UP sivjet regjistron 3 mijë studentë më shumë

03.07.2013 (komentet: 0)

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina”, nuk ka ndërmend të marr parasysh ngritjen e cilësisë nëpër fakultet, pasi që edhe në këtë vit ka vendosur të rrisë numrin e studentëve, nga 9 mijë sa ishin në vitin e kaluar në rreth 12 mijë për vitin 2013. Drejtues të UP-së kanë deklaruar se me 9 korrik do të hapet konkursi për pranim të studentëve të rinj.

 

 

Rektori i këtij universiteti, Ibrahim Gashi ka thënë për Kosovapress se nga ky numër, pritet që 2500 deri në 3 mijë studentë të kalojnë në tri universitetet e reja, që do të hapen me 1 tetor të këtij viti.

Gjatë ditës, po ashtu pritet të shpallen edhe rezultatet e Agjencionit të Akreditimit të Kosovës për të gjitha Universitetet dhe Bartësit Privat të Arsimit të Lartë.

“Mendojmë që ta kemi mbledhjen e senatit me datën 8, ditë e hënë, që të marrim vendim për shpalljen e konkursit, sepse Senati i Universitetit merr vendim pastaj me datën 9 do të shpallet konkursi i cili do të jetë i hapur deri me 23 korrik, me 26 dhe me 27 korrik. Ne mendojmë që do të organizohet provimi pranues në të gjitha njësitë akademike të UP-së. Me 30 korrik do të bëhet publikimi i rezultateve, me 31 korrik dhe 1 gusht pranimi i ankesave, të cilat do t’i shqyrtojë një komision i kryesuar nga rektori. Me 5 gusht publikimi i listave sipas ankesa, me 2 deri me 6 shtator do të bëhet regjistrimi i studentëve për afatin e parë”, ka treguar rektori Gashi.

Duke iu përgjigjur informacioneve rreth mundësisë së shtyrjes së vendimit të akreditim për shkak të disa borxheve që i ka UP-ja ndaj Agjencionit të Akreditimit të Kosovës, rektori Gashi ka thënë se janë duke bërë pagesat me rata, dhe dje ka qenë rata e dytë për këtë agjencion.

Ai ka shtuar se të gjitha këto kanë ardhur për shkak se para dy vjetëve obligimet ndaj agjencionit i ka kryer Ministria e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Pardje është bërë pagesa e dytë, dhe në total ne nga borxhi i yni që nuk është mbi 150 mijë euro kemi pagu 100 mijë deri tash”, ka thënë rektori Gashi.

Vitin e kaluar ky institucion publik, pati hapur konkursin me 4 qershor, kurse vendimi i Agjencionit të Akreditimit ishte publikuar rreth dy muaj më vonë, e që sipas rektorit Gashi, kjo është arsyeja e vonesave, pasi që kanë pritur rezultatet e akreditimit në mënyrë të mos përsëritjes së gabimeve sikundër kishte ndodhur vitin e kaluar.

Përveç rezultateve, datës së shpalljes së konkursit i ka parapri edhe përfundimi i testit të maturës shtetërore ka thënë ai.

Kthehu mbrapa

Shto koment