor më i rëndësishëm politik sesa Kosova. Ka edhe një faktor tjetër me rëndësi: raportet në UNESCO dhe lobimet për shtetet si Kosova, janë arenë e përplasjeve të titanëve, superfuqive, etj. Arsyeja që dështoi vitin e kaluar Kosova në UNESCO, përveç gabimeve të rënda të politikanëve kosovarë, ishte edhe për rritjen e një bote multipolare dhe jo krejtësisht të kontrolluar lehtë nga superfuqia amerikane! Aty u panë edhe fuqitë e Kinës, Rusisë, etj., për të bërë aleatë pro-Serbisë dhe kundër Kosovës. Kjo 'kundër Kosovës', realisht ishte edhe kundër SHBA-së. Por pa harruar edhe përgjegjësinë e politikanëve kosovarë, në secilin version interpretimi!

(Kosova Sot)

Kthehu mbrapa

Shto koment