VARFËRI E FRIKSHME

13.03.2013 (komentet: 0)

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore dhe Agjencisë së statistikave japin shifra shqetësuese mbi varfërinë në Kosovë. Afro 30 për qind e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë, kurse 10.2 për qind nën kufirin e varfërisë së skajshme. Varfëria ekstreme është më e shprehur në zonat rurale.

Afro 30 për qind e popullsisë në Kosovë jetojnë nën kufirin e varfërisë, kurse 10.2 për qind nën kufirin e varfërisë së skajshme. Kjo kategori e popullsisë jeton me 1.72 euro në ditë.

Këto janë të dhënat e fundit të Bankës Botërorë dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi varfërinë në Kosovë.

Në raportin “Varfëria në konsum në Kosovë në vitin 2011”, jepen shifra shqetësuese mbi nivelin e varfërisë së skajshme. Varfëria ekstreme është më e shprehur në zonat rurale.

“Duke u bazuar në ABEF-in e vitit 2011, është vlerësuar se 29.7 për qind e popullsisë së Kosovës jetojnë nën kufirin e varfërisë, ndërsa 10.2 për qind e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë së skajshme. Duke krahasuar të dhënat për të tre vjetët, mund të vërehet se shkalla e varfërisë është zvogëluar për 5 pikë të përqindjes prej vitit 2009 në vitin 2010 dhe është rritur në masë të vogël nga viti 2010 në vitin 2011 për 0.5 pikë të përqindjes”, thuhet në këtë raport.

Sipas këtyre gjetjeve, shkallët e varfërisë të tre vjetët janë më të larta në vendbanimet rurale, përveç shkallës së varfërisë së skajshme të vitit 2009 që është më e lartë në vendbanimet urbane.

Nga vitit 2009 në vitin 2010 thellësia e varfërisë është zvogëluar, ndërsa është rritur ndjeshëm nga viti 2010 në vitin 2011. Trend i ngjashëm ka karakterizuar ndryshimet në thellësinë e varfërisë së skajshme. Sipas raportit, thellësia e varfërisë është më e lartë në vendbanimet rurale në 2010 dhe 2011, ndërsa e kundërta qëndron për vitin 2009.

Ndërkaq, thellësia e varfërisë së skajshme është pothuajse e njëjtë në vendbanimet urbane dhe rurale.

“Në vitin 2011 rreth dy të tretat e të varfërve dhe atyre që jetojnë në varfëri të skajshme

jetojnë në vendbanimet rurale. Përqindja e të varfërve që jetojnë në vendbanimet rurale është më e lartë në vitin 2011 për një pikë përqindjeje”, thuhet aty.

Nga anketa ka dalë se një përqindje e madhe e të varfërve jetojnë në ekonomitë familjare me pesë deri në tetë anëtarë dhe atyre me dhjetë e më shumë anëtarë.

Në vitin 2011 shkalla më e ulët e varfërisë ka qenë tek ekonomitë familjare që varen kryesisht nga rrogat nga sektori publik, biznesi privat dhe nga rrogat e sektorit privat.

Sa i përket shpërndarjes së të varfërve në të dy vjetët afër 40 për qind e të varfërve jetojnë në ekonomitë familjare që kryesisht varen nga rrogat nga sektori publik dhe privat.

“Duke krahasuar të dhënat nëpër vite vihet re se shkalla e varfërisë është rritur për ekonomitë familjare që burim kryesor të të ardhurave kanë të ardhurat nga biznesi, remitencat, ndihmat sociale dhe pensionet. Në krahasim me vitin 2010 në vitin 2011 gjendje më e mirë është hasur tek ekonomitë familjare, që kryesisht varen nga të ardhurat e punës me mëditje”, thuhet në këtë raport.

Gjithashtu, ekziston një lidhje negative në mes të varfërisë dhe nivelit të shkollimit. Individët me nivel më të ulët të shkollimit kanë më shumë gjasa për të qenë të varfër në krahasim me ata me nivel më të lartë të shkollimit. Më shumë se një e treta e individëve që nuk kanë përfunduar as shkollën fillore janë të varfër në krahasim me 12 për qind të atyre që kanë shkallë universitare. Rreth dy të tretat e të varfërve kanë më pak se shkollën e mesme të përfunduar.

Në vitin 2011 shkalla më e lartë e varfërisë është hasur në mesin e të papunësuarve dhe të pensionuarve dhe personave me aftësi të kufizuara. Duke u referuar tek përbërja e popullsisë së varfër mund të vërehet se afër 30 për qind e të varfërve të rritur janë të papunë. Përgjatë dy vjetëve shkalla e varfërisë është zvogëluar për personat që aktivitet kryesor kanë punën me mëditje për 11 pikë përqindje. Rritja më e lartë e varfërisë është vërejtur tek personat e vetëpunësuar dhe punëtorët familjarë pa pagesë për gjashtë dhe tri pikë përqindje.

Dallimet ndër vite

- 2011: 1.72 euro dhe 1.20 euro për ekuivalentin për të rritur në ditë

- 2010: 1.61 euro dhe 1.07 euro për ekuivalentin për të rritur në ditë

- 2009: 1.55 euro dhe 1.02 euro për ekuivalentin për të rritur në ditë

Kthehu mbrapa

Shto koment