Nuk do t’i përgjigjemi vandalizmit me vandalizëm

30.12.2012 (komentet: 0)

Liderët politikë të partive politike nga Lugina e Preshevës, pas takimit që kanë pasur me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me kërcënimet nga drejtues të shtetit të Serbisë, se nëse pllaka përkujtimore e vendosur në Preshevë nuk largohet me dëshirë, atëherë do të ndërhyjnë me forcë për ta larguar atë.

 

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se nuk do t’i përgjigjen vandalizmit në mënyrë të njëjtë. Ai ka deklaruar se gjithë këtë polemikë politikanët e Serbisë po e shfrytëzojnë për qëllime politike, pasi që, sipas tij, lapidari në fjalë nuk e pengon askënd e më së paku serbët që jetojnë në Beograd.

“Të gjithë shqiptarët, kudo që janë, janë zotuar që problemet t’i zgjidhin në mënyrë paqësore, mbi bazat e paqes mirëkuptimit dhe dialogut. Duke i inkorporuar vazhdimisht edhe faktorin ndërkombëtarë dhe në këtë drejtim ne nuk do t’i përgjigjemi në asnjë mënyrë vandalizmit me vandalizëm, forcës me forcë“, ka thënë Mustafa.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të sillet në mënyrë evropiane për këtë temë. Sipas Haradinajt, edhe Serbia duhet të sillet ngjashëm siç bënë Kosova për të njëjtën çështje, duke thënë se edhe në Kosovë ka lapidare dhe monumente historike serbe, e të cilat ruhen dhe respektohen.

“Edhe Serbia edhe Kosova synojnë anëtarësimin në BE dhe synojnë standarde dhe kritere të caktuara se si të zgjidhin probleme si kjo. Lutja ime do të ishte që edhe në Beograd edhe kudo të sillen në mënyrë evropiane edhe ndaj kësaj teme“, tha Haradinaj.

Se çfarë do të bëjnë në rast se Beogradi zyrtar ndërhynë me forcë për ta larguar pllakën përkujtimore kushtuar ish-ushtarëve të UÇPMB-së, liderët politik shqiptarë të Luginës së Preshevës, nuk kanë qëndrim të përbashkët. /RTK/

Kthehu mbrapa

Shto koment