Erërat e forta lënë pa rrymë shumë vende në Kosovë

11.01.2015 (komentet: 0)

Rrjeti i dobët i shpërndarjes së energjisë, ka bërë që erërat e forta dhe reshjet që nisën sot natën vonë, të lënë pa rrymë shumë vende në Kosovë.

Këto erëra kanë sjellë telashe më së shumti në qytetin dhe në fshatrat e Komunës së Istogut.

Një banor i këtij qyteti i ka thënë KosovaPressit se Istogu bashkë me shumë fshatra në këto momente janë pa energji elektrike.

Për këtë është në dijeni edhe KEDS-i, por që me vështirësi janë duke përmirësuar gjendjen në terren.

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, thotë për KosovaPress se rrjeti i shpërndarjes së energjisë është i dobët dhe nuk po mund t’i përballojë këtyre erërave shumë të mëdha.

“Edhe sikur të jetë rrjeti më i mirë nuk mund t’i bëjë ballë presionit”, ka thënë Shkodra.

Ai tregon se KEDS tashmë ka angazhuar të gjitha ekipet në terren dhe së po mundohet të evitoj dëmet dhe të rikthejë energjinë, dhe se kanë angazhuar edhe ekipe shtesë.

Përpos Istogut, dëme janë krijuar edhe në kryeqytet. Guri Shkodra thotë se vetëm në Prishtinë janë dëmtuar 24 dalje.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment