Zjarrmia (tregim)

26.08.2013 (komentet: 0)

Muhamet HALILI

Nuke di pse, por sot i ndjeja shumë më shumë rrezet e diellit brenda vetes sime sesa ditëve të tjera. Ndonëse isha nën çadër, megjithatë nuk ndjeja as më të voglën freski. Temperatura në mua zuri të më mundonte. Nuk kisha ndonjë fuqi t’i futesha not detit, pasi e pashë që më dukeshin të rënda edhe këmbët. Krejt çfarë munda të bëja ishte ta ngritja kokën në një kënd gjashtëdhjetë shkallësh, në përpjekje për të shikuar së paku në drejtim të ujit. Por në vend të freskisë që e prisja të më vinte përmes atij shikimit, zabullima veç m’u shtua. Tani jo nga rrezja e diellit por nga një shtat i praruar i shtrirë në rërë m’u para çadrës sime. Rëra mbulonte të paktat pjesë prej atij shtati pushtues. Do të thosha dukej krejtësisht lakuriqe sepse edhe sutjenët i kishte ngjyrë rëre. Ndonëse fillimisht ishte e shtrirë në shpinë, sikur ndjeu shikimin tim zhbirues dhe u kthye në njërën krah, me fytyrë kah unë.

 

E mora për provokim ngase nuk e njihja, ndonëse e pranoj se më dukej disi e njohur. Por nga e papritura, për shkak të asaj se si m’u drejtua, nuk arrita ta nxjerrja asnjë fjalë të vetme!.

 

Sërish përsëriti të njëjtën fjali, por tani duke lëvizur edhe dorën ngadalë nëpër bark,kinse largonte rërën e ngjitur trupit të saj që kishte lëkurë të tillë sikur të ishte derdhur mbi të një përbërje prej karameleje me qumësht.

 

Sërish nuk dija si t’i drejtohesha, ndonëse e kuptova qartë se e kishte me mua.

 

-         Po digjesh përbrenda, -vazhdoi të më gjuante me fjalë dhe si duket me këtë njëmend i dha flakën brendësisë sime.

 

Ndonëse ajo flakë më dogji edhe më shumë se veç digjesha përbrenda, ma dha një guxim për ta thyer edhe unë gojën, për të lëshuar ndonjë fjalë në drejtim të saj.

 

-         Kush nuk do të digjej moj, po të ishte aq pranë një zjarri përvëlues siç jam unë tani?! – e theva heshtjen.

 

E,ajo sikur e pranoi ngacmimin tim sepse e ndjeva se më përqafoi me një buzëqeshje të saj dhe duke m’u ofruar, e rrëshqiti dorën e saj ngadalë, fillimisht mbi ballin tim, faqet, buzët..., e për çudi, vazhdoi nën sqetull!

 

Vallë,mos dëshironte të më guduliste, se ndryshe nuk e kuptova dot këtë veprim të saj?! Ama unë qesha në atë çast. Ashtu, disi pa vetëdije. Sikur desha t’ia bëja qejfin e t’i tregoja se e arriti qëllimin. Ndërkohë, fakti që m’u afrua fare pranë, gati sa trupi i saj nuk u puthit me timin, seç më ngacmoi një ide perverse mbi atë se të çfarë madhësie mund ta ketë gjoksin, sepse tani kur u shkund trupi i saj, vetvetiu shikimi më iku tek to. Habia ndaj kësaj femre misterioze vazhdonte të mbetej e gjallë. Ajo po i lexuaka edhe mendimet e mia! Derisa mendoja për madhësinë e mundshme, ajo duke më shikuar drejt e në drita të syve, tha disi si me nota: Tridhjetenëntë! Ndoshta edhe pak më tepër! 


Por me këtë, seç e bëri fytyrën asisoj, sa e nuhata se ishe e brengosur. Tani nuk e di se si është puna e përmasave këtu në Shqipëri, por e pashë se tridhjetenënta nuk qenka diçka e preferuar nga femrat këtu.

 

-        Qenke shumë liberale, por edhe unë jam me pikëpamje krejt “cool” - i thash, pa e ditur si më doli kjo fjali, pasi nuk m’u duk se e bëra përpjekjen më të vogël për t’i lëvizur buzët e për të nxjerr zë.

 

-         E ti je një budalla, aje duke e dëgjuar vetveten?! -  ma ktheu ajodhe qeshi.

 

-         Do të shkojmë në hotel anë dhomën time? - u shpartallova i tëri, i bindur tani më, se kjo po e do një komunikim të tillë.

 

-         Pse jo këtu? - ma ktheu ajo, sikur nuk kishte dëshirë të ngrihesha unë. Rri shtrirë të lutem! Unë kujdesem për ty! – foli si rrufe, kur pa përpjekjen time për t’u ngritur në këmbë.

 

Kjo më shtyri të mendoja a thua me çfarë çapkëne kisha të bëja. Mos është ndonjë shaka e shoqërisë?! Apo ndonjë shërbim ekstra i hotelit ku isha vendosur.Natyrisht kundrejt pagesës, sepse pata dëgjuar se këtu janë të prirë edhe përgjëra të tilla.

 

Mirëpo, nga këto mendime më ndau frymëmarrja e saj që tani e ndjeva edhe më shumë, pasi sërish m’u afrua afër.

 

-         Më duhesh i fuqishëm! -më pëshpëriti.

 

-         Merre pije këtë! – m’u drejtua pastaj.

 

Ajo kokrra e vogël që ma lëshoi në shuplakë dore, i vuri kapak dyshimeve të mija që m’u krijuan brenda kokës sime se kemi të bëjmë me një të atillë çfarë më shkoi ndërmend para pak sekondash. Në këtë konkludim isha i shtyrë nga sjelljet esaja të papritura e të pakuptimta për mua.

 

Shikimi im tani u përul kah shuplaka ime. Nuk i kisha parë asnjëherë se si dukeshin, por nga përshkrimi që më kishte bërë një mik, e kuptova që mund të ishin nga ato tabletat si i thonë, Viagra, Cialis, apo ku ta di, ndonjë tabletë e llojit tjetër, por me të njëjtin efekt.

 

Fjalët që u bëra gati t’i shqiptoja “Moj e çmendur,moj e përdalë!”, i gëlltita me hapin. Pse jo?! Pse të bëhem unë i mençur ibotës e ta luaja rolin e moralistit, kur pata dëgjuar edhe më parë se nëpër pushime, i ndodh shumëkujt të përfshihet në aventura të tilla të papritura, ndërkohë që nuk flitej asnjëherë që dikush të jetë tërhequr, përkundrazi i vlerësojnë si kujtime të mira?!

 

-         Shumë mirë, iu përgjigja, për të vazhduar me pyetjen: E ti a more diç për veten tënde? 

 

-         Flet përçartë, pusho maskara!- ma ktheu ajo, prapë me buzagaz, duke ma bërë edhe me dorë, m’u sikur kurtë  thuhet:  “Mos etepro!”


E unë e ndjeva se nuk ishte momenti për të pushuar, por përkundrazi ta bëja atë që u deshtë ta bëja edhe më herët dhe kur u nisa si kalorësi në betejë, duke kalëruar drejt kalasë së saj ku sundonin buzët, për t’i pushtuar, më ndërprenë vetë ato duke ma bërë një prezantim

 

-         Kjo është motra!  - më tha ajo, duke shikuar në të djathtë të saj. 

 

Ndoshta kishte qenë gjithnjë aty, ama vetëm tani kur ma prezantoi e pashë se me ne ishte edhe një femër tjetër. Ndonëse edhe ajo ishte e bukur, bile si duket, ishte prej atyre që nuk kishte probleme me përmasa që mund ta shqetësonin, për çudi e mora si me inat, e më ngjalli neveri.

