Meha akuzohet për përfitime milionëshe

18.12.2012 (komentet: 0)

Agjencia Kadastrale e Kosovës akuzohet për keqpërdorime të shumta. Madje kryeshefi i kësaj agjencie akuzohet nga disa punëtorë, të larguar së fundi nga puna, për përfitime milionëshe. Kryeshefi Murat Meha i mohon akuzat, por denoncuesit pretendojnë se kanë fakte të mjaftueshme që Mehën, sipas tyre, duhet ta dërgojnë në burg. Rasti është denoncuar edhe në organet e drejtësisë. Për korrupsion, zhvatje dhe keqpërdorime të tenderëve akuzohet Agjencia Kadastrale e Kosovës. Dy persona të larguar së fundmi nga kjo agjenci akuzojnë personalisht kryeshefin ekzekutiv, Murat Meha, për përfitime milionëshe, raporton KTV.

Ish-zyrtari i lartë ligjor në këtë agjenci, Ali Sefaj, thotë të jetë në njohuri për keqpërdorimet e Mehës. Sefaj përmend disa tenderë, për të cilët thotë se ka fakte të mjaftueshme të cilat pretendon se vërtetojnë keqpërdorimet. Megjithatë të pakuptimta dhe jorelevante akuzat i cilëson vetë kryeshefi Meha, derisa nuk frikësohet të përballet me organet e drejtësisë. Meha konsideron se agjencia po bën punë të rëndësishme, gjithnjë duke respektuar ligjin. Por, Ali Sefaj nuk është i vetmi që pretendon se ka dëshmi për keqpërdorimet e Mehës. Dukagjin Venhari, i cili deri vonë ka punuar si përkthyes në AKK, thotë të jetë sulmuar fizikisht nga kryeshefi Meha, të cilin e quan okupues të agjencisë. Sipas Venharit, Meha kishte urdhëruar përkthimin e disa materialeve, me gjithë faktin se ato ishin përkthyer një herë në vitin 2006. E këtë e vërteton edhe ky dokument i nënshkruar nga vetë kryeshefi Meha. Si Venhari, ashtu edhe Ali Sefaj u janë drejtuar organeve të drejtësisë, për të denoncuar menaxhmentin, përkatësisht kryeshefin Meha. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment