U vu gurë themeli i sallës sportive në shkollën “Abaz Ajeti”

20.07.2015 (komentet: 0)

Nxënësit, mësimdhënësit dhe  prindërit e shkollës “Abaz Ajetit”  sot ishin më të gëzuar se kurdoherë më pare sepse në mënyrë simbolike u vu  gurë themeli i sallës  sportive, e cila do të mundësojë realizimin e aktiviteteve sportive në ambiente moderne dhe me standarde evropiane.

 

 

Në këtë ngjarje të madhe për arsimin dhe cilësinë në mësime, ishin të pranishëm, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ministri i Administratës Publike, Mahir Yakgjilar, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, drejtori i Arsimit, Nazmi Musa dhe drejtor të tjerë të drejtorive komunale.

 

Ministria e Arsimit është financuese e ndërtimit të sallës sportive, por mbikëqyrja do të bëhet nga ministria e Administratës Publike, sepse MASHT – i, do të angazhohet në procesin e cilësisë në arsim, ka thënë ministri Arsim Bajrami.

 

“Në emër të qeverisë së Kosovës dhe ministrisë së arsimit, ju uroj fillimin e kësaj palestre sportive për shkollën tuaj që është  më se e  nevojshme për kulturën fizike në përgjithësi si pjesë e arsimimit të nxënësve. Ne si ministri e investojmë projektin, por mbikëqyrjen do ta bëjë ministria e Administratës Publike, sepse ne do të punojmë në reformën e shkollës dhe ngritje të cilësisë në mësim. Do të merremi me investim tek mësimdhënësit dhe nxënësit, sepse jemi në fazën e ndërtimit të shkollave cilësore. Duhet të ngritët cilësia në edukim dhe arsimim në përgjithësi”, ka thënë ai, duke shtuar se është koha që të krijojmë shkolla të forta e cilësore dhe këto projekte janë në këtë funksion, sepse shkolla nuk është vetëm mësimdhënia, por shumë të rëndësishme janë edhe aktivitetet sportive.

 

Ndërsa, ministri i Administratës Publike, Mahir Yakgjilar, ka thënë se sipas kontratës, kjo  sallë sportive do të jenë të gatshme brenda 120 ditëve.

 

“Si Ministri jemi mbështetëse në këto dy projekte në Gjilan dhe shumë projekte të tjera nëpër Kosovë. Sipas kontratës së nënshkruar, kjo sallë do të jetë të gatshme brenda 120 ditëve. Palestrat sportive janë çështje e rëndësishme, sa i përket zhvillimit edukativ dhe njerëzor”, tha Yakgjilar, duke bërë të ditur se departamenti i inxhinierisë do të jetë monitorues si në aspektin e cilësisë ashtu edhe në atë kohor.

 

Kurse, në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emër të kryetarit Haziri, të pranishmit me këtë rast i ka përshëndetur nënkryetari Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se puna e cila ka nisur sot të bëhet sot në shkollën tuaj  ka bërë që ne si Komunë të ndjehemi shumë mirë për kushtet që do të ofrohen për nxënësit tanë.

 

“Me punën që ka nisur të bëhet sot, bënë që ne si institucione komunale të ndjehemi mirë, sepse po zgjidhet problemi i sallës së edukatës fizike e cila I ka munguar kësaj shkolle. Ky projekt i rëndësishëm dhe me standarde evropiane u ka  munguar kësaj  shkolle dhe komunitetit në këtë lagje, sikur që kanë nevojë edhe shumë shkolla të tjera. Kjo është arritur falë angazhimit të Ministrisë së Arsimit, e cila, i ka orientuar këtë  projekt  në shkollën tuaj  me nevojë më të madhe për këtë qëllim”, tha nënkryetari Kadriu.

 

Ai ka shtuar se këto projekte janë jetike për nxënësit , sepse periudha e vjeshtës, dimrit dhe pranverës së hershme kalonin pa aktivitete sportive të planifikuara, pikërisht për mungesë të ambientit dhe kushteve infrastrukturore.

 

Në emër të drejtorisë komunale të Arsimit të pranishmit i ka përshëndetur dhe falënderuar edhe drejtori i Nazmi Musa, i cili ka thënë se projekte të tilla dëshmojnë për përkushtim ndaj arsimit dhe ndaj krijimit të kushteve për të prekur vlerat gjatë të ardhmes. 

 

Drejtori i shkollës Hetem Kusumi shprehi kënaqësi të veçantë me rastin e fillimit të punëve në ndërtimin e  sallës së kulturës fizike, objekt i cili do të rritë në masë të madhe cilësinë në edukimin e gjeneratave të cilat do të kalojnë nëpër  bankat e shkollës sonë. Por , edhe skeptik sepse projekti aktual për ndërtimin e sallës me objektet përcjellëse dhe  dhomat e mësimit të parashkollorëve kanë pësuar ndryshime dhe nuk përshtaten me objektin ekzistues të shkollës. Edhe mbikqyrësit e projektit nuk janë të kënaqur , sepse ka mjaft paqartësi.

 

Të gjithë folësit  shprehën dëshirën e madhe  që punët të shkojnë sa më mirë. Po për habi që të gjithë iu drejtuan punëkryesit,   duke e lutur  që  punët të kryhen me kohë, pra në afatin e paraparë, sikurse mos ta ketë obligim ligjor Afat i cili përket me festat e 28 nëntorit, kur është edhe afati i kryerjes së punimeve.

Shpresojmë se punët do të shkojnë si duhet, dhe nxënësit dhe mësimdhënësit  dimrin ta presin për herë të parë me sallë të edukatës fizike dhe aneks të ri për parashkollorët tanë.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment