Austriakët e din

07.01.2013 (komentet: 0)

As Bajram Rexhepi e as Besnik Berisha nuk kanë zbuluar asgjë të re në deklaratat e tyre. I pari ministër i Punëve të Brendshme, e tjetri, deri para disa javëve drejtor i Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, kanë deklaruar se Natali Veliaj 1.4 milionë eurot që ishin dedikuar për pasaporta i ka deponuar në xhirollogaritë e kompanive të betonit dhe qeramikës.

 

Këto deklarata i ka thënë edhe Veliaj para prokurorëve menjëherë pas arrestimit. Shtetasja gjermane ka thënë se një shumë e parave që kalon mbi një milion euro është derdhur në emër të disa kompanive.

“Këto para janë derdhur në llogaritë rrjedhëse të kompanive nëpërmes bankës NLB”, ka thënë Veliaj para prokurorëve.

Por deponimin e kësaj shume të madhe të parave ajo nuk e ka bërë krye në veti.

Sipas avokatit të saj, Tomë Gashi, Veliaj i ka deponuar paratë në xhirollogaritë e kompanive me kërkesë të disa zyrtarëve të MPB’së.

“Por paratë u janë dhënë zyrtarëve të MPB’së me kërkesë të kompanisë austriake që kishte fituar tenderin për prodhimin e pasaportave të Kosovës”, thotë Gashi, shkruan gazeta Express.

Sipas tij, fillimi i aferës korruptive ka filluar nga vetë kompania “Osterreichische Staatsdruckerei” (OSD), që ka fituar tenderin pa i plotësuar kriteret. Kompania, sipas Veliajt, të cilën e citon avokati i saj, ka shpërblyer disa nga zyrtarët e Ministrisë me 10 për qind të shumës si shpërblim se e kanë fituar tenderin.

Gjermania deri më tani ua ka dhënë prokurorëve disa emra që pretendon se janë bashkëpunëtorë në skandalin e pasaportave, mirëpo deri më tani askush se di kush janë emrat që Veliaj i ka implikuar në rastin e këtij skandali.

Por as nga Prokuroria e as mbrojtja nuk guxojnë të përmendin emra në publik, pasi këtë ua ka ndaluar prokurorët me një vendim që kanë nënshkruar të gjitha palët.

“Unë si di detajet, por edhe nëse i di nuk mund të them asgjë për shkak të ndalesës që kanë bërë prokurorët”, tha Gashi.

Përveç kësaj avokati i Velijajt kritikon edhe punën e prokurorëve të cilët sipas tij për pesë minuta mund t’i zbulojnë se te cilat kompani kanë shkuar paratë.

“Por ky pesë minutash po zvarritet gati qe dy muaj. Dikujt po i konvenon që kjo aferë të stërzgjatej me ndihmën edhe të prokurorëve dhe hetuesve”, tha Gashi.

Avokati hedhë poshtë atë që ka dalë në medie se Veliaj e ka përmendur në ndonjë deklaratë kryeministrin Hashim Thaçi.

“Jo që se ka përmendur, por askush se ka pyetur për të”, tha Gashi.

Sidoqoftë, arrestimi i Veliajt pasoi edhe suspendimin e disa zyrtarëve në MPB. Njëri nga ta Besnik Berisha në një intervistë për medie ka thënë se ai personalisht nuk ka asnjë lidhje me keqpërdorimin e 1.4 milionë eurove të pasaportave. Por ai ka thënë se atij nuk i është lejuar nga “të mëdhenjtë” menaxhimin e kontratës, edhe pse ishte kompetencë e tij. Berisha ka thënë se paratë Natali Velija i ka deponuar nëpër xhirollogaritë e kompanive të betonit dhe qeramikës.

Një ditë më parë ministri Rexhepi në një konferencë për medie ka hedhur poshtë pretendimet e ish-zyrtarit Besnik Berisha. Rexhepi ka thënë i bindur se askush nuk ka pasur ndikim në këtë tender, por ka pranuar që jo vetëm ambasadori Dell, por edhe ambasadorë të tjerë janë interesuar për kushtet e tenderit, gjë që sipas tij është shumë normale. Sipas tij, në tenderin prej 1.4 milionë të pasaportave nuk ka gisht as kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Përkundrazi, sipas tij, kryeministri ka kërkuar që të kihet shumë kujdes gjatë tenderimeve. Ministri Rexhepi theksoi se skandali me tenderin e prodhimit të pasaportave është çështje e drejtësisë, ndërsa kërkoi që ky rast të zbardhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Natali Veliaj ishte arrestuar në tetor të këtij viti nën dyshimin se i kishte marrë për veti 1.4 milionë euro.

Por gjatë deklaratave të saj ajo ka thënë se paratë ua ka dhënë disa zyrtarëve të MPB-së, një shumë mbi një milion euro në xhirollogari rrjedhëse e tjerat ua ka dhënë paratë në dorë. Gjermania 38-vjeçare dyshohet se i ka marrë 1.4 milionë euro për prodhimin e pasaportave nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato nuk i ka bartur në adresë të kompanisë austriake që i ka prodhuar në realitet pasaportat. Ajo po mbahet në paraburgim në burgun e Lipjanit.

Intervistimi i saj nga prokurorët ende nuk ka përfunduar për shkak se siç është thënë gjendjes jo të mirë shëndetësore. Veliaj në fillim kishte kërkuar statusin e dëshmitares së mbrojtur, pasi kishte deklaruar se e kishte jetën në rrezik. Natali Veliaj ishte pronare e kompanisë “Consulting EU. Sh.p” kompani kjo e autorizuar që të bartte paratë tek kompania austriake. /Indeksonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment