Kalimi i Çekut në PDK, zemëron AKR-në

17.01.2013 (komentet: 0)

Aleanca për Kosovë të Re, si udhëheqëse e Koalicionit për Kosovë të Re, kalimin e Ministrit të Forcës se Sigurisë se Kosovës, njëherit kryetarit të Partisë Social Demokrate, Agim Çeku në Partinë Demokratike të Kosovës, e ka quajtur si zhvillim negativ për mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.

 

Kalimi i Çekut në PDK, zemëron AKR-në

Kalimi i Çekut në PDK, zemëron AKR-në

 

 

“AKR e vlerëson këtë zhvillim si një zhvillim shumë negativ për mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës dhe punën e përbashkët. Dëshirojmë të theksojmë se Koalicioni për Kosovë të Re, gjegjësisht ministrat e këtij koalicioni, prej fillimit të mandatit, gjithmonë kanë kontribuar dhe janë përkushtuar maksimalisht duke e koordinuar punën me partnerin e madh të koalicionit”, thuhet në një reagim të AKR-së.

Kjo lëvizje e Çekut, sipas AKR-së, vetëm e tregon dobësinë që partneri udhëheqës i koalicionit, gjegjësisht Partia Demokratike e Kosovës, ka shfaqë ndaj partnerëve të tjerë në koalicion.

“Dëshirojmë t’ia rikujtojmë opinionit të gjerë se ministri Çeku është në pozitën aktuale si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar midis Partisë Demokratike të Kosovës dhe Koalicionit për Kosovë të Re. Rrjedhimisht kalimi i tij prej KKR-së në PDK krijon hapësirën për ministrinë që z. Çeku për momentin e drejton”, thuhet më tej në reagim.

Sipas AKR-së, individët janë të lirë të ndërrojnë subjektet politike, por ekzistojnë rregulla për zbatimin e marrëveshjes së koalicionit në mes të partnereve.

“Lëvizja e fundit politike, do të shtyjë Koalicionin për Kosovë të Re dhe në veçanti Aleancën Kosova e Re të rishikoj tërë marrëveshjen dhe pozicionin e saj në kuadër të koalicionit qeverisës”, theksohet në fund të këtij reagimi. /Zëri/

* * *

Agim Çeku zyrtarizon kalimin në PDK

Kryetari i PSD-së Agim Çeku, në mbledhjen e sotme të kryesisë së kësaj partie, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet dhe anëtarësimi në PSD, pasi që, siç theksohet në një njoftim të kësaj partie, “ka vendosur të kalojë në PDK”.

“Kryesia e PSD-së, edhe pse e befasuar me vendimin kryetarit të deritashëm, e pranoi dorëheqjen e Agim Çekut duke i dëshiruar sukses në punën e tij të mëtutjeshme”, theksohet në komunikatë.

“Së shpejti pritet te mbledhja e Këshillit Drejtues të PSD i cili, sipas statutit do të zgjedh kryetarin e ri. Mbledhja e Këshillit Drejtues të PSD-së do të thirret së shpejti”, përfundon komunikata e PSD-së. /Zëri/

Kthehu mbrapa

Shto koment