Haziri, është koha që përfundimisht të zbardhen të gjitha vrasjet politike

03.11.2017 (komentet: 0)

  • Tani është koha që njerëzit si Haki Imeri dhe dhjetëra bashkëveprimtarë të tij, jo vetëm ti përkujtojmë e t’u japim vendin e merituar në historinë tonë më të re, por që përfundimisht të zbardhen të gjitha çështjet që lidhen me vrasjen e tyre.

 

Lutfi Haziri

Shumë e nderuar Familje Imeri,

Të nderuar bashkëveprimtarë, kolegë, miq të Haki Imerit,

Të nderuar të pranishëm.

 

Rruga e Kosovës drejt lirisë dhe proceset shtetndërtuese drejt pavarësisë dhe demokracisë na shoqëruan me dhimbje dhe humbje të njerëzve më meritor.

Republika e Kosovës sot është rezultat i kontributit të jashtëzakonshëm dhe i sakrificave sublime të njerëzve të saj të mëdhenj.

E në këtë plejadë të burrave dhe grave që bartën mbi supe procesin e çlirimit dhe bërjes së shtetit, Haki Imeri zë një vend qendror.

 

Të nderuar miq,

 

Haki Imeri është një prej figurave më të kompletuara dhe një ndër përfaqësuesit më dinjitoz të Drenicës në lëvizjen gjithëkombëtare për liri dhe pavarësi të vendit gjatë tërë viteve ‘90.

Nga një shfletim i shpejtë i biografisë së Hakiut, vjen në shprehje një personalitet i jashtëzakonshëm.

Haki Imeri ishte një intelektual, njohës i disa gjuhëve të huaja, ishte anëtar i Këshillit themelues të Degës së LDK-së në Skenderaj, mësimdhënës i devotshëm, përkthyes i poezive dhe librave nga gjuhët e huaja, aktivist i spikatur politik dhe kombëtar, pjesëmarrës i aksionit të pajtimin e gjaqeve, ndër shtyllat kryesore të mbarëvajtjes së arsimit shqip në Komunën e Skënderajt, ndër njerëzit që formuan shtabin komunal të Ministrisë së Mbrojtjes duke filluar kështu fillimin e përgatitjeve të një mbrojtje të armatosur nga okupatori serb.

Dhe në fund, ishte edhe luftëtar dhe pjesëmarrës në betejat kryesore të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Ai ishte një njeri me taban patriotik, pasi që rrjedh nga një familje, pjesëtarët e të cilës luftuan krah për krahë me Azem Bejtën.

E si mund të mos ndihemi krenar që patëm një njeri i cili gjatë aktivitet të tij arriti të jetë njeri i arsimit, njeri i kulturës, njeri i luftës, veprimtar i dalluar politik, atdhetar i jashtëzakonshëm, kontribuues i veçantë i luftës çlirimtare?

Andaj, me tërë bindje e them se Haki Imeri ishte dhe mbetet një prej simboleve të lëvizjes kombëtare që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Republika e Kosovës sot, është një shtet i lirë dhe i pavarur, me perspektivë zhvillimore  e integruese, përkundër vështirësive momentale me të cilat ballafaqohet.

Kosova sot ka kaluar fazat fillestare të shtetndërtimit, periudhë gjatë të cilës, për hir të proceseve të mëdha, të gjithë njerëzit e vetëdijshëm, familjarët dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka sakrifikuar nga vetja në mënyrë që shteti të ecë përpara.

Por, tani është koha që njerëzit si Haki Imeri dhe dhjetëra bashkëveprimtarë të tij, jo vetëm ti përkujtojmë e t’u japim vendin e merituar në historinë tonë më të re, por që përfundimisht të zbardhen të gjitha çështjet që lidhen me vrasjen e tyre.

LDK-ja, gjatë dhe pas luftës ka humbur nga gjiri i saj, në rrethana të ndryshme figura të jashtëzakonshme.

E Haki Imeri është një prej atyre burrave të cilët dhanë gjithçka nga vetja  për këtë shtet e ne ende nuk kemi bërë aq sa duhet për ta.

Shumë e nderuar Familje Imeri,

Humbja e Haki Imerit është e pakompensueshme për ju edhe pas kaq shumë vitesh.

Por, mungesën e Haki Imerit e ndien krejt Drenica dhe krejt Kosova.

Kosova dhe Drenica sot do të ishte më e fortë në të gjitha drejtimet nëse do të kishte kontributin dhe potencialin e shumanshëm të Haki Imerit dhe bashkëveprimtarëve të tjerë të tij të asaj kohe, të cilët nuk janë më në mesin tonë.

Andaj, ne së bashku, duhet të jemi krenar që e patëm një figurë të tillë të cilën do ta përkujtojmë për jetë e mot.

Të dashur të pranishëm,

Është gjithmonë vështirë të gjesh fjalët e duhura për të përshkruar personalitete që dhanë jetën duke punuar pa lirinë e vendit, pasi që çdo fjalë është e vogël karshi kontributit të tyre.

Aq më shumë kur bëhet fjalë për personalitet me kontribut në shumë dimensione dhe fusha të jetës siç ishte Haki Imeri.

Por, unë në emër të LDK-së, të bashkëpunëtorëve dhe miqve të panumërt të Haki Imerit në LDK e në tërë Kosovën mund t’ju them se koha po e dëshmon në vazhdimësi sa i madh, sa i nderuar dhe sa shumë dha për Atdheun Haki Imeri dhe shumë bashkëveprimtarë  të tij, disa prej të cilëve u vranë në rrethana ende të pasqaruara, si kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, e shumë të tjerë deri tek gazetari Bardhyl Ajeti.

Por, Askush nuk mund të vrasë kontributin e tyre. Janë brezat të tërë të njerëzve që morën mësimet e para nga Hakiu. Janë të panumërta lexuesit e krijimtarisë dhe përkthimeve, të tij. Krejt Drenica e më gjerë e din veprimtarinë politike e kombëtare të Hakiut para dhe gjatë luftës.

E tërë këto vepra nuk mund të harrohen as nga brezat e tjerë të cilët do të ndërtojnë të ardhmen duke pasur referenca të tilla kombëtare e njerëzore, të cilat i ngërthen në vete figura e Haki Imerit.

Haki Imeri dha gjithçka nga vetja për shtetin e Kosovës, ndërsa institucionet e saj tash e kanë për obligimi kushtetues, ligjor e moral që të zbardhin në tërësi vrasjen e tij dhe të bashkëveprimtarëve të tij.

Ndërsa populli i Kosovës tashmë i është mirënjohës për kontributin e pazëvendësueshëm për arritjen e Lirisë dhe Pavarësimin e vendit.

Lavdi jetës dhe veprës kombëtare të Haki Imerit!

Zoti e Bekoftë Haki Imerin dhe Familjen e tij!

Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës, për të cilën dha aq shumë Haki Imeri!

 

Ps. Fjalimi i Lutfi Hazirit mbajtur në Akademinë përkujtimore për heroin Haki Imeri.

Kthehu mbrapa

Shto koment