Udheheqesit politike shqiptare takohen me ekipin olimpik shqiptar ne Londer

28.07.2012 (komentet: 0)

Kryeministri i Republikes se Shqiperise, Sali Berisha, i cili ndodhet në Londër në kuadër të nisjes së Lojërave Olimpike Londër 2012, pati një takim me ekipin olimpik shqiptar, stafin e trajnerëve dhe atë organizativ që e shoqëron, në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër, nga ambasadori i saj Mal Berisha.



Në pritje ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrat e Kulturës dhe Sporteve Aldo Bumçi dhe ai i Kosovës Memli Krasniqi, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër dhe miq britanikë me kontribut në zhvillimet e të Shqipërisë, ambasodrët e Kosovës dhe Shqipërisë në Londër.

Siç informon ambasada e Shqipërisë në Londër, Kryeministri Berisha u uroi sportistëve suksese në garimin e tyre, duke shprehur njëherësh besimin se në këtë garë, ata do të arrijnë të zënë vendet që meritojnë.
“Suksesi i juaj i parë është që jeni këtu si përfaqësues të kombit shqiptar. Ndaj jam i bindur se në këtë garë, më e bukura që organizon njerëzimi, ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj”, u shpreh Berisha.

Një përshëndetje të veçantë, Kryeministri Berisha i drejtoi sportistet Majlinda Kelmendi, e cila garon në disiplinën e xhudos, për prezencën e saj në ekipin olimpik; “Ju vini këtu si ekipi i një kombi të bashkuar dhe kjo e ka simbolikën e madhe. Majlinda, ti je faktori më kryesor i këtij ekipi të përbashkët dhe të gjithë jemi tifozët e tu dhe kemi shumë besim se ky akt i yti do të kurorëzohet me suksesin që ti meriton dhe të gjithë sportistët tanë meritojnë”.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga uroi gjithashtu sportistët olimpike për suksese në këto Lojëra. Të gjithë, tha Presidentja Jahjaga, kemi sot, ndjenjën e sportit dhe shpirtin e sportistit, duke theksuar se edhe prezenca në Londër ishte një përkrahje e fuqishme për ekipin tonë.

Kreu i delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike Viron Bezhani, në emër të të gjithë ekipit, tha se ëndrra e sportistëve është ngritja lart e flamurit shqiptar dhe se ata do përpiqen shumë ta arrijnë.

Në mbrëmje, Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja, zonja Liri Berisha morrën pjesë në pritjen që Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeth II dha në Buckingham Palace, për nder të liderëve botërore, që ndoqën ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012.

Përpara pritjes, Kryeministri Berisha në Buckingham Palace, pati një takim të veçantë me Kryeministrin britanik David Cameron.

Kthehu mbrapa

Shto koment