KOSOVA = QIPRO 2?

12.12.2012 (komentet: 0)

Ndër takimet dhe vizitat e shumta të liderëve qeveritarë të Kosovës në institucionet e BE-së por edhe të BE-së në Kosovë, është një lloj arsyetimi se agjenda e BE-së për Kosovën është e njejtë sikur që është për të gjitha shtetet në rajon.

Arianit Sllamniku

 

Por rajoni sot është më i qetë se kurrë sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve përmes instrumentit Shengen, por edhe të shërbimeve dhe të mallrave në rajon përmes mekanizmit CEFTA.

Kosova në këtë rrafsh ka ngelur mbrapa për vetë faktin se avancimi i kritereve për lëvizje të lirë të këtyre sektorëve nuk kanë avancuar nga ana e insitucioneve kosovare, e jo siç në masë shihet sikur “BE-ja na e ka inat neve sepse jemi burra më të mirë se ata të rajonit, që janë pjesë e marrëveshjes”.

Kjo lojë e dyfishtë na e ka sjellë një vorbull të madh edhe kërkesash karshi ankesave por edhe përcaktim të rrugëtimit jo të qartë sa i përket avancimit të kritereve të parapara për liberalizim, kritere që sot janë të njohura botërisht (përveç institucioneve kosovare).

Ndër kushtet të cilat duhet të arrihen për liberalizim janë nga Samiti i Kopenhagës të vendosura në vitin 1993 në Kopenhagë, por kushti pasues i cili u shtua më vonë është ai absorbues, që nënkupton absorbimin e problemeve të shtetit i cili kërkon përafrim me BE-në.

Njëri ndër problemet i cili ekziston për Kosovën dhe që i pengon asaj për avancim janë edhe kontestet me shtetin serb i cili është goxha më përpara plotësimit të kritereve, bile ajo pritet të marrë ftesë për anëtarësim në BE, ndërsa neve si në formë lëmoshe e kërkojmë liberalizimin, liberalizim i cili edhe bash si në formë lëmoshe nuk do të na servohet.

Do të duhet që t’i marrim për analizë rrugëtimet e shteteve të rajonit që tani e gëzojnë këtë të drejtë dhe rrugëtimin e tyre deri tek arritje e pranimit të udhërrëfyesit për liberalizim, në krahasim me Kosovën, e cila ka realizuar shumë pak, kur të them shumë pak atëherë do t’i paraqes disa fakte në vija të trasha, të cilat do të duhej plotësuar para udhërrëfyesit për liberalizim:

1. Digjitalizimi i të dhënave (dokumenteve) të qytetarëve të Republikës së Kosovës,

2. Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkufitar me shtetet fqinje,

3. Marrëveshjet e nënshkruara për riatdhesimin e personave nga hapësira e BE-së për në Kosovë

4. Integrimi i kufijve shtetërorë etj.

Prandaj pa i plotësuar këto kushte (të cilat u paraqitën vetëm disa prej tyre) neve nuk mund të presim progres në këtë aspekt, prandaj edhe vetë dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë është njëri nga parakushtet për liberalizim të vizave për Kosovën por vetëm në lëvizje të personave por jo të mallrave dhe shërbimeve, prandaj nëse neve si qytetarë të Republikës së Kosovës do të duhej të shohim më shumë angazhim në terren sesa takime, prononcime si dhe deklarata boshe.

Kjo na jep të kuptojmë se rasti i Qipros i cili ishte Sui Generis për sa i përket plotësimit të kritereve dhe kushteve për anëtarësim, shtet i cili tani ka filluar të shfaqë tensione në zonën e BE-së por edhe ndërmjet shtetit grek dhe atij turk, gjë që BE-ja nuk do të jetë e gatshme të bëjë përafrim me Republikën e Kosovës para se vetë Kosova të mos jetë në gjendje t’i zgjidhë problemet të cilat e preokupojnë atë por edhe fqinjin e saj serb.

Kështu që pa u zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me Kosovën përbrenda saj në relacion me BE-në por edhe lidhur me Kosovën në relacion me fqinjët e saj, nuk do të jemi në gjendje të presim që dikush të na e fal lirinë e lëvizjes me kusht që të na i zgjidh problemet e brendshme por edhe ato fqinjësore, si rasti i cili që nga koha e integrimit të Qipros në BE, trekëndëshi Qipro-Greqi-Turqi ka shkaktuar shpeshherë tensione por edhe pritet që tensionet edhe të rriten në këtë pjesë të BE-së në relacion me BE-në.

Ndoshta dikush tjeter do të na integrojë, por BE-ja sigurisht JO.

Kthehu mbrapa

Shto koment