Jacobson: Korrupsioni sfidë për Kosovën!

11.12.2012 (komentet: 0)

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha se lufta e suksesshme kundër korrupsionit, kërkon qasje nga të gjithë


Ajo vlerësoi në një konferencë për media të organizuar nga Qendra për Studime të Sigurisë, Goerge C. Marshall dhe e mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, për strategjinë e luftimit të korrupsionit se kjo dukuri mbetet problem në të gjitha shtetet po ashtu dhe për Kosovën, e cila në rangimin e fundit të Transparency Internacional, është vendi i dytë më i korruptuar në rajon.

“Korrupsioni është problem në çdo shtet. Është problem në shtetin tim, mendoj që është problem dhe në vendin tuaj, posaçërisht në prokurimin publik dhe kontraktim. Kjo është një prej fushave ku ka më së shumti burime për korrupsion. Në rangimin e fundit të Transparency Internacional, sa i përket percepcionit, Kosova është vendi i dytë më i korruptuar në rajon.

Unë jam e sigurt se përmes mundësive për bashkëpunim dhe punës suaj të zellshme, mund ta përmirësojmë këtë rangim në vitet e ardhshme. Kjo është dhe arsyeja pse jemi sot këtu”, pohoi Jocobson, transmeton KP.

Ajo po ashtu tha se korrupsioni duhet të luftohet në të gjitha nivelet e shoqërisë, pasi që kjo nuk është një çështje, e cila i takon vetëm zyrtarëve qeveritarë.

“Mendoj që korrupsioni duhet të luftohet në të gjitha nivelet e shoqërisë, sepse nuk është një çështje vetëm për zyrtarët qeveritarë, por është çështje edhe për shoqërinë. Është një fushë, ku media ka një rol për të luajtur, shoqëria civile ka rol dhe qeveria dhe organet e forcimit te ligjit kanë një rol të madh”, pohoi Jacobson.

Ndërsa Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë, tha se është me rëndësi që të luftohet ky fenomen, i cili është me rëndësi për ta ndryshuar imazhin e vendit përballë qytetarëve dhe përball botës demokratike.

Ai tha se ata kanë përgjegjësinë kryesore për ta luftuar këtë dukuri negative, por njëkohësisht kanë dhe përgjegjësinë për dështimet, që mund të jenë në këtë drejtim. Kosova sipas tij nuk është e përjashtuar nga dukuria e korrupsionit, që vazhdon të jetë sfidë për vendin. Lajmonline

Kthehu mbrapa

Shto koment