Viti shkollor fillon më 3 shtator

22.08.2012 (komentet: 0)

Bazuar në kalendarin shkollor 2012-2013, të nxjerrë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), mësimi pritet të fillojë më tre shtator dhe të mbarojë më 20 qershor. Zyrtarë të saj kanë thënë se nuk ka ndryshime nga kalendari i vitit shkollor, që e lamë pas.


Në bazë të tij, viti shkollor do të fillojë më 3 shtator
Zyrtarë të ministrisë kanë thënë për gazetën ‘Lajm’ se nuk do të ketë ndryshime nga kalendari paraprak, me përjashtim nëse Qeveria e Kosovës merr vendim të ndryshojë datat e festave. 

Këshilltari për medie në MASHT, Ragip Gjoshi, ka thënë se tanimë është miratuar versioni i kalendarit përfundimtar, me ç`rast mësimi do të fillojë më tre shtator dhe do të përfundojë mё 20 qershor të vitit 2013.

‘Gjysmëvjetori i parë mbaron më 21 dhjetor, kurse gjysmëvjeori i dytë fillon më tetë janar dhe mbaron më 15 maj për nxënësit, të cilët mbarojnë shkollën e mesme të lartë, të klasës 12 dhe 13’, ka thënë Gjoshi. 
Më tutje, ai ka thënë se deri më pesë qershor do të zgjasё mësimi për klasët e nënta, kurse më 20 qershor do të përfundojë mësimi për klasët e para dhe të teta. 

‘Nuk ka ndryshim të kalendarit nga ai paraprak, vetëm nëse ndryshojnë datat e festave nga Qeveria e Kosovës, për çka është paralajmëruar’, ka thënë ai.

Ndërkaq, sa i përket idesë së zgjatjes së vitit shkollor, njëjtë si në vendet perëndimore dhe shkurtimin e pushimit vjetor, Gjoshi ka thënë se njëherë për njëherë nuk pritet të ketë ndryshime, pasi që ende nuk ka filluar të praktikohet Korniza e re e Kurrikulumit.
Bazuar në të parashihet që pushimi vjetor të mos zgjasё dy muaj, por vetëm 3-4 javë, kurse ditët mësimore të zgjaten gjatë vitit shkollor. 

Kthehu mbrapa

Shto koment