Pasiguria shpërngul në heshtje Dobrosinin

04.01.2013 (komentet: 0)

Gjilan – Fshati Dobrosin dikur kishte 167 shtëpi me 1453 banorë, kurse tani ka 92 shtëpi me 865 banorë. Shumica e familjeve janë shpërngulur në Gjilan dhe të gjithë po largohen shkaku i sigurisë thotë për rajonipress Mehmedali Sadriu kryetar i bashkësisë lokale në Dobrosin. Fshati Dobrosin është njëri nga fshatrat më të mëdha në rrethinën e Bujanocit. Dikur ishte fshati më i gjallë ekonomikisht dhe gati fshati më i organizuar si për aktivitete ashtu edhe për anën humane. Dobrosini fshat kodrinoro – malor ndodhet 13 km nga Bujanoci dhe kufizohet me fshatin Stublinë të komunës Gjilanit.

Por ky fakt nuk vlen për rrethanat e tanishme. Dobrosini tani është përgjysmuar dhe ndodhet në situatë të vështirë pasiqë shumica e familjeve janë shpërngulur ose në Gjilan ose në perëndim. 


Mehmetali Sadriu është kryetar i bashkësisë lokale në Dobrosin dhe është shumë i shqetësuar për shpërnguljen masive të atyre pak familjeve të mbetura atje.

Sadriu tha për rajonipress se fshati Dobrosin dikur kishte 167 shtëpi me 1453 banorë, kurse tani ka 92 shtëpi me 865 banorë. “Shumica e familjeve janë shpërngulur në Gjilan dhe të gjithë po largohen shkaku i sigurisë” tha ai.

Sadriu thotë se shumica e familjeve të shpërngulura janë vendosur në Gjilan dhe realisht vetëm 11 familje kanë mbetur ende pa blerë troje apo shtëpi në Gjilan . “Rruga e asfaltuar Pograxhë - Stublinë - Dobrosin na ka ndihmuar shumë dhe na ka lehtësuar jetën tej mase, por pasiguria është faktor tjetër që na tremb” thotë ai.

Sadriu tha se mbi 132 familje ndodhen në shtetet perëndimore. Sipas tij shkaku kryesor që familjet e Dobrosinit shpërngulen drejt Gjilanit është pikërisht pasiguria. “Realisht ne nuk kemi telashe me xhandarmërinë apo policinë, por kur ndodhin tensione siç ishte rasti i vizitës së Kryetarit të Kuvendit atëherë i tërë Dobrosini ndodhet në izolim dhe shtetrrethim. Tërë ditën ishin të rrethuar nga xhandarmëria serbe dhe kjo po krijon tensione dhe panik tek banorët dhe sidomos tek fëmijët” tha Sadriu.

Sadriu ka edhe dy shqetësime të mëdha që lidhen me jetën e familjeve në Dobrosin. Sipas tij kontrabanda e madhe që bëhet çdo ditë në brezin kufitarë e rrezikon edhe jetën e qytetarëve të ndershëm.

Kurse ka akuza të mëdha ndaj Nagip Arifit dhe pushtetit lokal atje.”Nagip Arifi vetëm kur i duhen votat e viziton Dobrosinin. Jemi shumë të pakënaqur me pushtetin komunal sepse ende s`kemi kanalizim, s`kemi rrymë të mirë sepse kemi një rrjet të vjetër mbi 40 vjeçar” tha ai.

Sipas tij ka pasur pak investime në shkollë, nxehje dhe ndriçim publik, por shumica e investimeve janë bërë nga vet banorët.

Dobrosini ka edhe dy poet e krijues të njohur. Halim Hasani historian dhe Arsim Halili poet e krijues. Halili i cili edhe është mësues në fshat thotë për rajonipress se dikur shkolla e plotë fillore në fshatin Dobrosin kishte mbi 220 nxënës, kurse sot nga 8 klasë të fillores sa kishte dikur tani i ka vetëm gjashtë. “Është tmerruese të eliminohen dy klasë fillore për 10 vitet e fundit, që kanë mbetur me vetëm 70 nxënës” tha Halili.

Halili tha se fshati Dobrosin thuajse ka edhe probleme të qarkullimit normal . “Me Bujanoc nuk kemi asnjë qarkullim të rregullt, ndërsa me Gjilan me vetëm një kombibus, madje veturat dhe vet kombibusi për arsye të njohura, ndalen në periferi diku rreth 500 -600 metra në dalje të fshatit në brendi të Kosovës” shprehet Halili.

Ndryshe në varrezat e fshatit Dobrosin pushojnë tre dëshmorë të UÇPMB-së Artan Abazi, Daut Sulejmani dhe Berat Sinani. 

Vizita e kryeparlamentarit serb më 2 janar 2013 kishte ngritur tensione e panik tek banorët .

Heqja e flamurit kishte ngritur tensione në mesin e banorëve, por ky shqetësim nuk ka zgjatur shumë pasi Jonuz Musliu doli bashkë me bashkëluftëtarët e tij dhe e vendosi sërish flamurin. /rajonipress/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment