Krasniqi: Grabovci të më kërkoj falje!

24.12.2012 (komentet: 0)

Pas kërkesës për falje drejtuar qytetarëve të Kosovës nga ana e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka reaguar edhe kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, emri i të cilit është lakuar nga zyrtarët e lartë të PDK-së, në bisedat e përgjuara telefonike. Në një prononcim për Telegrafin, kryekuvendari ka thënë se do të ishte më mirë që Grabovci të kërkonte falje në mënyrë të qartë.

“Unë nuk e di se si është ndjerë Grabovci, por mbaj qëndrimin që e kam shprehur edhe më herët, se duhet kërkuar falje për nivelin e ulët të përdoruar gjatë atyre bisedave”, ka deklaruar Krasniqi për Telegrafin. Gjatë një konference për gazetarë, Grabovci u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve të vendit në rastin e përgjimeve, mirëpo ka munguar kërkimfalja edhe për Jakup Krasniqin. “Unë të gjithë qytetarëve u kërkoj falje për shqetësimin më të vogël, me cilindo veprim që kam bërë. Ndërsa bashkëpunimi im me përfaqësuesit e institucioneve ka qenë korrekt, është korrekt dhe do të jetë korrekt”, ka deklaruar Grabovci. Kryekuvendari Krasniqi ka qenë emri më i përfolur në bisedat ndërmjet Adem Graboovcit, Hashim Thaçit e Sami Lushtakut. Ky i fundit nuk kishte ngurruar që fliste fjalë të rënda për kryekuvendarin, ndërsa edhe kryeministri Thaçi e etiketonte me nofkën “Jakupovski”. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment