Trafikimi i fëmijëve në Ballkan

07.02.2012 (komentet: 0)

Shfrytëzimi seksual dhe fenomeni i lypsisë janë karakteristikat më të shpeshta që hasen tek trafikimi i fëmijëve. Identifikimi i hershëm i viktimave të trafikimit është mekanizmi më i sigurt i mbrojtjes së fëmijëve

 

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Avancimi i politikave kombëtare kundër tregtisë me fëmijë, përforcimi i bashkëpunimit rajonal dhe dialogu për ballafaqim efikas me tregtinë me njerëz ka qenë qëllimi kryesor i tryezës së parë rajonale për luftën kundër tregtisë me fëmijë që është mbajtur në Shkup. Reth 40 deri 50% e viktimave të tregtisë në gjithë botën janë fëmijë, vendet e Evropës juglindore nuk janë përjashtim nga ky krim i tmershëm ka thënë Natalia Drozd përfaqësuese e OSBE-s në Shkup.

Përfaqësues nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina e Mali i Zi kanë diskutuar për domosdoshmërinë e identifikimit të hershëm të fëmijëve viktima të trafikimit. Rrethi familijar pa dyshim ka ndikim në përzgjidhjen e fëmijëve viktima të trafikimit të cilët kryesisht u takojnë familjeve të varfra apo që jetojnë në provinca të izoluara. Trafikimi i fëmijëve fillon që nga shfrytëzimi i tyre në rrugë, duke filluar nga shfrytëzimi individual nga prindërit e tyre, thotë Artur Marku nga Kosova. Vajzat janë viktima më të shpeshta të trafikimit por shfrytëzimi në rrugë është i njëjtë si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë. “ Me rritjen e këtyre fëmijëve pastaj ndahen kahjet e trafikimit, në njërën vajzat kryesisht për shfrytëzim seksual dhe nga ana tjetër djemtë kthehen në tutor të fëmijëve tjetër ose futen në rrjeta të tjera të trafikimit akoma më mirë të organizuara siç është trafiku i drogës apo trafiqe tjera ilegale”, shprehet Artur Marku.

Identifikimi i hershëm mekanizmi më i mirë për mbrojtjen e fëmijëve

Sigurimi i mbrojtjes të fëmijëve nga trafikimi dhe njëherësh identifikimi i viktimave potenciale është mekanizmi më i mirë për mbrojtjen e fëmijëve, thotë Ilir Liço nga Shqipëria. Sipas tij problemi duhet të identifikohet dhe më pas individi të mirret në mbrojtje nga shërbime profesionale. “Pjesa femërore është më shumë e ekspozuar ndaj shfrytëzimit seksual, martesave të parakohshme, ndërsa pjesa mashkullore është e ekspozuar ndaj fenomenit të lypësisë së organizuar, trafikimit të organeve, por përfshihet në raste të caktuara edhe shfrytëzimi seksual”,vlerëson Ilir Liço.

Në Maqedoni vitin e kaluar janë regjistruar tetë fëmijë viktima të tregëtisë. Nuk mjafton vetëm të thuhet se problemi ekziston por duhet të ndërmerren masa më të repta për të parandaluar këtë fenomen, thotë zëvëndësministri i punës dhe politikës sociale,Ibrahim Ibrahimi. Janë marrë një sërë masash parasegjithash ligjore për parandalimin e trafikimit të fëmijëve. “Për këtë qëllim është ndryshuar legjislacioni dhe janë themeluar struktura të reja për të ndihmuar luftën kundër trafikimit të fëmijëve siç është mekanizmi kombëtar për referim dhe vend strehimi shteror për viktimat e trafikimit,” thotë Ibrahim Ibrahimi.

Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për publikimin të Regjistrit me emrat e personave të dënuar për pedofili. Informacionet e shënuara në këtë regjistër do të jenë të karakterit publik , kështu që prindërit do të jenë më të përgatitur në marrjen e masave preventive nga rreziku i keqpërdorimit të fëmijëve nga ana e pedofilëve.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti

Kthehu mbrapa

Shto koment