Mallrat për veri lirohen nga taksat vetëm për festat e fundvitit

19.12.2012 (komentet: 0)

Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe Doganat e Kosovës, kanë reaguar ndaj deklaratave të palës serbe, të cilët kanë thënë se është arritur marrëveshja për mosdoganim të mallrave serbe të cilat hyjnë në pikën kufitare në Jarinjë, duke thënë se nuk është arritur marrëveshja për doganim, por për lejim të hyrjes së mallrave serbe deri në 3.5 ton në atë pikë.

 

Grupi teknik përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes së menaxhimit të integruar të kufirit, pas kthimit nga Brukseli ka organizuar një konferencë për shtyp me ç ‘rast kanë qartësuar temat që janë diskutuar në Bruksel mes palës serbe, kosovare dhe BE-së.

Fisnik Rexhepi, anëtar i këtij grupi, ka qartësuar se deklaratat e palës serbe lidhur me marrëveshjen për rregullimin e sistemit doganor, duke thënë se është kërkuar një mirëkuptim vetëm gjatë periudhës së festave të fund vitit.

“Ajo çka ka deklaruar pala serbe pas takimit se kinse ka një marrëveshje për rregullimin e sistemit doganor, absolutisht është e pavërtetë dhe palët kanë diskutuar dy ditët e fundit në Bruksel për një mirëkuptim, për kohën e festave të fund vitit. Do të thotë krishtlindjet katolike, pastaj viti i ri dhe krishtlindjet ortodokse dhe kjo përfundon me 10 janar”, ka thënë ai.

Edhe drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica ka mohuar zërat se në pikën kufitare në Jarinë, nuk po doganohen mallrat serbe, duke thënë se bëhet fjalë për mallra të sasisë deri në 3.5 ton, e të cilat nuk kanë për synim tregtinë, apo kontrabandën, por furnizimin me ushqim dhe gjësende tjera për banorët e asaj pjese.

Kthehu mbrapa

Shto koment