Vepra e Bekim Fehmiut - trashëgimi e përbashkët e Ballkanit

22.01.2012 (komentet: 0)

Pejë, 22 janar - Flamuri i NATO-s, ai SHBA-së , i Shqipërisë dhe i Kosovës bashkë me një bust të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, përbënin prapaskenën e një paneli i cili ka folur për aktorin Bekim Fehmiu.

Përballë folësve ka qenë publiku që nuk e ka mbushur as gjysmën e sallës. E kjo e ka ngacmuar njërin nga panelistët, aktorin Enver Petrovci, që ta niste rrëfimin e tij për aktorin e madh shqiptar tashmë të ndjerë. Fehmiu u shua më 15  qershor të 2010-s. 

“Nuk po çuditem që salla nuk është e stërmbushur. Sepse të rinjtë nuk e njohin shumë. Dhe nuk kanë faj”, ka thënë Petrovci. Duke vënë bast se shumica e të rinjve nuk dinë më shumë sesa një film të Fehmiut, ai ka rrëfyer atë që e ka cilësuar fatin e jetës së tij. 

“E kam njohur Bekimin kur isha student në Beograd dhe që nga atëherë e kam pasur idol”, ka thënë Petrovci. Të njëjtën gjë ai ua ka rekomanduar edhe të rinjve të pranishëm në sallën e ftohtë të Kuvendit Komunal të Pejës. 

“Bekimi është shembulli më i mirë se si një njeri, prej një varfërie bëhet shqiptari më i njohur në Ballkan dhe në botë”, ka thënë Petrovci. 

Ani pse projekti i organizuar nga shoqata “Trentino con il Kossovo” - që ka sjellë në Kosovë tribunën “Bekim Fehmiu - pasuri bashkëkohore” dhe ekspozitën “Bekim Fehmiu - Pasuria e humbur në heshtje” tenton të trajtojë aktorin e madh si një trashëgimi e përbashkët e tri vendeve të Ballkanit - si Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Kosova - Petrovci megjithatë ka thënë se aktori ka qenë shqiptar. 

“Mbaj mend se nëse ke thënë një batutë për shqiptarët ai ka qenë në gjendje edhe të ta jepte një shuplakë të fortë”, ka thënë Petrovci.

Kthehu mbrapa

Shto koment