Mesazhi i protestës - Lugina është Kosovë e Kosova është Shqipëri

17.01.2013 (komentet: 0)

Gjilan – Protesta në mbrojtje të Kosovës Lindore e organizuar nga Klubi Politik i Studentëve, ”Këshilli i Nxënësve të Shkollave të Mesme të Gjilanit", Shoqata “Vatra”, “Intelektualët”, “Skifterat”, “Tifozat Kuq e Zi”, Këshilli i Fakultetit të Edukimit, dhe ai Ekonomik dhe Juridik në Gjilan u marshua nga kompleksi i shkollave të mesme derisa u dha mesazhi se Lugina është Kosovë dhe Kosova është Shqipëri.

Protesta ose marshi ka nisur nga kompleksi i shkollave të mesme për të vazhduar në qendër të qytetit para teatrit të Gjilanit. Në emër të Këshillit Organizativ ka folur Fitim Salihu i cili tha se lufta e UÇMPB-së është e shenjtë për secilin qytetarë dhe bashkë me të edhe të gjitha përmendoret, lapidaret e shenjta të tjera, që na e kujtojnë gjakun e dëshmorëve që dhanë jetën për lirin e truallit shqiptarë.

“Tërë Gjilani, sot nëpërmjet rinisë dhe gjithë qytetarëve të tij, ndërmerr këtë marsh protestues paqësor për të treguar se sikur gjatë gjithë historisë , vëllezërit tanë në Luginë e kanë krahun e fortë, sepse ne jemi me ata, sepse Lugina është Kosovës, Kosova është Shqipëri”, ka thënë Salihu.

Salihu tha se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë popull autokton që si rrjedhojë e vendimeve të padrejta të politikës ndërkombëtare e të fillimit të shekullit të XX-të sot vuajnë nën kërcënimin e shantazhin e vazhdueshëm shtetëror të Beogradit zyrtar që është thjeshtë një shtet pushtues në tokat shqiptare.

Salihu tha se Kosova Lindore si pjesë e Kosovës dhe të dyja së bashku si pjesë e Shqipërisë natyrale do të mbrohen me të gjitha mjetet dhe mënyrat.

Ndërsa Kushtrim Kadriu nga Shoqata “Vatra” ka thënë se i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të ndërrojnë strategjinë e politikës kombëtare dhe të dalin hapur në mbrojtje të qytetarëve të tyre në Kosovën Lindore.

Ai po ashtu tha se u bëjnë thirrje edhe Brukselit që çështja e Kosovës Lindore të futet në bisedime Kosovë – Serbi si problem i pazgjidhur sepse problemi shqiptar në Kosovën Lindore kurrë nuk zgjidhet gjersa këto tri komuna shqiptare të jenë të pushtuara nga Serbia./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment