Haziri : Thaçi nuk mund të emërojë institucione arsimore

14.01.2013 (komentet: 0)

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri tha për Rajonipress se Hashim Thaçi nuk ka të drejtë të emërojë institucione arsimore sepse është shkelje e ligjit.

 

Propozimi dhe “premtimi” i Hashim Thaçit për hapjen e Universitetit Publik në Gjilan dhe emërimi i tij me emrin e Kadri Zekës ka ngjallur reagime në taborin opozitar në Gjilan. Në fakt ky propozim ka ngjallur reagime edhe tek intelektualët dhe profesorët eminent gjilanas.

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës Lutfi Haziri tha për Rajonipress se Hashim Thaçi nuk ka të drejtë të emërojë institucione arsimore sepse është shkelje e ligjit.

Haziri duke iu referuar premtimit të Hashim Thaçit se Universiteti i Gjilanit do të quhet Kadri Zeka tha se nuk është e drejtë e kryeministrit të emërojë institucione arsimore.

“Është shkelje e ligjit si dhe emërimi para vetë themelimit të Universitetit është paragjykues dhe ideologjik. Duhet të pyetet elita arsimore e Gjilanit për emrin e Universitetit të Gjilanit”, tha Haziri.

Kurse Arben Mehmeti shef i grupit të LDK-së në Asamblenë Komunale është më i drejtpërdrejtë.

“Do të dëshironim që viti 2013, të jetë vit i realizimit të premtimit publik nga qeveria për Universitetin Publik të Gjilanit i cili do të duhej të emërtohej me emrin e personalitetit që i ka bërë nderë shekullor Gjilanit dhe rajonit të Anamoravës në fushën e arsimit prof. Dr. Xhavit Ahmeti, i cili në këtë fushë është i pa konkurrencë në këtë pjesë, nëse emërtimi bazohet në kritere reale dhe shkencore”, tha Mehmeti. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment