Gashi: Velija i dha emrat në letër

20.12.2012 (komentet: 0)

Avokati Tomë Gashi ka thënë të mërkurën se shtetasja gjermane, Natali Velija, ua ka dhënë prokurorëve disa emra të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilëve pretendon se u ka dhënë mbi një milion euro.

Avokati Gashi, i cili qe një javë ka përhapur fjalë se Velija do t’i publikojë emrat e zyrtarëve të korruptuar, të mërkurën pas daljes nga EULEX-i ka thënë se nuk i ka parë emrat të cilët sipas saj u janë dorëzuar prokurorëve në letër. Ai ka thënë se nuk ka qenë i interesuar t’i shohë këta emra fare, duke mos dhënë numrin e saktë se sa është ky numër. 

“Në fillim të marrjes në pyetje të Natali Velijaj, sipas kërkesës së saj, Prokuroria ka sjellë një vendim që çdo informatë prej tash është konfidenciale dhe zbulimi paraqet vepër penale”, ka thënë Gashi. “Është shfrytëzuar taktika që ajo një pjesë të emrave u ka dhënë prokurorëve dhe hetuesve në formë të shkruar kështu që vetëm prokurorët dhe hetuesit i dinë tash një pjesë të emrave”, ka deklaruar ai për të shtuar se klientja e tij u ka dhënë edhe një pjesë të dokumentacionit që ajo ka mundur të sigurojë për ta vërtetuar se gjithë paratë janë dhënë me urdhër të kompanisë austriake OeSD. 

Kthehu mbrapa

Shto koment