Vendimin i Drejtorisë së Arsimit për ndalimin e kurseve private nuk po e zbatohet

15.12.2014 (komentet: 0)

 

T.M. nxënës i klasës së VIII-të ka thënë se ka raste kur nxënësit nëse nuk shkojnë në kurs te arsimtari i caktuar, nuk marrin nota të dëshiruara, edhe pse i meritojnë ato.

 

 Nga Valon Rashiti, Gazeta Sheshi

 

“Edhe pse të njëjtën lëndë mësimore e ndjek në shkollë, nga po i njëjti profesor, ti duhet patjetër të vijosh kurs tek ai nëse dëshiron notë kaluese, kjo ndodhë edhe tek nxënësit e dalluar”, ka thënë T.M.
Ai ka sqaruar se edhe vet ka ndjekur dhe është duke ndjekur kurse, po nuk ka dashur që të zbulojë as lëndët e as arsimtarët që u mbajnë kurse. Çmimet për vijimin e kurseve të tilla janë të larta, gjithashtu edhe kushtet në të cilat organizohen dhe planprogramet që ofrohen nuk plotësojnë as kushtet minimale për aftësim.

Përkundër miratimit të një rregullore nga Kuvendi Komunal në Gjilan, që ia ndalon mbajtjen e kurseve mësimdhënëseve disa prej tyre, po vazhdojnë të marrin edhe një rrogë plus, nga kurset private me nxënës. Në rregulloren mbi Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve në Institucionet Edukativo Arsimore dhe Aftësuese në Komunën e Gjilanit në nenin 3 pika 2. 1 thuhet se është e ndaluar mbajtja e mësimit (kurse) për nxënës, imponimi për blerjen e mjeteve, marrja e mitos nga nxënësit, prindërit apo nga të tjerët për përmirësim të notave, kalim klase, dhënie provimi apo forma të tjera të ngjashme me qëllim të përfitimit material.

Nazmi Musa, Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, thotë se me miratimin e rregullores është menduar se këto kurse do të ndalen.

“Të gjithë ata mësimdhënës që nuk po e respektojnë këtë rregullore do të largohen nga puna”, është shprehur Musa.

Sipas tij, mësuesi e ka për obligim që të punojë me nxënës, gjatë orës mësimore dhe ka kërkuar nga të gjithë drejtorët e shkollave, që t’i sjellin emrat e të gjithë arsimtarëve që vazhdojnë të mbajnë kurse private.

“Kemi pasur edhe ankesa nga prindërit të cilët kanë plotësisht të drejtë sepse të gjithë jemi kundër mbajtjes së këtyre kurseve”, ka shtuar Musa.

Musa thotë se ka shumë të rinjë, që presin për një vend pune dhe se ata që dëshirojnë me mbajt kurse, është mirë me u largu vullnetarisht nga puna.

Ismet Azizi, mësimdhënës në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ultë “Abaz Ajeti”, thotë se mbajtja e kurseve private-ilegale padyshim që është konflikt i interesit, mësimdhënësi është i thirrur që t’i aftësojë nxënësit gjatë nëntë muajve sa e përcjell procesin edukativo-arsimor, ai është i obliguar t’i mbaj edhe orët shtesë për nxënësit që ngecin në përvetësimin e mësimit, kurse për orët private ata që dëshirojnë duhet të regjistrojnë veprimtarinë  e tyre në bazë të ligjeve që rregullojnë këtë fushë të rëndësishme.

“Kurset private, të cilat mësimdhënësit i mbajnë me nxënësit e tyre nëpër shtëpi dhe lokale të ndryshme, kanë ndikuar në masë të madhe në uljen e autoritetit të mësimdhënësit dhe shkollës në përgjithësi”, ka shtuar Azizi.

Sipas tij, problemi i kurseve private mund të eliminohet me hapjen e shkollave verore dhe dimërore për nxënës të interesuar. Më së miri këtë do ta bënin shoqatat e ndryshme të pedagogëve, nga cila do lëndë qoftë, me mësimdhënës të dalluar të cilët janë dëshmuar me sukseset e arritura në shkollat e tyre ku punojnë.

