Në finale nuk lejohen gabime

02.12.2018 (komentet: 0)

Nëse është e aftë dhe e kujdesshme, pala kosovare në finalen e bisedave qëndron më mirë se pala serbe. Mbi të gjitha, për faktin se ne nga Serbia nuk kërkojmë asgjë, derisa pala serbe po pret ndonjë përfitim përtej “Planit të Ahtisaarit”.

 

 

Ka goxha indikacione dhe paralajmërime se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve të ndërsjella po i ofrohet finales. Arsyet janë disa: është zgjatur goxha shumë pa rezultate esenciale; Brukseli si lehtësues i dialogut është lodhur; Serbia ka nevojë të dalë nga rrethi vicioz i vetëmashtrimit lidhur me Kosovën dhe po nxiton në agjendën evropiane; Kosova ka nevojë t’u kthehet detyrave të konsolidimit të brendshëm të shtetit.

 

Nëse është e aftë dhe e kujdesshme, pala kosovare në finalen e bisedave qëndron më mirë se pala serbe. Mbi të gjitha, për faktin se ne nga Serbia nuk kërkojmë asgjë, derisa pala serbe po pret ndonjë përfitim përtej “Planit të Ahtisaarit”. Presidenti i Serbisë, A.Vuçiq, ndonëse lidhur me Kosovën nuk dallon aspak prej nacionalistëve të tjerë serbë, sipas detyrës që ka, po përpiqet që opinionin serb ta ballafaqojë me realitetin lidhur me Kosovën. Ai haptazi thotë se shtetet perëndimore, posaçërisht SHBA-ja Kosovën si shtet të pavarur e marrin si punë të kryer.

Ndryshim të kufijve nuk ka. Duke u nisur nga kjo, ai krejt synimin e ka përqendruar në një “kompromis ku nuk mundet njëra palë (Kosova) të përfitojë krejt, e njëra (Serbia) asgjë”. Duket se e ka marrë si detyrë të veten historike që storien e Kosovës disi ta përmbyllë. Me sa duket, pala serbe i ka përcaktuar synimet e veta që do t’i realizojë në formë të një kompromisi. Synimi strategjik është që serbët e Kosovës etnikisht, institucionalisht dhe territorialisht t’i organizojë në mënyrë që sa më shumë të jenë të varur nga Serbia e sa më pak nga Kosova.

Në këtë mënyrë Serbia, serbët e Kosovës synon t’i instrumentalizojë për përzierje të përhershme në punët e brendshme të Kosovës dhe pushteti t’i thotë popullit “Ja, Serbia është në Kosovë!”. Përveç kësaj, qëllimi afatgjatë i Serbisë është që Kosova të jetë një shtet jofunksional dhe i ndarë mbi baza etnike. Në rrafshin operacional-institucional këtë synim Serbia do ta realizojë përmes komunave me shumicë serbe, përmes “Lista Srpska” në Parlament të Kosovës dhe disa vende në Qeveri, e sidomos përmes Asociacionit (Bashkësisë) së komunave me shumicë serbe. Nga kjo arsye, në retorikën e zyrtarëve serbë Asociacioni shtohet si “alfa e omega”, si “çështje e të gjitha çështjeve” në raportet Kosovë-Serbi.

Beogradi synon që “Lista Srpska” të bëhet si institucion- instrument i Beogradit ashtu që kurrë në Kosovë të mos ketë ndonjë alternativë tjetër apo lista ose kandidat të pavarur nga komuniteti serb. Serbia Bashkësinë (Asociacionin) e komunave serbe e sheh si formë kulmore të organizimit të veçantë dhe si një lloj “Qeverie” të serbëve të Kosovës, e cila me Beogradin do të ketë lidhje në ngushta funksionale, ndërsa përbrenda sistemit juridik të Kosovës vetëm lidhje formale sa për përfitime financiare e tjera që u takojnë komunave dhe qytetarëve të Kosovës.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës dhe ministrat në Qeverinë e Kosovës do të jenë aty si instrument dhe zbatues të politikës dhe direktivave të Beogradit ndaj Kosovës. Cili duhet të jetë qëndrimi, apo vija e fundit e pozitës kosovare?

1. Kosova është shtet i pavarur e sovran në kufijtë dhe territorin që e ka. Këta kufij ishin në kohën e autonomisë në Jugosllavi, i ka pranuar Rezoluta 1244 e KS të KB-së, “Plani i Ahtisaarit”, Deklarata e shpalljes së Kosovës shtet të pavarur e sovran e datës 17 shkurt 2008 dhe Kushtetuta. Legjitimitetin dhe legalitetin e shtetit të Kosovës nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare e ka vërtetuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2010, duke u përgjigjur në kërkesën e Serbisë, kur kjo Gjykatë ka vlerësuar decidivisht: “Deklarata për shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të KB-së“;

2. Kosova u garanton bashkësive etnike, pra edhe serbëve të gjitha të drejtat me standarde më të larta evropiane, të përcaktuara edhe me “Planin e Ahtisaarit” dhe Kushtetutën e Kosovës;

3. Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, gjithnjë duke respektuar rendin kushtetues dhe sovranitetin e shtetit;

4. Bashkësia (Asociacioni) i komunave me shumicë serbe do të formohet mbi baza të Kushtetutës së Kosovë dhe të pikave specifike nga Marrëveshja e Brukselit si formë shtesë e bashkëpunimit të këtyre komunave lidhur me çështje specifike për interes të tyre. Kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe punët operative lidhur me formimin e Asociacionit do t’i kryejnë organet e caktuara të Kosovës në bashkëpunim me komunat me shumicë serbe. Duhet të përcaktohet forma e auditimit të funksionimit të këtij Asociacioni, ashtu që aktiviteti i saj mos t’i tejkalojë kornizat kushtetuese;

5. Kosova dhe Serbia respektojnë sovranitetin e njëra-tjetrës, kufijtë dhe territorin dhe nuk kanë pretendime territoriale njëra ndaj tjetrës;

6. Kosova synon anëtarësimin në organizatat dhe agjencitë ndërkombëtare, ndërsa Serbia obligohet që të përmbahet nga kundërshtimet drejt këtij synimi të Kosovës. Të dyja shtetet vlerësojnë se anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë do ta shtojë dhe forcojë bashkëpunimin dhe mirëbesimin bilateral dhe ndërkombëtar në mes tyre;

7. Kosova dhe Serbia bashkë do ta vlerësojnë kohën dhe kushtet e njohjes reciproke, dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Pastaj, dialogu për çështje me interes të përbashkët do të transferohet në binare normale të marrëdhënieve bilaterale. Ngjashëm si bashkëpunojnë dhe i zgjidhin problemet bilaterale shtetet e tjera të dala nga ish-Jugosllavia. ** * Këto do të ishin elementet kryesore të një marrëveshjeje esenciale për normalizimin e marrëdhënieve reciproke në mes të Serbisë dhe Kosovës. Ajo që qarkullon në Bruksel dhe te faktorët e tjerë ndërkombëtarë si ide për një “Marrëveshje obligative juridike” në mes të Kosovës dhe Serbisë, tani për tani është një ide. Johanes Hahn me një rast tha se ideja në fakt “është një letër e bardhë” dhe ajo duhet të mbushet me përmbajtje. Nga Brukseli nuk duhet pritur shumë ngase edhe ashtu BE-ja e ka definuar pozicionin e vet si “Lehtësues në dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes Serbisë e Kosovës”. Pushteti i Serbisë qëllimisht është i përqendruar kinse në “Zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Kinse kjo çështje “nuk është e zgjidhur” derisa të mos pranohen idetë e Serbisë ngase kjo qenka e thirrur për ta “zgjidhur çështjen e Kosovës”. Pretendimet e tilla të Serbisë gjithnjë duhet kundërshtuar me vlerësimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legjitimitetin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, të cilat vetë Serbia i ka kërkuar dhe tani i injoron si asgjë. Statusi i Kosovës është i zgjidhur definitivisht. Tani bëhet fjalë për normalizim të raporteve në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

*****
(boss)

Burimi: https://www.koha.net/veshtr…/…/ne-finale-nuk-lejohen-gabime/

Kthehu mbrapa

Shto koment