Ibishi: Do ta kundërshtojmë Dacicin, mund të ketë viktima

15.01.2013 (komentet: 0)

Ish-komandanti i brigadës së UÇPMB-së që ka vepruar në rajonin e Preshevës, Lulzim Ibishi, druan se do të ketë të arrestuar dhe viktima, në rast të intervenimit të dhunshëm të autoriteteve serbe të sigurisë për të hequr lapidarin e Dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë.

 

 

Në një prononcim për Telegrafin, Ibishi ka thënë se çështja e lapidarit në fillim është përdorur për marketing të brendshëm politik në Serbi, por ndërkohë kryeministri serb Ivica Dacic dhe presidenti Tomislav Nikolic kanë dhënë deklarata ‘rrahagjokse’, duke mos mundur më të tërhiqen prapa.

Ibishi mendon se liderët serbë ndoshta do të donin ta shuanin këtë problematikë, por tash nuk munden, sepse me këtë çështje janë duke u marrë mediat më presitigjioze dhe diplomatët e huaj.

“Por, e mira në këtë situatë është se edhe liderët institucionalë e politikë të shqiptarëve, shoqatat e ish-luftëtarëve edhe qytetarët janë më të bashkuar se kurrë më parë për të kundërshtuar heqjen e përmendores. Prandaj, në rast të intervenimit të dhunshëm, sigurisht se do të ketë kundërpërgjigje të fortë nga shqiptarët. E, në këtë rast, viktimat nuk përjashtohen”, ka thënë Ibishi për Telegrafin.

Duke komentuar spekulimet në mediat serbe se ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli është duke u dhënë instruksione shqiptarëve në këtë rajon, Ibishi ka deklaruar se kjo është në vazhdën e deklaratave propagandistike.

“Sa herë që autoritetet e sigurisë kanë lënduar ndonjë shqiptar, gjithmonë janë shfajësuar se kjo është bërë rastësisht. Ndërsa, nëse janë sulmuar ndonjëherë organet shtetërore, gjithmonë janë akuzuar liderët e Kosovës. Edhe në këtë rast, unë mendoj se Veseli as që ka qenë në dijeni kur është vendosur lapidari. Por, tash kjo çështje instrumentalizohet”, ka thënë Ibishi. /Telegrafi/ 

Kthehu mbrapa

Shto koment