“Trekëndëshi....” mbledh në Karadak poetët e rajonit

15.06.2015 (komentet: 0)

 Të dielën në Gjilan, në kuadër të aktiviteteve për ditët e lirisë, është mbajtur “Trekëndëshi poetik i paqes”, manifestim ky rajonal i poezisë, që bashkon poetët nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës e Shqipëria.

 

Manifestimi është hapur te guri i kufirit që ndan tri shtetet e rajonit, Kosovë, Maqedoni e Serbi (Luginë e Preshevës), ku poezitë e tyre i kanë lexuar Arsim Halili (Preshevë), Ramadan Mehmeti  (Kosovë) e Selajdin Shabani (Maqedoni), për të vazhduar pastaj në ambientet e restorantit “Dunavi” me pjesën “Koha e poezisë”, ku janë prezantuar dhjetëra poetë shqiptarë nga rajoni.

Temë qendrore e manifestimit poetik “Trekëndëshi i paqes” sivjet ka qenë krijimtaria letrare e Ibrahim Kadriut, me rastin e 70-vjetorit të lindjes.

Bujar Haziri, shef i Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, duke përshëndetur manifestimin në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se poetët, me penën dhe vargjet e tyre,  janë më meritorët për këtë takim, sepse ata nuk njohin kufij e pengesa, ndërkaq ne si autoritete komunale e kemi për obligim që t`ju ofrojmë përkrahjen që meritoni, ka thënë ai.      

Ndërkaq, një fjalë rasti e ka mbajtur Sabit Rrustemi, udhëheqës i Ars Clubit “Beqir Musliu” që është organizator i “Trekëndëshit...”, me përkrahjen e Njësisë për Kulturë, Rini e Sport si dhe MKRS.

“Ishte një ide, një dëshirë e një qëllim i mirë, po që u bë dhe realitet yni, për ta nderuar Ditën e Lirisë dhe Ditën e Paqes për Kosovën, me prani poetësh e vargjesh, nga ky trekëndësh kufitar Kosovë - Serbi – Maqedoni”, ka thënë Rrustemi.

Kthehu mbrapa

Shto koment