IBM-ja zbatohet pa probleme, stafi bartet me helikopter

11.12.2012 (komentet: 0)

Edhe dita e dytë e punës së doganierëve dhe policëve të Kosovës, Serbisë dhe të EULEX-it, sipas marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, ka nisur dhe ka vazhduar pa probleme, në vendkalimin kufitar në Jarinje, të cilën serbët vazhdojnë ta quajnë kalim administrativ.

Kajtaz Gecaj 

 

Madje, drejtori i Zyrës për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, ka thënë, se i vetmi dokument që do të jetë i vlefshëm në vendkalim, është letërnjoftimi që lëshohet nga MUP-i serb.

“Këto rregulla vlejnë për të gjithë, pavarësisht se a është lëshuar dokumenti në Serbi apo në Mitrovicë. Për aq sa ne jemi të pakënaqur që i shohim policët e Kosovës në Jarinje, aq do të jenë të lumtur serbët e jugut që do ta shohin flamurin serb në Merdarë”, ka ironizuar Vulin, i cili ka përkujtuar se malli që shkon në jug të Ibrit do të doganohet, ndërsa mallrat që shkojnë në veri të Kosovës nuk do t’u nënshtrohen procedurave doganore dhe ato nuk do të doganohen.

Ai ka mohuar se do të ketë ambasador të Kosovës në Beograd dhe ansjelltas, duke sqaruar, “se përfaqësuesi i institucioneve të përkohëshme të Prishtinës do të jetë në përbërje të delegacionit BE-së në Beograd, ndërsa ai i Qeverisë së Serbisë në përbërje të delegacionit të BE-së në Prishtinë”.

“Përfaqësuesi nuk do të privilegje diplomatike, në mënyrë që ta ketë statusin e ambasadorit. Puna e tij është që ta përcjell zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe t’i kontaktojnë qeveritë e veta, kur ka ndonjë vërejtje”, sqaroi Vulin, i cili theksoi, se ideja e Prishtinës ishte që të ketë ndërtesë të veçantë.

Në anën tjetër, stafi kosovar në vendkalimin kufitar në Jarinje, doganierë e policë, për shkak të sigurisë, siç është thënë, barten me helikopter të KFOR-it dhe të EULEX-it.

“Në Jarinje është situatë e qetë. Puna në zbatimin e marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit ka vazhduar pa asnjë problem. Por, për shkaqe sigurie transporti i stafi, cili do të jetë prezent në kufi vazhdon të bartet me helikopter”, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, toger Besim Hoti.

/zeri/

Kthehu mbrapa

Shto koment