Reportazh nga Franca: Eleganca e Parisit, Shahadeti në derë të katedrales dhe bukë, verë e djathë

23.08.2018 (komentet: 0)

Historia e njeh një rajon shumë të rëndësishëm në Francë. Nga shekulli X ky rajon quhet Normandi, qëkur aty u vendosën vikingët normanë të ardhur prej Skandinavisë. Normanët – të cilët një shekull më vonë nuk ishin më shumë se disa dhjetëra mijëra vetë – e ndryshuan historinë e Evropës në mënyrë pozitive. Nga këtu nis rrugëtimi i çdo anglezi drejt Francës.

Daut Dauti

Prej shekullit XI, Normandia njihet si vend nga ku kanë filluar apo përfunduar invadimet ose zbarkimet ushtarake. Për historinë britanike, invadimi më i rëndësishëm ka qenë ai kur – pas Betejes së Hastingsit – normanët e pushtuan Anglinë në vitin 1066. Normanët vendosën rregull në ekonomi dhe në politikë, e cila gjë më vonë rezultoi në zhvillim të pandalshëm, deri në krijimin e Perandorisë Britanike. 1066 është numri që anglezët e mbajnë mend mirë sot: është ky viti që ndryshoi për të mirë historia e tyre dhe kur për herë të parë u pushtuan nga një popull dhe një shtet i huaj.

Fotografia e Daut Dauti
Diku afër Dizhonit (Dijon)

Më vonë kanë ndodhur invadimet angleze drejt Normandisë, por në historinë moderne një mbahet mend më së shumti. Fjala është për Luftën e Dytë Botërore, gjegjësisht për vitin 1944, kur në Normandi zbarkuan forcat anglo-amerikane, veprim ky që rezultoi me kapitullimin përfundimtar të Gjermanisë dhe ideologjisë nazifashiste.

Sot gjërat kanë ndryshuar dhe invadimet janë të natyrës tjetër. Ato ushtarake – bashkë me armiqësinë shekullore – janë harruar. Dekadave të fundit, nga Britania e Madhe për të jetuar në Francë janë shpërngulur diku rreth 158 mijë britanikë. ‘Invadimi’ në anën e kundërt është më i madh. Në Britani sot jetojnë diku rreth 300 mijë francezë. Nga kjo shifër, 200 mijë jetojnë vetëm në Londër. Nëse e marrim parasysh edhe aspektin e dyanshëm turistik, atëherë ‘invaduesit’ maten me dhjetëra miliona. Brexiti – nëse ndodhë ashtu siç është duke u planifikuar dalja e Britanisë nga Unioni Evropian – do të rezultojë negativisht në këto shifra dhe do ta dëmtojë lëvizjen e njerëzve në të dy anët.

Për në Francë unë u nisa nga porti Newhaven i Anglisë. Zbarkova në Diep (Dieppe) të Normandisë, në vendin nga ku ishin nisur shumica e forcave normane për ta pushtuar Anglinë më 1066. Përkundër afrimeve që kanë ndodhur dekadave të fundit në Evropë, Anglia dhe Franca – në shikim të parë – kanë mbetur dy botë të ndryshme. Kjo vërehet sapo hyni në Diep, ku shihet ndryshimi nëpërmes arkitekturës, vozitjes në anën e ‘kundërt’, gjuhës, shprehive të njerëzve, reliefit gjeografik… Mbi të gjitha, ndryshimi shihet në motin me temperaturat më të larta se në Angli.

Pra, në mënyrë turistike Franca duhet të ‘invadohet’ nga Anglia përmes Normandisë. Për të shijuar bukuritë e natyrës të kësaj ane dhe për t’u kënaqur me pamjet mahnitëse të vendbanimeve normane, duhet t’i bini rrugës së fshatrave. Rruga nga Diep deri në Paris merr diku rreth dy orë kohë por, meqë natyra ofron festival të mrekullueshëm për sy, do të dëshironit që kjo rrugë të zgjatej më shumë.

 

Hyrje-daljet me automjet në Paris janë më të lehta se ato të Londrës. Londra është qytet që të bën të mendosh se pas ndërtimit të tij, dikush, ndonjë “Fuqi Madhore”, e ka shtrydhur për t’ia ngushtuar rrugët dhe sheshet – së bashku me ndërtesat. Me Parisin duket se ka ndodhur e kundërta. Dikush e ka zgjeruar. Rrugët, sheshet, avenytë, sokakët së bashku me parqet… janë më të gjëra. Edhe shëtitoret në brigjet e lumit të Senës janë të tilla.

Në Paris merret frymë më lehtë. Njerëzit nxitojnë më pak dhe nuk duken shumë të brengosur. Të mos flasim për elegancën, sepse Parisi është qytet artistik. Edhe parisienët janë të tillë. Sado që mundoheni të visheni bukur, kurrë nuk ia kaloni francezëve. Ata në çdo stinë dhe pjesë të ditës, duken më elegantë se kushdo tjetër në Evropë apo në botë. Artistikja francezëve u shtohet edhe kur i dëgjoni se si flasin. Intonacioni i gjuhës, sidomos tek femrat, e kompleton këtë tendencë drejt së bukurës të këtij populli.

Për një arsye të çuditshme dhe të pakuptueshme për burrat, Parisi i fascinon gratë. Është shumë romantik për gjininë e bukur dhe thonë se aty lindin dashuritë e reja apo rilindin dashuritë e vyshkura – edhe kur nuk ke nevojë për to. Kjo mund të mos jetë tërësisht e vërtetë, por gratë në këtë qytet, sidomos ato që vijnë nga vendet tjera, duken shumë të disponuara.

 

Kur dilni nga metroja në Trokadero, papritmas shfaqet pamja impozante e Kullës së Ajfelit. ‘Haaah’, dëgjohen gratë duke klithur dhe duke e mbuluar gojën me dorë në shenjë habie posa ballafaqohen me pamjen mahnitëse të këtij objekti. Kështu ndodhë edhe para Harkut të Triumfit, Katedrales së Notër Damit, Pallatit të Versajës… Pastaj vajzat, por shpesh edhe gratë e moshuara, i nxjerrin celularët e zgjuar dhe e marrin atë pozën karakteristike, për fotografim: para se të nis rafali fotografik, kthehen në profil, ia sigurojnë prapanicës pjesën qendrore në fotografi dhe buzët i bëjnë ‘hazër’ për ‘kiss’.

Sjelljet e njerëzve tashti i ka ndryshuar teknologjia, por Parisi ka mbetur ai që ka qenë gjithmonë. Kurdo që shkoni nuk është vonë, sepse ai me bukurinë e tij – nuk ndryshon.

Mbrëmjet në Parisin kozmopolit, si për gra ashtu edhe për burra, sjellin atmosferë të veçantë. Disa këshilla turistike të mediave britanike sugjerojnë se Parisi duhet të vizitohet gjatë muajit gusht. Arsyeja? Për shkak se gjatë këtij muaji parisienët shkojnë në pushim dhe qyteti është më pak i ngarkuar me njerëz. Dhe, mund të gjeni vende të lira edhe në ‘Le Bistro’ apo ‘Café Du Théâtre’. Kjo nuk doli e vërtetë. Parisienët mund të kenë shkuar në pushim, por vendin e tyre e kanë zënë turistët. Përkundër kërcënimit të terroristëve, Parisin vitin e kaluar e kanë vizituar mbi 32 milionë njerëz. Kjo shifër është e lartë edhe nëse e krahasoni me atë të vizitorëve të Londrës që është diku rreth 18 milionë. Prandaj, lokalet e njohura të Parisit, sikur edhe ato më pak të njohura, janë të mbushura me njerëz, sidomos në mbrëmje. Tavolinat e braserive janë plot ushqim dhe pije. Dominojnë grykat e shisheve me verë të bardhë.

 

Fuqia e Francës së Mesjetës shihet në Versajë. Mijëra njerëz, që në mëngjes, radhiten për të parë shkëlqimin e pallatit dhe kopshtin madhështor. Këtu e gjeni arsyen pse mbreti absolutist francez, Luigji XIV, ka thënë ‘L’etat c’est moi’ (Shteti, jam unë). Gjatë sundimit të tij, ndërtimi i pallatit ka zgjatur 40 vite. Pallati është zgjeruar disa herë, përfundimisht në vitin 1715. Influenca e luksit të këtij pallati nuk është shuar kurrë. Në vitet që pasuan, mbretërit e botës kanë tentuar në shumë raste të bëjnë ndërtime duke u bazuar në Pallatin e Versajës.

Nga Parisi, në drejtim të jugut, shtrihet një fushë e gjerë e cila puqet në horizont me qiellin. Fusha vazhdon deri në Orlean (Orléans) dhe përfundon diku kah Borzhi (Bourges). Kjo fushë ka qenë e rëndësishme për bujqësinë e Francës së Mesjetës. Sot kjo hapësirë është edhe industriale. Autostrada vazhdon për qytetin bregdetar Monpelie (Montpellier) dhe më tutje për Spanjë.

Në Klermo Fero (Clermont Ferrand) marr kthesën në të majtë, për të vizituar një vend shumë të rëndësishëm që nuk tërheq shumë turistë si qytetet apo vendet tjera të Francës. Në këtë pjesë fillon një rajon kodrinor dhe malor që quhet Uvernjë-Ron-Alp (Auvergne-Rhône-Alpes). Prandaj, është më pak i përshtatshëm për bujqësi në krahasim me rajonet tjera të Francës. Madje, rajoni është edhe më pak industrial se rajonet tjera. Me fjalë tjera, qëndron mbrapa në shumë aspekte.

Diku rreth 90 kilometra nga Klermo Fero gjendet fshati Shavaniak (Chavaniac) që bën pjesë në këtë rajon që zë pozitë në jug të Francës. Diku rreth 10 kilometra nga rruga magjistrale, fshati – edhe pse shumë i rëndësishëm – lidhet me një rrugë që nuk dallon shumë nga ato të fshatrave të asfaltuara të Kosovës. Nëse takohen dy vetura, njëra apo që të dyja duhet të skajohen për t’i bërë rrugë njëra tjetrës.

 

Mbi një kështjellë, në mënyrë prominente valon flamuri amerikan krahas atij francez. Ky flamur shihet edhe mbi kulme të ndërtesave tjera dhe ekziston një arsye për këtë. Fshati ka hyrë në histori për shkak se aty ka lindur aristokrati Gilbert du Motier, i njohur në botë si Lafayette, i cili sikur shumë francezë tjerë ka marrë pjesë në luftën e amerikanëve për pavarësi nga Britania e Madhe. Këtë luftë, në të gjitha aspektet, e ka mbështetur edhe shteti francez i cili pos njerëzve ka shpenzuar edhe shuma të mëdha të parave. Ndihma e Francës për SHBA-të është bërë me qëllim që të dobësohet superfuqia rivale e Francës, Britania e Madhe. Pa ndihmën e Francës vështirë se do të pavarësohej Amerika.

Si rrjedhojë, francezët që morën pjesë në pavarësimin e SHBA-së sollën ide të reja dhe kanë luajtur rol të madh në demokratizimin e Francës dhe më vonë tërë Evropës. Lafayette, si politikan liberal, po ashtu ka luajtur rol të pazëvendësueshëm edhe në Revolucionin Francez të vitit 1789 dhe më 1830, sikur dhe në qeverisjen e Francës. Ai është ndër personalitetet që kanë ndikuar në krijimin e Evropës së sotme liberale. Sidoqoftë, fshati Shavaniak, sidomos qendra e tij që ka diku rreth 20 shtëpi, është muze dhe si i tillë mbetet i paprekur që nga koha kur në te ka jetuar Lafayette. Kjo është arsyeja pse një numër i konsiderueshëm i vizitorëve vijnë nga SHBA-të.

Diku rreth 30 kilometra në lindje, turistët duhet ta vizitojnë qytetin Lë Py on Vële (Le Puy en Velay) që është qendër administrative e rajonit dhe që ruan histori të rrallë. Historia e këtij qyteti është histori e krishterimit. Besohet se qyteti është themeluar gjatë shekujve III-IV, kur të krishterët që persekutoheshin në mënyrën më të vrazhdë nga Perandoria Romake, kishin gjetur strehim në këtë vend të largët malor. Qyteti është bërë i rëndësishëm pas shekullit VI, kur krishterimi nis të bëhet religjion kryesor në shumë pjesë të Evropës.

 

Me rënien e Spanjës dhe një pjese të Francës nën sundim arab, Lë Py u bë edhe më i rëndësishëm, pasi aty u tërhoqën shumë të krishterë – së bashku me klerin. Gjatë kësaj kohe, nga qyteti filloi pelegrinazhi i rëndësishëm që përfshinte ecjen në këmbë nga aty për në Santiago de Kompostela të Spanjës – një rrugë e gjatë 1600 kilometra. Ky pelegrinazh vazhdon edhe sot, kur çdo ditë mund të shihni pelegrinë që nisen nga dera e katedrales Notre Dam (Zonja jonë). Por, edhe vet qyteti Lë Py qe shndërruar në vend pelegrinazhi në të cilin vinin pelegrinë që nga shekulli VI. Karli i Madh (742-814), i cili nga viti 768 deri më 814 sundoi pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, e ka vizituar dy herë këtë qytet.

Lë Py nuk ra nën sundimin arab, por nuk pati mundësi t’i ikte ndikimit të kulturës islamike. Ndikimi vërehet në katedralen e qytetit e cila është ndërtuar mbi themelet e një temnpulli pagan dhe nën influencën e arkitekturës islamike. Prandaj, përngjan me xhamitë e Kordobës të ndërtuara në atë kohë. Ndikimi islamik shihet edhe më shumë nëse i afroheni hyrjes së katedrales. Mu në pjesën e epërme të derës kryesore të drurit, në arabisht dhe me shkronja të gravuara shkruan: ‘Nuk ka Zot tjetër pos Allahut’. Kjo është një pjesë e shahadetit apo formulës kryesore me të cilën myslimanët vërtetojnë përkatësinë e tyre religjioze islamike. Ndikime të këtilla shihen edhe në shumë objekte tjera të krishtera, gjithandej rajonit të Francës jugperëndimore. Historianët e artit këtë dukuri e shpjegojnë thjeshtë si një ndikim të kulturës islamike që vinte nga Spanja apo Mesdheu dhe e cila në shekujt VIII-XII ishte superiore në Evropë.

Në Luftërat Fetare (1562-1598) që kulmuan në konflikt të përgjakshëm në mes katolikëve dhe protestantëve, Lë Py ka qëndruar në anën e Ligës Katolike. Pas këtyre luftërave, katolicizmi është forcuar edhe më tej në këtë rajon, kurse qyteti, me kalimin e kohës, ka ndërtuar disa objekte tjera fetare. Në vitin 1860, mbi një kodër vullkanike me lartësi 132 metra është ndërtuar statuja Zonja Jonë e Francës. Statuja është ndërtuar nga metali i shkrirë i topave rusë që janë zënë si plaçkë në Luftën e Krimesë dhe kjo për qytetin ishte dhuratë nga Napoleoni. Statuja, sikur edhe kodra ku është e vendosur, është e ngjashme me atë të Krishtit në Rio de Zhaneiro të Brazilit që është ndërtuar në vitin 1922. Nga kjo lartësi qyteti duket si një maketë e bukur që prezantohet nga arkitektët kulmorë. Lë Py zbukurohet edhe më shumë nga fshatrat idilike që shihen në shpatet e kodrave vullkanike që e rrethojnë qytetin.

 

Brenda qytetit vërehen dy kodra tjera më të ulëta, në majat e të cilave qëndrojnë edhe dy kisha të vjetra. Këto objekte, përfshirë muzetë dhe galeritë e arteve, por edhe i tërë qyteti me ndërtesa të banimit që disa datojnë që nga shekulli XVI, e bëjnë këtë vend tejet atraktiv për turistët. Qyteti tërheq diku rreth 700 mijë vizitorë në vit, të cilët krijojnë të ardhura të konsiderueshme për rajonin.

Lë Py ka vetëm 18 mijë banorë, në mesin e të cilëve jeton një numër i konsiderueshëm i emigrantëve nga ish-kolonitë franceze, por edhe nga Ballkani. Në mesin e tyre janë edhe dhjetëra shqiptarë. Të gjithë kanë vetëm fjalë të mira për vendasit dhe për pushtetin francez.

Rëndësia e religjionit është zbehur në ditët e sotme në Lë Py, por qyteti ende konsiderohet ndër vendet më fetare në Francë. Prandaj, kazinot apo lojërat e fatit, si dhe prostitucioni, janë të ndaluara.

Lë Py ka nxjerr personalitete të rëndësishme për Francën. Për kohët e fundit vlen të përmendet teniserja Marion Bartoli e cila është fituese e kupës prestigjioze të Wimbledonit në vitin 2013.

Natyrisht, qyteti dhe rajoni nuk jetojnë vetëm nga turizmi apo e kaluara historike. Edhe përkundër reliefit kodrinor dhe tokës jo të pëlleshme, rajoni është i njohur për prodhime bujqësore dhe industriale, siç janë: plastika, goma, letra dhe tekstili. Mbi të gjitha, rajoni njihet për kultivimin e thjerrëzës që është një lloj bizeleje apo fasule e cila përdoret mjaft në Francë. Megjithatë, rajoni mbetet nën mesataren e standardit të jetës në Francë. Largësia nga vendet tjera po ashtu e bën të veten. Nga qytet e mëdha dhe të rëndësishme, më i afërmi është San Etien (St. Etienne), i cili gjendet diku rreth 80 kilometra në lindje. Pastaj, më në lindje është Lioni (Lyon).

Autostradat në Francë janë të shtrenjta, por kanë infrastrukrurë ndihmëse (pushimoret) më të mirën në Evropë. Kudo që ndaleni në Francë, nuk gaboni. Gjithkund ka vend për të vizituar diçka. Shumica e fshatrave ruajnë pamje mesjetare. Ato kanë sheshe me fontana në mes. Përreth shihen dyqanet e vogla dhe pazaret e përditshme ku fshatarët sjellin prodhimet e tyre. Këtu e shihni me sy dhe e përjetoni atë shprehjen e njohur franceze: ‘Du pain, du vin, du Boursin’ – Buka, vera dhe burësa (lloj djathi). /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment