Hydajet Hyseni: Krasniqi, mendimin e vet e ka thënë me kohë
26.12.2012 (komentet: 0)
Pjesë e partisë me të re në vend, pritet të jetë edhe Hydajet Hyseni
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, gjatë një interviste për media, nuk e ka mohuar opsionin për formimin e një partie të re. Sipas tij, kjo gjë do të varet nga zhvillimet që pritet të ndodhin gjatë procesit zgjedhor në PDK.
Ndërsa, burime të ORAinfo.com bëjnë të ditur se nëse ideja e Jakup Krasniqit konkretizohet, atëherë pjesë e partisë me të re në vend, pritet të jetë edhe Hydajet Hyseni deputet i PDK-së, i afërt me ideologjinë politike të Krasniqit.
Sipas këtyre burimeve Hyseni që një kohë të gjatë i ka ftohur raportet me njerëzit e afërt të liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.
“Kjo gjë është vërejtur kur ai në disa raste ka qenë kundër propozimeve të partisë të cilës i takon, shpesh ka ndodhur që e ka kritikuar edhe Qeverinë”, ka thënë burimi i ORAinfo.
Nga ana tjetër, Hydajet Hyseni në një prononcim për ORAinfo nuk ka dashur të flas nëse do ta përkrahë idenë e Jakup Krasniqit për themelimin e një partie të re, por ka thënë se Jakup Krasniqi asnjëherë nuk merr vendime të nxituara dhe pa pasur ndonjë arsye të fortë.
“E di që Jakup Krasniqi mendimin e vet e ka thënë me kohë. Ai nuk është njeri që nxitohet dhe nuk merr veprimet pa pasur arsye të forta, të qena dhe pa u motivuar nga interesat madhore të Kosovës dhe gjithë kombit”, ka thënë Hydajet Hyseni. (ORAinfo)
Shto koment