U mbajt “Olimpiada e Matematikës së Kosovës 2014

09.03.2014 (komentet: 0)

Ardita Berisha, nxënëse e shkollës “ Musa Zajmi në Gjilan, wshtw fituese e çmimit të parë për klasën e 9.

 

artikuj

 

Kosova është në rrugë të drejtë të zhvillimit dhe përparimit të fushës së matematikës edhe pse ajo vazhdon të jetë sfiduese, mirëpo falë studentëve që tregohen të suksesshëm në Kosovë, matematika në vend tonë, ka filluar të rimëkëmbet. Ketë e dëshmuan edhe 12 fituesit e Olimpiadës së 6 të Matematikës së Kosovës. Kështu u tha nga anëtarët e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, të cilët në bashkëpunim me kolegjin “ Mehmet Akif” , organizuan këtë olimpiadë, transmeton kosovapres.

Në këtë garë morën pjesë nxënës nga e gjithë Kosova që nga klasa e 9 deri në klasën e 12, nga ku nga secila klasë u zgjodh vendi i parë, vendi i dytë dhe ai i tretë. Ndërsa më të mirët e më të mirëve, ata që e fituan vendin e parë janë , Ardita Berisha nga klasa e 9-të, Arbër Abdullahu nga klasa e 10, Florent Bajrami, garues nga klasa e 11 dhe Valdrin Sherif, i cili ishte më i miri nga klasa e 12.

Qamil Haxhimberi, kryetar i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, tha se matematika në vendin tonë është drejt zhvillimit.

“Ne ishim të shqetësuar se a do të jemi të përpiktë në vlerësimin tuaj dhe sa më të saktë dhe sa më të arsyeshëm. Por, mendoj që të gjithë kryen detyrën në mënyrën më të mirë aq sa mundëm e ditëm. Sot të gjithë ne jemi më të lehtësua..Rezultatet e tyre i nderojnë së pari vet ata, mësuesit e tyre, prindërit të tyre dhe ne na bëjnë të besojmë dhe të shpresojmë që jemi në rrugë të mbarë dhe drejtë të zhvillimit dhe të përparimit të matematikës tek ne.” ka thënë Haxhibeqiri.

Ndërsa profesori i matematikës në UP Qendrim Gashi, e ka vlerësuar si sfiduese matematikën në Kosovë. Mirëpo sipas tij, fal studentëve të suksesshëm, matematika në vend është duke u rimëkëmbur.

“Është një mundësi jashtëzakonisht e mirë që ne të investojmë në matematikë duke qenë se investimi është shumë i vogël kurse përfitimi është shumë i madh. Matematika në Kosovë vazhdon të mbetet me sfida mirëpo fal nxënësve fitues që pastaj po bëhen student të suksesshëm ne po fillojmë të rimëkëmbemi”, tha Gashi.

Kurse protagonistët e kësaj gare, e vlerësojnë si ngjarje të rëndësishme për ta.

Valdrin Sherifi, nxënës i gjimnazit “ Sami Frashëri” në Prishtinë, si dhe fituesi i vendit të parë në kategorinë e nxënësve të klasës së 12, tha se me pjesëmarrjen e tyre në këto gara, konkurrentët kuptojnë se në çfarë niveli gjendet matematika në vend, dhe se në çfarë duhet të arrihet ajo.

“Po ndihem shumë mirë që kam marr pjesë në Olimpiadën e 6 Matematike të Kosovës. Kjo është ngjarje shumë e madhe, për shkak se marrin pjesë shumë nxënës të ri që merren me matematikë dhe ndihem shumë mirë që e kam fituar vendin e parë... Na pret edhe një garë tjetër e cila do të mbahet me 30 mars që prej saj do të përzgjidhet ekipi përfaqësues i Kosovës në garat ndërkombëtare të matematikës. Konkurrenca sigurisht është konkurrencë e rënd, shpresoj që do të kualifikohem dhe ta përfaqësoj Kosovën denjësisht në garat ndërkombëtare të matematikës që do të mbahen me 1 deri në 13 korrik në Afrik të Jugut”, ka thënë Sherifi.

Edhe Ardita Berisha, fituese e çmimit të parë për klasën e 9, e cila është nxënëse e shkollës “ Musa Zajmi në Gjilan, ndihet e kënaqur me arritjen e saj në këtë garë.

“Ka qenë kënaqësi mjaftë e madhe marrja pjesë së pari në këtë garë pastaj edhe zënja e vendit të parë, për shkak se garat janë mbajture edhe në nivel mjaftë të duhur dhe shpresoj që edhe vitin e ardhshëm të ndodh e njëjta, ta zë vendin e parë.” ka thënë ajo.

Ndryshe, në këtë olimpiadë vendi i parë u shpërblye me 200 euro, i dytë me 150 euro dhe ai i treti me 100 euro, si dhe të gjithë këta 12 fitues morën edhe mirënjohje nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.

Gjithashtu, në fazën e dytë të këtij aktiviteti fituesit e kësaj olimpiade pas përgatitjeve të mëtejme, u tha se do të vazhdojnë garën në zgjedhjen gjashtë më të mirëve të cilët këtë vit, ata do ta përfaqësojnë vendin tonë në olimpiadën ndërkombëtarë të matematikës e cila do të mbahet në Afrikë të Jugut.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment