Thaçi: Nuk keni me mund me punua sa do t’ju ndihmojmë ne

13.01.2013 (komentet: 0)

Ka nisur punën Kuvendi i IV-të zgjedhor i PDK-së së Gjilanit, punimet e të cilit Kuvend i ka përshëndetur edhe kreu i i këtij subjekti politik Hashim Thaçi, i cili është shprehur i bindur se strukturat që do të dalin nga ky Kuvend do ta fuqizojnë edhe më tepër PDK-në e Gjilanit.



Përndryshe,  Thaçi që njëherësh është edhe kryeministër i vendit u ka premtuar delegatëve  të PDK-së të këtij Kuvendi se Gjilani do ta ketë vëmendjen e plotë të qeverisë në të ardhmen dhe ata nuk do të mund të punojnë sa do të ketë mundësi qeveria të ndihmojë.

Premtimeve të tilla se Gjilanit do t’i japin aq shumë buxhet sa që nuk do të mund ta harxhojë i kanë duartrokit të pranishmit, ndonëse deri më tani nuk kanë munguar kritikat në adresë të qeverisë, se Gjilani është anashkaluar sa i përket investimeve Këto kritika përveç që kanë ardhur, deri më sot, nga qytetarët, opozita e shoqëria civile, ato nuk kanë munguar as nga vetë njerëzit e PDK-së, partisë në pushtet,  partisë të vet Hashim Thaçit.

Por, ky nuk ka qenë i vetmi premtim  i kryeministrit të vendit Hashim Thaçit, pasi ai ka premtuar se Gjilani këtë vit do ta ketë edhe Universitetin, për më tepër doli se ai më tani ka edhe emër.

Sipas kryeministrit Thaçi, Universiteti Publik i Gjilanit do të bëhet realitet këtë vit, bile  përmendi edhe emrin, që sipas  të parit të PDK-së, Universiteti do të pagëzohet “Kadri Zeka”. 

Përndryshe, lideri i PDK-së, duke rikujtuar rritjet e pagave për shumë kategori që është bërë përgjatë qeverisjes së PDK-së, ka thënë edhe se ato do të arrijnë në nivel të pagave me Bashkimin Evropian e në planin kombëtar tha se Kosova do të jetë gardiane e të gjithë shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke përmendur ata në Maqedoni e  Luginë... dhe se sipas tij do ta respektojë vullnetin e tyre.

Ndërsa, duke folur për zgjedhjet e brendshme partiake, Thaçi ka lavdëruar Gjilani për procesin e deritanishëm zgjedhor duke thënë se ka  kaluar në frymën e konkurrencës së mirëfilltë dhe të vlerave që janë kudo në PDK anembanë vendit, duke dëshmuar kështu që ky subjekt është më i i organizuari dhe të cilës po i besojnë pjesa dërmuese e qytetarëve.

Sipas Thaçit, shteti i Kosovës po forcohet e po konsolidohet dhe se do të ketë lëvizje pozitive edhe në të ardhmen. Thaçi ka thënë se në PDK janë tejkaluar kornizat e ngushta partiake dhe se në këtë subjekt politik është bërë bashkimi i të gjitha gjeneratave.

Ndërsa, Basri Musmurati, koordinator i zgjedhjeve në PDK ka folur për rrjedhën e gjertanishme të zgjedhjeve në këtë subjekt politik duke thënë se ato janë zhvilluar në frymën demokratike, ndërsa Izmi Zeka, kryetar i degës, ka thënë se në Gjilan u shpalosën vlerat më të mira, se pati garë të mirëfilltë zgjedhore dhe se në të gjitha nivelet pati frymë garuese.

Zeka, i cili më së tepërmi u përqendrua në zhvillimet e deritanishme n ë PDK-në e gjilanit, ka thënë edhe se me këto zgjedhjet e fundit brenda partisë demonstruan se janë  model se si duhet të mbahen zgjedhjet”, 

Ndërsa, Qemajl Mustafa, është përqendruar në qeverisjen aktuale me Gjilanin ku ai është kryetar komune, duke falënderuar  të gjithë ata që bënë që ai tani më  dy herë  kishte besimin për të qenë kandidat për kryetar të Gjilanit, duke thënë se ky besim ishte kthyer në fitore e më pas edhe me angazhime të shumta në qeverisje. 

Mustafa tha se me PDK-në, në qeverisje, Gjilani u bë krejt ndryshe, qyteti është më funksional, më i bukur, me ambient më të sigurt e me klimë më të mirë politike. AI tha po ashtu se me PDK-në në qeverisje të Gjilanit ata e kthyen dhe e forcuan besimin e qytetarit e pasi që Gjilani është qendër e një rajoni të madh, këtij qyteti i nevojitet edhe infrastrukturë rajonale.

Kuvendi po vazhdon me punën e saj,  me  rrjedhjen e mëtutjeshme të procesit zgjedhor,  ku pritet të zgjidhet Këshilli Drejtues i Degës. Nga ky këshill do të zgjidhet kryesia e degës e më pas do të zgjidhet edhe kryetari i degës. Emrat më të mundshëm për kryetar të degës mbeten ai i kryetarit aktual të degës Izmi Zeka dhe kryetarit të komunës, Qemajl Mustafa. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment