Toka e kafshuar ( Poezi)

15.03.2016 (komentet: 0)

Odise Plaku

Toka ime e kafshuar dhe e shqyer nga ujku i zi,
që hënës tani krenar i pshurr kënaqshëm.
Gjoksit tënd të valë buzët e mia i vë,
melhem për plagët e tua të pashëruara.

 

Lumin e gjakut nuk di se ku ta ndalë,
sinorët e mi lëvizën kur ende isha fëmijë,
nuk isha i fortë, që ujkun e zi ta mundja,
dorën ma kafshoi që matanë gardhit.

Bëj zë, por askush nuk më dëgjon, toka ime,
një dorë të gjithë tek ti të vënë sot e mot,
të çartur mes vetes me dyshim e shohim shoqi-shoqin,
të frikur nga ulërima e ujkut, në zabel shtrirë qëndrojmë.

Toka ime, fajtor përpara teje ndihem unë
që lulet në livadh të kuqe ende lindin nga ti,
eshtrat nuk treten, amanetet mbeten pengje
varur degësh, lëkurë për tamburatë e luftës.

I ulërin një ujk i zi tokës sime të përgjakur,
sytë e tij mbajnë hënën e ngrënë, por s’trembin yjet,
qesëndisja e tyre bie nga qielli në shtratin e jetës,
shkelmi i tyre angullimë dështakësh në tokën time.

Kthehu mbrapa

Shto koment