Avokati i Popullit këtë vit ka pranuar mbi 1600 ankesa

28.12.2012 (komentet: 0)

Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesa nga qytetarët 12 për qind më shumë sesa dy vite më parë. Rreth 40 për qind e ankesave të qytetarëve për shkelje të të drejtave kanë të bëjnë me pushtetin ekzekutiv.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi bëri të ditur se gjatë këtij viti janë pranuar mbi 1600 ankesa nga qytetarët, prej të cilave kanë filluar të hetohen mbi 500 raste. 

“Edhe këtë vit kemi një rritje 12 %, edhe këtë vit kemi mbi 1650 ankesa deri tani d.m.th diku 200 ankesa më tepër se një vit më parë. Ne kemi hapur nga këto ankesa 533 raste, prej tyre kemi hapur po ashtu 33 raste ex.officio apo shqip them sipas detyrës zyrtare, prej këtyre rasteve i kemi mbyll 342, edhe 207 pozitivisht”, tha Kurteshi.

Në të shumtën e rasteve të hetuara, palët përgjegjëse dalin të jenë nga ekzekutivi, nga gjykatat, AKM-ja dhe kompanitë private. Humbja e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit është një çështje tjetër të cilën Ombudspersoni e përmend si shqetësim. 

“Te ne vijnë shumë njerëz me kërkesa të ndryshme të cilat edhe nuk hyjnë në kompetencat e Avokatit të Popullit, pse vijnë. Vijnë dhe na thonë o vetëm dëgjomë bre, se nuk më lejon askush të hyj dhe të flas për problemin që kam”, tha Kurteshi. 

Megjithëkëtë, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi tha se gjatë këtij viti ka pasur bashkëpunim më të madh me disa Komisione Parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment