Musa: Me vetëlavdërime e shpresa nuk arrihen synimet

05.01.2013 (komentet: 0)

Arsimi në komunën e Gjilanit, po i ngjason një lokomotive me shumë defekte që ecën nëpër binare të ndryshkura për të arritur në stacionin e caktuar. Se a do të arrijë, themi jo, thanë të shtunën gjatë një konference, zyrtarë të LDK-së së Gjilanit, drejtues të Komisionit për çështje të arsimit që funksionon në kuadër të këtij subjekti.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Nazmi Musa

 

Kryetari i  këtij Komisionit, Nazmi Musa ka thënë se gjysmëvjetori i këtij viti mësimor përfundoi. Rezultatet ishin tepër të dobëta, problemet jo të vogla, premtimet tepër të mëdha e projekte të pa realizuara, dhe tri shkolla  ende të pa emërtuara,  e këto nuk u lënë aspak vend vetëlavdërimi organeve drejtues të arsimit në komunën e Gjilanit. 

“Gjatë këtij viti që shkoi, arsimi mbeti anash dhe nën hijen e aferave të ndryshme, korruptimeve, përgjimeve, debateve boshe, fushatave zgjedhore,  koalicioneve etj. Investimet buxhetore për vitin 2012 në fushën e arsimit ishin tepër të ulëta dhe kjo dëshmon çartë se Qeveria e Kosovës dhe ato komunale arsimin nuk e konsiderojnë e nuk e trajtojnë me prioritet”, ka thënë Musa.

Sipas tij, përderisa arsimi nuk do të jetë prioritet i Qeverisë për investime kapitale dhe rritjen e buxhetit,vështirë se do të presim cilësi në arsim. Kjo u dëshmua edhe me testet e klasave të nënta e të maturantëve se cila është cilësia dhe vlera e arsimit sot në Kosovë. 

‘Krahas nevojave për investime kapitale në zgjerimin e hapësirave mësimore,pajisen teknike të kabineteve informatike, laboratorëve,sallave e fushave sportive, reduktimin e turneve mësimore, furnizimi i shkollave  me inventarë shkollor, nuk mund t’i lëmë anash edhe ngritjen e pagave për mësimdhënës dhe përmirësimin e kushteve të tyre për t’i stimuluar  në procesin mësimor dhe ngritjen e shkallës së cilësisë në mësim”, ka thënë Musa.

Ai u shpreh se shqetësuese janë edhe  deklarimet e drejtorit të DKA-së për buxhetin e arsimit të vitit 2013 i cili këtë buxhet  për pagat e mësimdhënësve  e deklaron për 150.000 euro minus, që do të thotë se nuk do të ketë paga për 45 punëtorë të arsimit. 

“Viti që sapo e lamë pas, gjithnjë sipas deklaratave të  DKA-së, punëtorët ndihmës janë paguar nga kategoria për shërbime dhe mallra të komunës dhe investimeve kapitale. Konsiderojmë se kjo është shkelje e ligjit,planifikim i keq i buxhetit për arsim dhe keqmenaxhim i parasë publike”, ka thënë Musa i LDK-së.

Ai tha  tutje se komisioni për çështje të arsimit i Degës së LDK-së në Gjilan ua përkujton edhe njëherë organeve drejtuese të arsimit, se mësimdhënësve akoma ua kanë borxh edhe dy paga nga diferenca e rritjes,  qysh nga janari i këtij viti që përfundoi,po edhe një numër i punëtorëve që me vështirësi morën pagat e tyre të rregullta për muaj të tërë. 

“Komisioni  gjithashtu shpreh shqetësim për mos luftimin  e dukurive negative  në masën e duhur nëpër shkolla. Dukuritë negative: rrahjet,therjet me thikë, pirja e duhanit, përdorimi i narkotikëve ,jo vetëm qe  nuk luftohen sa duhet,por ato janë në rritje. Këto dukuri edhe kur është shprehur vullneti i përfaqësueseve të drejtorisë së arsimit që të diskutohen nëpër shkolla, fatkeqësisht nuk është arritur ajo e dëshirueshmja për faktin se këto debate zhvillohen kryesisht vetëm me nxënës të mirë,me ata që janë larg këtyre dukurive”, ka thënë tutje Musa.

Sipas tij, për të vënë shumëçka në binare të duhura ,mendojmë se duhet të korrigjohen dhe të ndryshohen shumë akte ligjore e norma që drejtojnë fushën e arsimit dhe përmirësojnë kodin e mirësjelljes, krejt më qëllimin më të mirë për ngritjen e cilësisë dhe disiplinës në arsim. 

“Prandaj me këtë lokomotivë që ecën binareve të ndryshkura vështirë se do të arrijmë në stacionin e destinuar- Bashkësinë Evropiane”, ka thënë Nazmi Musa, kryetari i Komisionit për Arsim,  i LDK-së së Gjilanit.  /2lonline

Kthehu mbrapa

Shto koment