LIGJI I PAGAVE APO LIGJI I FALIMENTIMIT TË EKONOMISË SË VENDIT

02.02.2019 (komentet: 0)

 

Është fakt I pamohueshëm që në administratën publike në Kosovë kemi kaos në sistemin e pagave dhe që draftimi dhe miratimi i një ligji për pagat ka qenë imperativ. Në Kosovë kemi shumë dallime në paga jo vetëm për punë ekuivalente por në institucione të ndryshme, jo vetëm mes administratës publike në njërën anë dhe agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike në anën tjetër, por ajo që është më problematike, sistemi ekzistues i pagave nuk ofron përgjigje për diferencat që do duhej të ekzistonin për të adresuar dallimet në nivel të shkollimit; dallimet në nivel të përgjegjësisë në detyrë; dallimet në nivel të rrezikshmërisë; dallimet në përvojë pune; e as dallimet në prioritet shoqëror për sektorë të caktuar. E të gjitha këto është dashur dhe kemi mundur t’i zgjidhim përmes këtij ligji që kemi sot para nesh.

 

Besnik Bislimi

Por çfarë kemi zgjedhur ne. Në vend se të reduktojmë anomalitë e lartëpërmendura, kjo qeveri, e cila tash nuk po dihet a ka shef Haradinajn apo Veselin, po ndjek rrugën e kundërt, Mazhoranca e votoi sot një ligj që krijon shumë më tepër kaos se sa mungesa e deritanishme e tij. Kemi tash një ligj i cili në vend të përpjekjeve për eliminim të anomalive, ka promovuar luftën e pakuptimtë për pozicionim brenda saj të grupeve të caktuara të të punësuarve, gjithnjë në kurriz të grupeve tjera, në kurriz të stabilitetit buxhetor dhe sidomos në kurriz të qytetarëve, ku mbi 30% e tyre janë të papunë. Në vend të përdorimit të ligjit për të krijuar stabilitet në sektorin publik, kjo qeveri ka avancuar atë në një garë të vazhdueshme se kush merr më shumë nga shteti. Dhe duhet të cekim se burimi i gjithë kësaj identifikohet shumë lehtë. Është fillimisht pangopësia e kastës së politikanëve që i ngriti pagën vetes për 100% që në start të mandatit të vetë qeverisës. Dhe tanimë është pafuqia komplete e qeverisë për të qëndruar në këmbë, pafuqësi e nuhatur dhe keqpërdorur deri në skaj si nga vetë partnerë të brendshëm të koalicionit ashtu edhe nga sektorë të tjerë të administratës publike.

Pas votimit të ligjit për pagat në sektorin publik, të jeni të sigurtë se vetëm do i shumëfishojmë krizat në sektorin publik. Të harrojmë për një moment krizën buxhetore dhe degradimin e buzhetit që do e shkaktojmë duke nxjerrë jashtë kontrollit shpenzimet për paga dhe shërbime. Pakënaqësitë nuk do pushojnë deri në momentin kur secili grup i të punësuarve në sektorin publik të mos jetë i pozicionuar si më herët, por tani në një nivel dukshëm më të lartë të pagave.

Humbja totale e kontrollit nga ana e qeverisë, dhe largimi nga vizioni fillestar dhe objektivi i ligjit, na ka sjellur në një situate ku qeveria në mënyrë selektive është përpjekur të korruptojë të punësuarit në sektorin publik për të blerë paqen sociale sot me koston e një krize të pashmangshme në të ardhmen e afërt.

Duke premtuar rritje pagash në mënyrë të pakontrolluar, por duke thënë njëkohësisht se kjo rritje do të materializohet pas 6 apo 7 muajsh, në fakt qeveria është duke e pranuar se premtimet janë pa mbulesë dhe njëkohësisht është duke llogaritur me një siguri të madhe se nuk do jetë në pushtet në momentin kur do duhej të fillonte pagesa me rritje e pagave. Nëse pagat u dashkan të rriten që nga shtatori, atëherë pse u desh që të votohet sot. E vetmja përgjigje e mundshme, është frika se po i afrohemi zgjedhjeve, dhe vendosja e këtij ligji në funksion të manipulimit të votuesve. Si dhe njëkohësisht programimi i problemeve në të ardhmen e afërt kur qeveria e re të konstatojë se këto premtime janë të pambulueshme.