 

Ndoshta, pse ma prishi kalërimin tim drejt kalasë që doja ta pushtoja pak më parë. Nuk e di! Por, disi e ndjeva nevojën të isha më agresiv ndaj saj dhe kur desha t’i thosha, pse nuk ja fut vrapit të shkosh të tretesh në valë deti, më ndërpreu zëri që erdhi nga goja e buzëve të papushtuara, të cilat më thanë: 

 

-         Të lutem i dashur, lejo të merret motra me ty!

 

Ngakjo që dëgjova u trullosa edhe më tepër dhe e humba vetën edhe më thellë në këtë situatë të pakuptimtë. Më nuk merrja vesh asgjë.

 

E tek duart e saja u nisën në drejtim timin, seç më hipi një inat i madh, andaj duart e mia iu kundërvunë asaj, teksa shtrëngonin fortë brekët sportive që i kisha veshur e që ishin të stilit të kombëtares së Kosovës, sepse ishin me ngjyrë të kaltër, e me shirita të verdhë anash. Mungonin vetëm yjet. 

 

Nuke di pse ishte kapur për to, sikur të ishte ndonjë fanse e flakët e kombëtares kosovare dhe i donte ndoshta si kujtim, por edhe unë isha i vendosur të mos lejoja të më binin poshtë dhe pas përpjekjeve nga të dyja anët, për fatin tim të mirë, Kosova doli fitues në këtë betejë, sepse motra e saj u dorëzua, e u tërhoq.

 

Pas këtyre veprimeve vlerësova se u mbush kupa nga loja e tyre dhe isha i gatshëm të hiqja dorë nga ndonjë aventurë e mundshme sepse njëmend u teprua. Kur desha të filloja me fjalorin qortues, në drejtimin e të dyjave, për të mos i kursyer fare, seç u shfaq përpara një trup mashkulli që ma mori gojën. 

 

Nuk e di a bëri punë frika, apo diç tjetër, por vërtetë nuk nxjerrja dot fjalë. Sytë disi më mbylleshin, e në mendje përpiqesha të gjeja zgjidhjen. T’i arsyetohesha atij që mund të ishte i dashuri i ndonjërës prej atyre dyjave, t’i kërkoja falje, apo të mbahesha i pafajshëm?!  Por nga të gjitha këto mendime më ndërpreu dora e tij e djathtë që u palos mbi faqen time të majtë dhe dora e tij e majtë, që u palos mbi faqen time të djathtë,  edhe atë disa herë: tap, tap e tap!

 

Këto shuplaka të dhëna nga ato duar të vrazhda të tij, më shkundën mirë nga ajo kllapi ku kisha rënë për të më kthyer në realitet, e këtë e kuptova kur sytë e mi zunë librat e vendosura në raftin karshi shtratit të dhomës sime të fjetjes ku isha i shtrirë. E i kthjellur tani pashë qartë edhe bashkëshorten time të merakosur, ulur pranë meje, e në tjetrën anë të shtratit rrinte një infermiere, derisa doktor Besimi, ai që më kishte shkundur shuplakë për të më prurë në vete, qëndronte në këmbë.

 

-         Erdha sa më parë që munda, tha doktori me shikim kah gruaja ime, duke hequr pallton dhe hapur çantën e tij. 

 

-         Si është? - e pyeti ai gruan time.

 

-         Jo mirë, doktor, ia ktheu ajo.

 

-         Në të shumtën e kohës ndodhet në jermi e flet përçartë, diçka të pakuptueshme. Ka temperaturë trupore mbi tridhjetenëntë, mezi e piu një paracetamol, ndërsa infermierja as që pati mundësi t’i ia bëjë një gjilpërë, përkundër përpjekjeve të pareshtura, sepse ishte shumë agresive ndaj saj. 

 

-         Mirë, mirë, - tha doktori, tani do të merrem unë me të.

 

E, fytyra ime e zbehur dhe e djersitur qull, nga një e ftohur e rëndë që më kishte kapluar që sa ditë, ende kishte atë pamje sikur të mos kisha parë një doktor, për më tepër edhe të njohur, por një lugat ose më mirë të themi një prishës ëndrrash!

 

Muhamet HALILI

 

Kthehu mbrapa

Shto koment