“Për fat të keq pikërisht në ato lëndë ku më së shumti prindërit ndajnë mjete, si në matematikë dhe gjuhë angleze suksesi  i nxënësve në testin e arritshmërisë dhe në atë kombëtar është më i ulëti. Prindërit dhe nxënësit gjatë kësaj periudhe të pas çlirimit janë ballafaquar me lloj lloj, keqpërdorimi material nga mësimdhënësit. Keqpërdorime ka pasur dhe ka ende, si në mbledhjen e mjeteve materiale në përgatitjen e testeve të ndryshme, për ekskursione, çka është edhe më e keqja në blerjen e dhuratave të ndryshme për mësimdhënës”, ka thënë Azizi.

Azizi thotë se Drejtori i Arsimit në Gjilan, ka bërë hapat e parë për ta çliruar shkollën nga aktivitetet e pa hijshme. Mendoj se është këmbëngulës që nxënësit t’i çliroj nga kurset private, të cilët zhvillohen nën presionin e marrjes së notës më të mirë. Kurset private me nxënësit janë në shkelje të plotë të etikës dhe standardeve profesionale. Prindërit dhe nxënësit  dëshmojnë për çdo ditë se si ato po kthehen në sjellje korruptive dhe po bëjnë që ora e mësimit t’i largohet qëllimit. Shkolla duhet të punoj , që nxënësit të kenë të gjithë asistencën e nevojshme dhe nuk duhet lejuar abuzime të tilla. Çdokush në shkollë që nuk zbaton Kodin e Etikës dhe Standardet e Cilësisë dhe Barazisë, nuk mund ta meritojë të jetë pjesë e sistemit arsimor.

“Duhet njëherë e përgjithmonë ta kemi të qartë se prindërit dhe komuniteti duhet ta luaj rolin e vet që duhet ta kenë. Shkolla dhe mësimdhënësit janë në shkollë për nxënësit , e jo nxënësit për shkollën dhe mësimdhënësit”, është shprehur Azizi.

Fehmi Syljemani, anëtarë i Kuvendit Komunal dhe profesor në gjimnazin “Zenel Hajdini”, në Gjilan thotë se a janë ndalë kurset private apo jo, për momentin nuk jemi në gjendje ta konstatojmë për faktin se ne jemi parti opozitare, nuk udhëheqim asnjë komitet apo trupë tjetër të kësaj natyre dhe nuk kemi qasje direkt  në organet e larta komunale. Ne mund të kemi vetëm të dhëna jo zyrtare, derisa këtë mund ta vërtetojnë vetëm organet më të larta arsimore në komunë, e të cilat edhe ashtu janë të obliguara për ta përcjellë edhe këtë dukuri që është manifestuar në fushën e arsimit.

“Në Komitetin e Arsimit, madje kemi dhënë edhe alternativa e rekomandime të qarta dhe ta kapshme për gjithsecilin, gjë që rrallë ndodh që partitë opozitare japin ide kreative, e më shumë merren me të metat e pozitës. Në këtë rrafsh, LVV,  gjithmonë paraprakisht  identifikon  të metat e organeve qeverisëse lokale, por  në të njëjtën kohë vazhdimisht jep ide dhe propozime që mund të jenë shumë më të pranueshme dhe të domosdoshme në çfarëdo situate apo rrethanë dhe në çfarëdo teme qoftë ajo”, ka shtuar Sylejmani.

Sylejmani thotë se sipas informatave tona, që posedojmë në këtë drejtim Drejtori i Arsimit në Gjilan, ka shfaq qëndrim dinjitoz dhe të prerë  e të rreptë, se çdo kurs privat, që cilësohet se ka të bëj me keqpërdorim, përkatësisht  se ndonjë mësimdhënës punon me nxënësit e tij, do të sanksionohet sipas dispozitave ligjore.

“ Kemi kërkuar që në politikat e ardhshme te arsimit të komunës, në të gjitha shkollat duhet të futet mësimi shtues dhe plotësues për nxënës, ndërsa mësimdhënësit të cilët punojnë në këtë formë të shpërblehen më mjete simbolike. Kjo mënyrë në një masë të konsideruar do ta parandalonte organizimin e kurseve private të mësimdhënësve me nxënës të tyre. Dhe jo vetëm që nuk është logjike, por as njerëzore dhe as morale që një mësimdhënës të merr para nga nxënësi i tij. Ky mentalitet e zbeh tejmase autoritetin e mësimdhënësit”, ka përfunduar Sylejmani.

Kthehu mbrapa

Shto koment