Velija së shpejti publikon 7 zyrtarët e MPB-së

13.12.2012 (komentet: 0)

Natali Velija shumë shpejt pritet që të publikojë pesë deri në shtatë emra të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilëve ajo pretendon se ua ka ndarë 1.4 milion euro, që ishin dedikuar për pagesën e pasaportave biometrike.

Selvije Bajrami 

 

Këto para ajo përmes mbrojtësit të saj, avokatit Tomë Gashi, ka bërë me dije se i ka ndarë sipas urdhrave të kompanisë austriake OeSD, e cila me të fituar tenderin nga Ministria e Punëve të Brendshme ishte dakorduar që zyrtarëve të saj t’ua ndajë paratë në shenjë shpërblimi për tenderin e fituar për prodhimin e pasaportave biometrike.

Në mesin e shtatë zyrtarëve të MPB-së, sipas mbrojtësit Gashi është njëri nga të suspenduarit e fundit në MPB.

“Natali Velija thotë se shumën prej 1.4 milion eurove nuk ia ka paguar kompanisë austriake, por ajo vetëm e ka kryer urdhrin prej kompanisë austriake dhe i ka shpërndarë te një pjesë e zyrtarëve të lartë të MPB-së sipas kërkesës së kompanisë austriake dhe ajo pretendon se kjo shumë është ndarë qysh në fillim dhe si e tillë ka qenë e kontraktuar si shpërblim për fitimin e tenderit”, ka thënë avokati Tomë Gashi, gjatë një konference të mbajtur me gazetarë.

Gashi këtë konferencë e ka mbajtur të martën në zyrën e tij në ditën kur ndaj Natali Velijas i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë. Ndaj këtij vendimi, Gashi ka bërë me dije se ka parashtruar ankesë.

Derisa për një muaj sa Natali Velija ka qenë në paraburgim ajo ka thënë se do të tregojë për emrat dhe do t’ua ofrojë prokurorëve provat, vetëm nëse ajo shpallet dëshmitare bashkëpunuese, një kriter i tillë tashmë nuk vlen.

Natali Velija përmes mbrojtësit të saj, të martën ka publikuar provën e parë që dëshmon me dokument origjinal se Natali Velija ka qenë e autorizuar nga kompania austriake OeSD për kryerjen e punëve në Kosovë, duke përfshirë edhe pagesat nga MPB te kompania e saj e më pas tek OeSD, e cila kishte fituar tenderin nga MPB për prodhimin e pasaportave biometrike.

“Kemi një ofertë që Natali Velija ia ka bërë prokurorisë ditë më parë, duke menduar që paraburgimi nuk do t’i vazhdohet. Kjo ofertë është për prokurorët të cilët përmes mediumeve i kanë dërguar asaj porosi që së pari ajo do të duhej të tregojë se çfarë provash, dhe t’ia prezantojë një pjesë të provave prokurorisë në mënyrë që prokuroria të bindet se ajo me të vërtetë ka prova dhe kjo është prova kryesore ku dokumentohet se Natali Velija nga firma OeSD e Austrisë ka qenë e autorizuar që të grumbullojë apo të bëhen të gjitha pagesat, pra ka qenë përfaqësuese e kompanisë austriake”, ka treguar mbrojtësi Gashi.

Mbrojtësi Gashi ka bërë me dije se Natali Velija e pranon faktin se ka ndarë 1.4 milionët te personat e MPB-së. Më shumë se një milion euro, Gashi thotë se janë transferuar përmes bankës derisa një shumë mbi 250 mijë euro është dhënë kesh nga Natali Velija te një zyrtar i lartë i MPB-së dhe atë në një restorant që gjendet jashtë kryeqytetit. Tërë këto, mbrojtësi ka njoftuar se Natali Velija ka vendosur që t’i publikojë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore që ajo e ka.

Përveç kësaj, mbrojtja ka bërë me dije se Natali Velija ka treguar se edhe zyrtarë të Ambasadës Austriake janë të involvuar në këtë aferë korruptive. Velija sipas mbrojtësit i ka shpërndarë të hollat duke mos e ditur se është veprimtari korruptive, por thjesht duke miratuar kërkesat që i kanë ardhur nga kompania austriake.

“Natali Velija thotë se ajo vetëm ka vepruar në bazë të urdhëresës së shkruar ku ajo do të duhej t’i transferonte fondet si shpërblim për fitimin e tenderit, ndërsa Velija e ka dokumentacionin e shkruar, së paku ajo thotë kështu, se tenderi është fituar në mënyrë të kundërligjshme sepse tenderin është dashur ta fitonte kompania sllovene apo gjermane, po në asnjë variant kompania austriake”, ka përfunduar mbrojtësi Gashi.

Kthehu mbrapa

Shto koment