Serbët pengojnë zbatimin e IBM-së në Bërnjak

31.12.2012 (komentet: 0)

Përkundër paralajmërimeve për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit (IBM) në pikën kufitare në Bërnjak, që ishte paraparë të ndodhë sot në ora 8:00 të mëngjesit, akoma nuk ka filluar një zbatim i tillë i kësaj marrëveshje.

 

 

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se rreth 20 serbë po mbajnë të bllokuar në hyrje të Zubin Potokut këtë rrugë që çon në drejtim të pikës kufitare Bërnjak, për të penguar në këtë mënyrë zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel për IBM-në.

Ata kanë vendosur kamionë të ndryshëm dhe automjete në rrugë.

Sipas këtyre burimeve, po shqyrtohet mundësia dhe pritet që ndoshta gjatë ditës doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës të dërgohën në Bërnjak me helikopter.

Ndryshe, dhjetëra serbë kishin bllokuar edhe gjatë ditës së djeshme në Zubin Potok rrugën që çon nga Mitrovica për në Bërnjak, me qëllim të pengimit të shkuarjes së policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës në këtë pikë kufitare, ndërkohë që kanë paralajmëruar se një bllokadë e tillë do të vazhdojë deri sa të jetë e nevojshme. /Kosovapress/

Kthehu mbrapa

Shto koment