Refuzohet kërkesa e Vetëvendosjes

14.01.2013 (komentet: 0)

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes kërkoi që Kuvendi i Kosovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme para bisedimeve që do të zhvillohen me 17 janar mes Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa është refuzuar pasi nuk ka qenë e protokolluar. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga PDK-ja, Xhavit Haliti pranon se çështja e veriut është problem më i madh i Kosovës, por zgjidhja e këtij problemi është brenda pakos së Ahtisaarit.

 

Opozita në Kosovë vazhdon të shpreh shqetësimin e saj lidhur me temat që do të bisedohen në mes kryeministrit Thaçi dhe atij serb Daçiq. Për këtë arsye deputetë të Vetëvendosjes kërkuan sot nga Kryesia e e Kuvendit që të caktojë nëj seancë të jashtëzakonshme para 17 janarit. Një kërkesë e tillë nuk ka gjetur mbështetje pasi nuk i ka pasur 40 nënshkrimet e nevojshme të deputetëve.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri e vlerëson më se të nevojshme këtë seancë pasi priten ndryshime substanciale në këtë dialog.

“Kërkesa nuk mendoj se është e vonuar, pasi jemi duke folur për një çështje shumë urgjente dhe si të tillë duhet ta trajtojë Kuvendi. Kemi një lëvizje në Serbi dhe poashtu kjo pranueshmëri që po i bën Qeveria e Kosovës për të biseduar për veriun. Pra do të ketë kompromise të reja sa i përket kësaj çështje dhe kjo konsiderojmë se bien edhe më Kushtetutën e Kosovës, por edhe me rezolutën e Kuvendit”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se Prishtina e Beogradi duhet të zhvillojnë bisedimet për shpërbërjen e strukturave paralele në veri.

“Ky presion do të duhej ti bëhej Beogradit edhe në takimin i cili do të mbahet dhe asgjë më tepër përtej kësaj, dhe do të ishte kundër interesave të vendit. Këtë mandat nuk e ka as Thaçi ta negociojë këtë çështje, ose çështjet që prekin sovranitetin e vendit”, theksoi ai.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga PDK-ja, Xhavit Haliti tha se problemi më i madh i Kosovës është çështja e veriut të vendit, por Kosova e ka planin e Ahtisaarit të cilit duhet ti përmbahemi.

“Ne e kemi një agjendë tonën kemi qëndrimet tona, të miratuara në parlamentin e Kosovës dhe kemi një autorizim që ia kemi dhënë Thaçit dhe Qeverisë së Kosovës dhe unë besoj se gjithçka është në rregull duke e pasur parasysh se më shumë bisedime të BE-së dhe SHBA-ve me të dyja palët se sa që janë të mundshme marrëveshjet shtesë në mes të dy shteteve”, tha ai.

Seanca e parë e sesionit pranveror të Kuvendit do të mbahet të hënën e parë të javës së tretë të janarit.

Kthehu mbrapa

Shto koment