U promovua libri “Renovimi i klasave”

11.02.2012 (komentet: 0)

Të gjithë ata që janë të interesuar për përmirësimin e ambientit në klasë, në mënyrë që nxënësit të ndjehen më të lumtur, më rehat dhe të mësojnë më mirë, tashmë do të kenë mundësi që të marrin instruksione nga libri "Renovimi i klasave", i cili është promovuar sot në një ceremoni solemne të organizuar nga programi i USAID-it "Basic Education Programe (Programi për Arsimin Themelor)" , në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

 

 

 

 

Duke qenë se tashmë është filluar me këtë program, i cili ka zgjuar interesim të madh te komuniteti në përgjithësi, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, theksoi se nga programi ne po përfitojmë dyfish, sepse përmes rregullimit të ambinetit të shkollave, ndër të tjera po përfitojmë edhe bashkëpunimin mes shkollave, prindërve dhe bizneseve.

"Besojmë se përmes këtij libri edhe shkollat tjera do të marrin instruksione për rregullimin e klasave të nxënësve, ndërsa iu sygjerojmë edhe Drejtorive Komunale të Arsimit që të ndajnë në pjesë të mjeteve edhe për këtë qëllim", tha zv/ministri Mustafa. Dhe falenderoi USAID-in, i cili po ndihmon në përmirësimin e ambienteve shkollore dhe në sgmente tjera.

Ndërsa, përfaqësuesja e USAID-it për zhvillim ekonomik, Elizabet Santucci, theksoi kureshtjen dhe interesimin që ka zgjuar ky program në shkollat ku tashmë është realizuar. Ajo tha se librin do ta kenë të gjitha shkollat e Kosovës, ndërsa tha se programi do të ndihmojë në renovimin e 100 klasave për 2 vjet radhazi. "Nuk është e mjaftueshme për të plotësuar të gjitha kërkesat, por ky libër ndihmon prindërit, mësimdhënësit dhe shkollat që të bëjnë ndryshime në ambientet shkollore me një çmim shumë të ulët. Edukimi nuk mund t'i lihet vetëm Qeverisë, por i gjithë komuniteti duhet të përfshihet në edukimin e fëmijëve", tha ajo.

Bajram Beqiri, kryetar i Komitetit të Prindërve të Kosovës theksoi rëndësinë e madhe që ka ky program në funksionimin e bashkëpunimit të shkollës me prindërit, e që shkon në të mirë të nxënësve.

Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Vushtrri, është shkolla e parë e cila ka përfituar renovimin e një klase nga ky program, ndërsa që atëherë prindërit dhe komuniteti lokal janë organizuar dhe kanë renovuar të gjitha klasat.

Programi për Arsimin Themelor është një iniciativë 5 vjeçare e dizajnuar për t'i kontribuar të gjitha shkollave publike fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë, e cila është financuar nga USAID-i dhe Qeveria e Kosovës.

Programi përfshinë tri komponente: 1)Ngritja e kapaciteteve menaxhuese të shkollave në mjedis të decentralizuar; 2)Përmirësimi i vlerësimit të rezultateve të të nxënit; 3)Përmirësimi i ngritjes profesionale të mësimdhënësve pa shkëputje nga puna.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment