Tri libra, një lexim

02.02.2012 (komentet: 0)

Përmbi librat e historisë, të politikës dhe të letërsisë, shkruar nga Blendi Fevziu, Edi Rama dhe Ben Blushi

Mehmet Kraja

Në Panairin e Librit në Tiranë, jo shumë kohë më parë, vëmendjen e medies e tërhoqën katër libra të botuar së fundi, afërsisht sipas kësaj radhe: “Kohë e pamjaftueshme” nga Helena Kadare, “Enver Hoxha” nga Blendi Fevziu, “Kurban” nga Edi Rama dhe “Shqipëria” nga Ben Blushi. Ndonëse të zhanreve dhe të interesimeve të ndryshme, nga medialiteti i dendur që anonte në krah të këtyre librave, u la të kuptohej se ky panair do të mbahej mend për prurje të rëndësishme dhe se shqiptarët, më në fund, kishin gjetur librat që kënaqnin shijet e tyre.


Në të vërtetë, ende pa u mbyllur Panairi, një vrojtuesi të vëmendshëm nuk mund t’i shpëtonte fakti, se ndërmjet këtyre katër librave u bë një diferencim i menjëhershëm. Pasi shkëputën nga libri një sërë rrëfenjash dhe i përdorën e shpërdorën sipas ëndjes së tyre, media filloi të linte mënjanë librin e Helena Kadaresë dhe iu sul tre librave të tjerë, mbase e vetëdijshme se “Kohë e pamjaftueshme” nuk mund të “bluhej” në të njëjtën radhë me tre të tjerët. Pak i nxitur nga kureshtja, por më shumë si lexues profesionist, i vura pranë katër librat dhe i lexova po sipas kësaj radhe. Për librin e Helena Kadaresë nuk do të bëj fjalë me këtë rast, sepse ai nuk është “i radhës”, ndërsa për tre të tjerët do të bëj të ditur përshtypjet e mia, tanimë i pandikuar nga propaganda (nuk është reklamë, është pikërisht propagandë!) e medies.

Blendi Fevziu: “Enver Hoxha”


Libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën mban nëntitullin “E para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën”, një fjali që do t’iu shkaktojë dëme të mëdha historianëve, sepse konsumon reklamën më përmbajtësore për një libër biografie, po të ishte e mbështetur. Për shkak të kësaj fjalie, lexuesi do të kalojë me durim orë të tëra, duke kërkuar nëpër faqet e këtij libri atë që është esenciale, pra dokumentet. Por, do të zhgënjehet shpejt, sepse libri nuk ka dokumente, ose i ka aq të paktë dhe aq të parëndësishëm, sa nuk dëshmojnë asgjë më shumë se të vërtetojnë gjërat e ditura.

Teza e autorit se Enver Hoxha është “i keqi” nuk ka pasur nevojë të ekzagjerohet më shumë nga ç’ka qenë e ekzagjeruar, sepse edhe ashtu Enver Hoxha sillej, të thuash, në suazat e një legjende të frikshme; por ka pasur nevojë të vërtetohet, që domethënë të hiqet nga figura e tij mjegulla e legjendës, e rrëfimeve të tërthorta, e thashethemeve, e projeksioneve gjysmë-mistike dhe gjysmë-fantastike dhe të vendoset në një kuadër real, të dëshmuar dhe të dokumentuar. As ideja e autorit, herë e mbështetur më fuqishëm e herë e braktisur pavëmendshëm, se Enver Hoxha ka qenë më i keqi i sërës së tij, nuk kishte pse të theksohej aq shumë, sepse, nga ajo që ka qenë e njohur edhe më parë, nuk ishte punë e vështirë të vihej në përfundim se bëhej fjalë për një bandë kriminelësh, për një lahuni ujqërish, të cilët, në ritualin makabër të presë dhe të gjakut, shqyenin edhe njëri-tjetrin. 


Thënë me një fjalë, problemet e diskursit historik të Fevziut, përveç tjerash, shfaqën në të kuptuarit e dëshmisë, të faktit të dokumentuar, gjë që nuk iu ndodhë historianëve të vërtetë; si dhe në mosdiferencimin e qartë të mediumit të librit nga mediumi i televizionit, që kanë specifika të dallueshme dhe nuk mund të përzihen me njëri-tjetrin. Dëshmia gojore, pra rrëfimi i dëshmitarëve ka vlerë në mediumin e televizionit, por nuk e ka atë peshë relevante në tekstin e shkruar, veçmas jo në libër. Prandaj libri i Blendi Fevziut, megjithëse i zhanrit të publicistikës historike, në shumë raste të ngjan me rrëfim dokumentar në TV, ose me një synop për një emision dokumentar: sipërfaqësor, trivial, propagandistik, komunikativ por i zbrazët. 


Një libër për Enver Hoxhën, natyrisht, mund të jetë edhe i këtillë, vetëm se ai nuk duhej të mbante këtë nëntitull, veçmas jo pjesën e parë të tij: “E para biografi bazuar në dokumentet e arkivit personal...”, ndërkohë që “rrëfimet e atyre që e njohën” (kryesisht rrëfime të traumatizuarve nga dhuna e Enver Hoxhës dhe nga “dhuna” e kamerës televizive) janë mbështetja kryesore për autorin. Më anë tjetër për një kohë të gjatë do të na mbetet në mendje dëshmia, të cilën na e sjell vetë Blendi Fevziu: Enver Hoxha mbante shënime, një kohë ka mbajtur edhe ditar. Shënimet që nuk botoheshin, ndërkaq, “shtypeshin dhe kalonin në fondin e tij”, thotë Blendi Fevziu, duke shtuar, së fundi, edhe zbulimin që do ta entuziazmonte çdo historian apo biograf të Enver Hoxhës: “Ditarët e Hoxhës gjenden tanimë në Arkivin Qendror të Shtetit, të lidhur në disa dhjetëra vëllime” (“Enver Hoxha”, faqe 227.). Apo e dhëna tjetër edhe më grishëse: një kopje e shënimeve të Miladin Popoviqit, mbajtur me dorën e tij, gjatë tre vjetëve të qëndrimit në Shqipëri, shkruar me alfabet cirilik, “të papërkthyera”, po ashtu gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit (Po aty, faqe 68.). Pikërisht, në këto dy zbulime të pashfrytëzuara të Blendi Fevziut qëndron libri i vërtetë i çdo biografie të Enver Hoxhës, dhe jo në dëshmi gojore, të thëna kurdo e sido; në citimet e gjata nga librat e Enver Hoxhës, apo të autorëve të njohur ose panjohur.


Meqë libri kishte synim edhe lexuesin e Kosovës, do vërejtur se lënda e ofruar nga Blendi Fevziu për lexuesin kosovar është shumë më e paktë nga ajo që e dinin njerëzit e zakonshëm në Kosovë për Enver Hoxhën, për kohën e luftës apo për periudhat e mëvonshme. Dëgjues të rregullt të Radio-Tiranës dhe të Radio-Kukësit, ndjekës të vëmendshëm të të gjitha fjalimeve të Enver Hoxhës dhe të zhvillimeve të tjera rreth Shqipërisë dhe Kosovës, kosovarët nuk kishin aq nevojë t’u rikthehej në vëmendje ai diskurs, sikundër që nuk kishin nevojë që për raportet e Enver Hoxhës me Kosovën të bëhej me dije çfarë thoshte Fadil Hoxha ose Vladimir Dedieri. Ata kishin nevojë të dinin gjëra të tjera, të pathëna deri më sot, të tilla që ka me shumicë, por që, për fat të keq, nuk do t’i gjejnë as në këtë libër. 


Edi Rama: “Kurban”


Mendimi politik shqiptar, sikundër edhe shkrimi politik, nuk është aq i varfër dhe nuk paraqitet i vonuar në krahasim me dijet dhe llojet e tjera të shkrimit ndër ne. Shkrimi politik shqiptar është i njëkohëshëm me zhvillimet më të rëndësishme politike të periudhës së Rilindjes Kombëtare, duke shënjuar në memorien historike të kombit ide kapitale, të cilat e kanë shoqëruar zhvillimin e tij nëpër të gjitha fazat. Mjafton të sjellim në vëmendje të lexuesit të parin dhe më të rëndësishmin libër të Rilindjes në fushë të shkrimit politik, veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhëtë”, për t’ia lënë vendin pastaj Konicës skrupuloz dhe në shumë pika të pakapërcyeshëm, si dhe një vargu të gjatë dinjitarësh, të cilët përbëjnë elitën e mendimit politik shqiptar, si Merxhani, Skëndo, Milo etj. Edhe periudha e diktaturës në Shqipëri, njësoj si ajo e socializmit vetëqeverisës në Kosovë, e kishte mendimin e saj politik, me kufizime ideologjike natyrisht, por që kishte një mendim politik, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Njëzet vitet e fundit, ndërkaq, shquhen për masivizimin e jashtëzakonshëm të politikës në suaza kombëtare, sikundër edhe për qarkullim intensiv të ideve kontemporane.


E bëra këtë hyrje, për të thënë se një libër politik as te ne tashmë nuk mund të shkruhet pa një korpus idesh, sikundër që nuk mund të shkruhet pa pasur në vëmendje një traditë shkrimi, e cila vetvetiu e bën të krahasueshme çdo gjë që thuhet me atë që tashmë është thënë një herë, që është e njohur dhe e ditur. Mbi të gjitha, shkrimi ynë politik duhet të marrë në konsideratë një nivel intelektual të lexuesit të kualifikuar, i cili nuk guxon të fyhet me kaq lehtësi, duke i ofruar në trajtë libri observime çfarëdo qofshin ato, të privuar nga një minimum idesh. 


Libri i Edi Ramës, pra, është libër pa ide politike, i shkruar për qërim hesapesh me kundërshtarët e tij, jo mbi bazën e kundërthënieve dhe të kundërshtive të rrafshit të ideve e të pikëpamjeve, të programit politik apo partiak, por ekskluzivisht të veseve njerëzore. Prandaj, që në faqet e para lexuesi duhet të vendosë: dëshiron ta ndjekë më tej në lexim Edi Ramën, duke sakrifikuar dijen e vet politike, kodet e veta etike, kulturën dhe çdo gjë tjetër që lidhet me minimumin e dinjitetit, apo duhet të ndalet në çast dhe një libër të këtillë ta konsiderojë shkrim të padenjë, që buron nga një politikë gjithashtu e padenjë. 


Gjatë leximit e mora në konsideratë faktin se Rama ishte kryebashkiak i suksesshëm dhe u përpoqa të qartësoj në mendje vizionin e tij për Tiranën. Më rezultoi pak kaotik, por, mbi të gjitha, i tillë që mban përbrenda dobësinë më të madhe të politikës shqiptare: çdo gjë të mirë ia atribuon vetes; çdo gjë të keqe, të paarrirë, të dështuar, ua atribuon oponentëve të tij. Ndonëse në përgjithësi kam lexuar një numër jo aq të papërfillshëm librash me kujtime dhe memoare të protagonistëve të ndryshëm të politikës dhe të dinjitarëve të shumtë, nuk më ka rënë të shoh gjëkundi një ekzemplar të këtillë, vetëlavdërues deri në bezdi, egocentrik deri në skajshmëri. Cili shqiptar e pranon si të mirëqenë faktin se një lider yni politik qenkësh kaq ideal, se paska vlera të tilla morale, sa të quhet fenomen i papërsëritshëm jo vetëm për ne shqiptarët, por për botën mbarë...? Më anë tjetër, ky vetëlavdërim është i shoqëruar që nga fillimi e deri në fund me një përçmim dhe fyerje vazhdueshme të lexuesit, për të cilin autori jo vetëm që nuk ka aq konsiderata, sa të mos i ofrojë orë e çast vetveten si model të çdo gjëje, por edhe më keq se kaq: nëse nuk mendon si ai, nëse nuk është mbështetës i tij, nëse nuk është luajal ndaj tij, është arrivist, plangprishës, madje i pacivilizuar, i padenjë për çdo gjë tjetër, përveçse të sundohet nga Edi Rama, i cili duket sikur përfaqëson të drejtën e Zotit për të qenë mbi të tjerët.


Së fundi, a mund t’i hyjë në punë Kosovës një libër i këtillë? Sikundër e thash në fillim, mendimi politik shqiptar ka ecur shumë më përpara, në krahasim me atë që shkruan Edi Rama dhe bërja e librave politikë edhe te ne ka njohur nivele të tjera, standarde më të larta. Por, mbi të gjitha, ambienti kosovar, tashmë i identifikuar si ambient politik idealistësh kombëtarë, nuk do të ndihet mirë nga fyerjet e pakursyera raciste që lideri i PS-së ua bën së paku 50 % të bashkëkombësve të tij dhe të tyre.



Ben Blushi: “Shqipëria”


Para sa vjetësh, kur Ben Blushi botoi romanin e parë “Të jetosh në ishull”, për ta nisur leximin, prita derisa mediet botuan nja 200 shkrime kryesisht lavdërues për atë vepër. Gjysmën e faqeve të romanit i kalova duke pritur të ndodhte ajo mrekullia, e cila i kishte nxitur ato panegjirikë, dhe tani e kam harruar se në cilën faqe lexova sesi një vajze të Voskopojës, gjimnaziste, t’i rrëshqiste fundi anash dhe t’i zbuloheshin këllqet e bëshme. Prit, të shoh ku jam, i thash vetes, në Tiranën e shekullit XX-XXI, apo në Voskopojën e shekullit XVIII...? Me ndihmën e atyre 200 shkrimeve për romanin, e gëlltita këtë detaj “të parëndësishëm”, për t’u gjendur pak më vonë përball një befasie tjetër: Dy personazhe të romanit, në Kretë më duket, kundronin dallëndyshet që fluturonin diku andej, bashkë me të vegjlit, të cilët, siç thoshte autori, i kishin çelur “gjatë rrugës”. Si?! Nuk isha përgjumshëm, ishte e shkruar pikërisht kështu. Kësaj radhe 200 shkrimet panegjirike nuk ndihmuan më, sepse nuk bëhej fjalë për shkarje të rastit, bëhej fjalë për rrënimin e shijes letrare dhe për degradimin e letërsisë shqipe, e cila, sado e paarrirë që mund të duket, tashmë duhej t’i kishte tejkaluar “ngatërresat” e mundshme dhe të pamundshme ndërmjet fiksionit, kohës historike dhe zoologjisë.


Në romanin “Shqipëria” defektet e këtilla duhet të jenë më të pakta, ose nuk janë të tilla, sa të bien në sy e të bëhen pengesë për lexim. Dikush mund të thotë se arsye për këtë tani duhet të jetë përvoja dhe pjekuria letrare e Blushit, ndërsa mua më duket më e mundshme se nga ky degradim e ka shpëtuar autorin ambicia e vetëkontrolluar për të shkruar tekst të mirëfilltë letrar, apo një “rrëshqitje” (pak spekulative dhe pak sipas modës letrare) në diskurs publicistik. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për stil publicistik, bëhet fjalë për diçka më shumë se kaq, për mënyrën e perceptimit të subjektit, për observimet, për situatat, për përshkrimet, për gjuhën, pra të gjitha këto janë në nivel të publicistikës. 


Observimet e Blushit janë të tymta, një ecje jerm nëpër labirintet që nuk dihet ku të nxjerrin. Autori nuk ndërton një subjekt të qëndrueshëm letrar (shpesh harron mbi cilën linjë e ka ftilluar rrëfimin), por krijon një tautologji prolikse, pa ndjekur ndonjë sistem, më shumë i prirë drejt një eklektizmi inflator (Bibla, Kurani, Niçe, Fanoni etj.). Duket se Blushi vetëm një synim e ka të qartë: që të përdor shkrimin e romanit bashkëkohor, me shumë paqartësi dhe pasaktësi zhanrore dhe të eglendis si të mundet një herezi për shqiptarët, me sa më shumë blasfemi, me një dëshirë të pafshehur që t’i lëndojë ata sa më shumë, në të gjithë përbërësit e tyre, kombëtar, fetar, historik, identitar. Ai, madje, sikur bëhet nevrik, që shqiptarët janë aq të duruar dhe tashmë nuk po i shpallin një “fatwa”, alla Salman Ruzhdie.


Ben Blushi, njësoj si çdokush tjetër, nuk do mend se ka të drejtë të jetë shkrimtar i mirë, shkrimtar mesatar ose shkrimtar i dobët, të tillë siç janë shkrimtarët e të gjithë botës, por as ai dhe askush i sërës së tij nuk i bën mirë as letërsisë as politikës ta keqpërdorë politikën për të bërë letërsi, ose ta keqpërdor letërsinë për të bërë politikë. Në këtë rast unë nuk e di se kush keqpërdoret më shumë, por e di saktësisht se letërsia jonë është ajo do të duhej të ndihej e lënduar (në rend të parë, për faktin se romani i Ben Blushit i ofrohet si model i shkrimit), sepse të futesh në letërsi me këmbët e politikës, është njësoj si të futesh me opingat ose galloshet me baltë në një qilim të shtruar për lezet. Nuk e idealizoj letërsinë, por në krahasim me politikën tonë, ajo është si Kopshti i Edenit.

Kthehu mbrapa

Shto koment