Kolona të gjata presin në vendkalimin “Dheu i Bardhë”

23.12.2012 (komentet: 0)

Nga Subotica e deri në Bujanoc, Isa Bunjaku, punëtor në Zvicër nuk ka bërë më shumë se katër orë udhëtim, por kur ka mbërritur në vendkalimin kufitar në Konçul të Bujanocit, ndonëse shtëpinë e tij nuk e kishte më larg se 20 kilometra, atij i është dashur të pres edhe pesë orë të tëra në vendkalimin kufitar Kosovë – Serbi.

Enver Sadiku 

 

Qytetet e Anamoravës, Gjilani, Vitia e Dardana, tradicionalisht kanë pasur shumë të punësuar jashtë vendit, kryesisht në Zvicër e Gjermani, kurse gjithmonë në prag të festave të fundvitit, ata bashkë me familjet e tyre nisën për në Kosovë, ku qëndrojnë deri pas Vitit të Ri. Familjet me shumë anëtarë dhe çmimet e larta për të udhëtuar me aeroplan, bëjnë që ndonëse shpesh me ngrica nëpër rrugë e kalimin nëpër Serbi, këtë qytetarë të shfrytëzojnë veturat si mjet udhëtimi, kurse ata zakonisht shfrytëzojnë vendkalimin kufitar te “Dheu i Bardhë”, i cili këtë fundjavë ka qenë dukshëm më i ngarkuar se ditëve të tjera.

Isa, që bashkë me familjen e tij për çdo vit nga dy herë vij në vendlindje, thotë se kësaj radhë në anën serbe pati pritje të gjata dhe është dashur që në anën serbe të pres afërsisht pesë orë për të kaluar kufirin, kohë kjo që ka qenë më e gjatë se ajo që ka përshkuar për të kaluar tërë Serbinë nga Subotica e deri në Bujanoc. Sipas tij, marrëveshja e arritur Prishtinë – Beograd nuk ka ndikuar fare në lehtësimin e kalimit të kufirit, por përkundrazi, ajo i ka bërë pritjet edhe më të gjata.

Edhe banorët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë lidhje farefisnore me Anamoravën, por edhe të atillët që shpesh bëjnë tregti në Gjilan, shprehen se këtë fundjavë janë lodhur nga pritjet e gjata në kufi e ka pasur edhe të atillë që janë kthyer prapa.

Se ka pritje të gjata në kufi, dëshmojnë edhe vetë autoritetet serbe në pikën kufitare në Konçul, sipas të cilëve qarkullimi i veturave në rrethin e Bujanocit por edhe të Preshevës është me një intensitet të shtuar, për shkak të numrit të madh të veturave, që kryesisht janë me tabela të shteteve perëndimore e të cilat kanë ia kanë mësyrë Kosovës në prag të festave të fundvitit.

“Në vendkalimin kufitar në Konçul që shpie për në Kosovë, këtë fundjavë kolonat kanë qenë të gjata edhe deri në dy kilometra edhe atë për shkak të veturave të shqiptarëve të Kosovës, të cilët punojnë në shtetet perëndimore, kryesisht në Gjermani e Zvicër dhe të cilët po kthehen që në vendlindje t’i kryejnë pushimet”, është thënë në pikën kufitare në Konçul.

Hiq më mirë nuk është gjendja as në vendkalimin kufitar në Tabanoc, në afërsi të Preshevës në kufirin në mes të Serbisë e Maqedonisë, ku në anën maqedonase veturat po mbahen afërsisht nga dy orë, derisa tollovi ka edhe në autostradën Preshevë – Bujanoc, e cila është në ndërtim dhe ku është lëshuar në qarkullim vetëm një korsi. E mira e tërë kësaj është se deri më tashti nuk është raportuar për një aksident trafiku, kurse në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, pala kosovare po mundohet që bashkatdhetarët tanë që punojnë jashtë vendit, por edhe ata nga Lugina e Preshevës që për çdo ditë udhëtojnë në Kosovë, të mos i mbajë shumë në vendkalimin kufitar.

Kthehu mbrapa

Shto koment