Autonomia “te dera”

19.12.2012 (komentet: 0)

Veriu i Kosovës përfundimisht rrezikon që t’i dalë nga “dora” Prishtinës zyrtare, gjegjësisht ajo pjesë e vendit të fitojë një autonomi të gjerë. Qeveria dhe Presidenca e Serbisë pretendojnë që problemeve në veriun e Kosovës t’ua “lidhin kryet” me një autonomi të gjerë. Ky model për zonën më “problematike” të vendit është paraparë në kuadër të Platformës së Serbisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të cilën, siç kanë raportuar mediet të martën, presidenti serb, Tomisllav Nikoliq, do ta prezantojë në ditët në vijim.

Jeton Llapashtica 

Liderët e serbëve të veriut, Kërstimir Pantiq dhe Radenko Nedelkoviq, kanë bërë të ditur një ditë më parë se Beogradi zyrtar do të kërkojë statusin e një autonomie sa më të gjerë për veriun, gjegjësisht një lloj etniteti të ngjashëm me Republika Srpskan e Bosnjës.

Por, për qeveritarët e vendit, secili plan i Serbisë që del jashtë “kornizave normale” është vetëm mund i kotë dhe se nuk do të jetësohet kurrë.

“Planet e Serbisë për të diskutuar statusin e Kosovës janë ëndrra të kota dhe të parealizueshme. Statusi është definuar me Pakon e Ahtisarit dhe me dialogun që është zhvilluar në Vjenë.

Ne pikënisje kemi Rezolutën në Asamblenë Gjenerale, konkluzat e BE-së rreth procesit të Kosovës dhe Serbisë në BE dhe sipas kësaj rruge ne duhet të mbyllim kapituj dhe jo të hapim. Kjo platformë e Serbisë mbetet e papranueshme”, thotë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

I pyetur nëse po rrezikohet veriu që të rrëshqasë drejt një statusi special, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe se “pusi i dëshirave serbe ka qenë i pafund, por realiteti ka qenë diçka tjetër”.

E ndërkaq, për opozitën dhe shoqërinë civile, veriu e ka marrë këtë status në ditën që Qeveria e Kosovës ka nisur bisedimet me atë të Serbisë në Bruksel.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se apetiti i autoriteteve serbe karshi veriut është rritur dukshëm që nga fillimi i negociatave.

“Ky synim i Serbisë doli në pah në platformën e koalicionit të saj fashist mes socialistëve dhe radikalëve. Pra, ndalja e negociatave në njërën anë, dhe intervenimi shtetëror e institucional në veri në anën tjetër, e parandalojnë krijimin e kësaj autonomie. Mirëpo negociatat nuk ndalen pa u ndalur kjo qeveri, meqenëse kjo është qeveri e negociatave të cilat janë në funksion të autonomisë për veriun”, thotë ai.

Sipas tij, kryeministri Thaçi dhe qeveria që ai e drejton e kanë përgjegjësinë kryesore nëse veriu do të përfitojë status special. Megjithatë, Ymeri thotë se nga përgjegjësia nuk mund të largohen as deputetët që u kanë dhënë “vizën” bisedimeve dhe as presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila, sipas tij, po vazhdon të jetë një “zëdhënëse” e qeverisë.

Shpend Kursani nga KIPRED thotë se ekziston rreziku që nëse veriu përfiton një status të tillë, atëherë e njëjta gjë të aplikohet në gjithë rajonin, përkatësish në vendet ku jetojnë pakicat.

Sipas tij, autonomia që tani po përmendet si opsion e ka “rrënjën” në katër pikat e ish-presidentit serb, Tadiq.

“Duket se Serbia do t’ia arrijë qëllimit, duke u bazuar në dy fakte, e para që Brukseli nuk ka një strategji se si t’i qaset problemit të veriut edhe kur t’i bashkohet kësaj edhe një qasje vëzhguese nga Kosova për atë pjesë të territorit të vet e lënë Serbinë si të vetmin aktor që do të vendosë se çfarë të bëjë me atë pjesë të territorit të Kosovës”, nënvizon ai.

E ndërkaq, analisti politik, Avni Zogiani, thotë se është e paimagjinueshme që, “ pas shpëlarjes së trurit, qytetarët e Kosovës të organizohen për të rezistuar karshi një plani serb, i cili sipas të gjitha gjasave e ka mbështetjen e vendeve evropiane”.

“Janë shkaktuar aq shumë tronditje të opinionit publik dhe aq shumë është bërë shpëlarje e trurit sa që njerëzit janë tepër të hutuar. Ne anën tjetër patriotët e qeverise gjithsesi do të jenë aty që ta shesin edhe shtetin serb brenda Kosovës si një sukses”, thotë ai.

/zeri/

Kthehu mbrapa

Shto koment