Sponzorizuesit e këtij kaosi, e që në masë të madhe në fakt janë ata që po e shantazhojnë aprovimin e buxhetit me miratimin e këtij ligji, nëse kanë minimumin e njohurisë ekonomike, do duhej të dinin këtë. Krijimi i pritshmërive për rritje thelbësore të pagave pas 6 apo 7 muajve, ka ndikim të menjëhershëm në treg duke rritur kërkesat për blerje. Ky efekt me siguri shumë të madhe do të prodhojë inflacion më të lartë duke gërryer kështu jo vetëm rritjen e planifikuar të të ardhurave, por edhe duke dëmtuar ndieshëm fuqinë blerëse dhe mirëqenien e dhjetëra mijëra punëtorëve të sektorit privat, pagat e të cilëve nuk janë prekur. Dhe me shumë siguri, duke zhytur edhe më shumë në varfëri përfituesit e skemave sociale dhe atyre që mbulohen nga pensioni bazik I shtyllës së parë.

Duke e aprovuar këtë ligj, veq pse dikujt i është ofruar mundësia ta shantazhojë koalicionin qeverisës, i bie që ne me një vendim të vetëm e kemi rritur mesataren e pagave në sektorin publik në Kosovë ne afërsisht 680 euro që del tanimë 60% më lartë se pagat në sektorin privat.
A janë të vetëdijshëm kokat e qeverisë dhe të shantazhuesve për goditjen që ia dhanë sot sektorit privat dhe aftësisë së saj konkurruese?
A janë të vetëdijshëm se si do i ndikojë kjo preferencat e punëtorëve për t’u puënsuar në sektorin privat?
A janë të vetëdijshëm se si e shkatërron kjo edhe minimumin e përpjekjeve për uljen e pabarazisë së madhe në shoqëri?
A e dinë socialdemokratët shantazhues që barazia promovohet duke zvogëluar dallimet në të ardhura Brenda vendit e jo duke barazuar pagat e sektorit public në shtetin më të varfër me kolegët e tyre nga vendet e Bashkimit Evropian. Pas aprovimit të ligjit, vetë kryetari I kuvendit, Veseli, I cili e tregoi gjithë njohurinë e tij ekonomike duke propozuar rritje të koeficientit të profesorëve për 0.1%, doli dhe u mburrë duke krahasuar pagat e sektorit publik në Kosovë me ato të BE-së, madje duke e quajtur këtë edhe si reformë të administratës publike në vend.
A janë të vetëdijshëm shantazhuesit socialdemokrat, që për ta pasuruar veten po e bëjnë pagën mesatare në sektorin publik sa dhjetëfishi i pensionit bazë?
A janë këta shantazhuesit e njëjtë që po flasin për reformim të sistemit pensional në vend?

Ata të cilët po e bëjnë këtë shantazh duke ua shitur qytetarëve të njejtin si strategji socialdemokrate për të avancuar interesat e qytetarëve, le të tregojnë se sa kanë investuar në draftimin dhe përmirësimin e këtij ligji. Le të tregojnë se a kanë shpenzuar një minutë të vetme në komisionin për administratë publike gjatë 10 ditëve punë, kur komisioni, kryesisht me angazhim të opozitës, LV dhe LDK është përpjekur që sadopak të mënjanojë deficitet e panumërta në ligj. Angazhimi për qytetarë nuk nënkupton pazar dhe shantazh por punë. E si duket shantazhuesit socialdemokat për këtë arsye edhe kanë dalë nga VV. Kanë dalë se kanë preferuar pazarin e jo punën.

Kthehu mbrapa

Shto koment