Hiqet flamuri në Dobrosin dhe rikthehet

03.01.2013 (komentet: 0)

Musliu: Nuk lejojmë të luhet me gjakun e dëshmorëve

Vizita e djeshme e kryeparlamentarit dhe kryexhandarit serb në të ashtuquajturat Baza të Xhandarmërisë serbe gjatë kufirit që ndanë Serbinë dhe Kosovën në pjesën e Komunës së Bujanocit, sipas informatave nga terreni ka rezultuar me heqjen e Flamurit Kombëtar nga varrezat e Dëshmorëve të UÇPMB-së në fshatin Dobrosin, 18 km në perëndim të Buajnocit.

 - 

(plotesim)

Jonuz Musliu nuk ka qëndruar duarkryq përballë provokimeve që bënë një ditë më parët zyrtarët e lartë serbë, të cilët e kishin hequr flamurin kombëtar shqiptar nga varrezat e dëshmorëve në Dobrosin.

Musliu, i shoqëruar edhe nga bashkëluftëtarët dhe Shoqata e Veteranëve të Luftës, tha se në mesditë ka shkuar vet në Dobrosin dhe bashkërisht kanë vendosur sërish flamurin në vendin e mëparshëm.

“Ai flamur është i shenjtë për popullatën e Luginës së Preshevës dhe për vetë banorët e fshatit Dobrosin. Por mbi të gjitha është i shenjtë për dëshmorët dhe të rënët e luftës së UÇPBM-së”, tha Musliu.

Musliu tha se flamuri do të mbrohet në të gjitha variantet e provokimeve serbe. “Ne kemi të drejtë të ruajmë dhe të shprehim emocionet tona kombëtare e patriotike. Kemi të drejtë edhe të ngremë lapidarë e përmendore. Këtë nuk e bëjmë për të provokuar dikë, por për të përkujtuar se aty është derdhur gjak dhe është luftuar me forca terroriste e pushtuese”, tha Musliu./Indeksonline/

 

-------------------
Ish kryetari i KP të UÇPMB-së Jonuz Musliu, është shprehur i shqetësuar me këtë rast, ai ka deklaruar se nuk do të lejojnë nëpërkëmbjen e gjakut të dëshmorëve.

“Ne kemi arritur marrëveshje për paqe dhe kjo që ka ndodhur dje është provokim i rëndë, ne nuk do të lejojmë shkeljen e gjakut të Dëshmorëve dhe assesi nëpërkëmbjen e të drejtave tona legjitime. Shqetësimet tona do t`i adresojmë te partnerët tanë ndërkombëtar dhe me asnjë kusht gjërat e tilla nuk guxojnë të përsëriten”, është shprehur Musliu.

Gjatë qëndrimit të djeshëm në Dobrosin kryeparlamentari serb, Nebojsha Stefanoviç, ka deklaruar se “postblloku policor në Dobrosin ka qenë vazhdimisht në shënjestër nga terroristët shqiptarë, por forcat tona profesionale dhe të përgjegjshme ia kanë arritur me sukses t’i rezistojnë të gjitha përpjekjeve për të destabilizuar rajonin. Me të gjitha mjetet diplomatike në dispozicionin tonë, ne do ta mbrojmë integritetin tonë territorial përmes dialogut, do të luftojmë për kushte më të mira të jetës së qytetarëve tanë në Kosovë”, ka thënë Stefanoviç.

Heqja e Flamurit Kombëtar nga varrezat e Dëshmorëve në Dobrosin ka tensionuar gjendjen në Bujanoc, ndërkohë në Luginë po mbretëron situatë e brishtë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të kreut serb për heqjen e Përmendores së Dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë.

Kthehu mbrapa

Shto koment