Thirrje për ndalesë të sportit “Not në ujë të pistë”

24.09.2013 (komentet: 0)

Një tregim në kohë të duhur

 

Po ua them që në fillim. Në këtë ngjarje që tani do të rrëfej për ju, do të përmendet edhe një “vrasje”. Në fakt, ajo edhe ka ndodhur, ani se hetuesia nuk e ka thënë ende fjalën e fundit, pasi që janë hedhur dyshime se mund të mos ishte vrasje por thjesht aksident. Ku ta di, ndoshta do ta cilësojnë edhe si vetëvrasje?! Por, unë isha aty! Mos më pyetni nëse jam viktima, vrasësi, dëshmitari okular, dëshmitari i rastit, ai që gjeti trupin i pari, fqinji që e lajmëroi policinë, apo polici që arriti në vendin e ngjarjes! Ku ta di, ndoshta asnjëri nga këta?!

 

Nejse! Nuk besoj që ju dalloni nga ata që më rrethojnë në këtë qytet zorrë qorre, ku e zvarris jetën time monotone, andaj po e ndjej se  tani nuk jeni kah mendoni për mua, për atë se cili jam, por se për atë se kush mund të jetë i vrari?! Nga kush është vrarë dhe pse është vrarë?!  Nuk keni punë të tjera?! Kjo ju ha nga brenda a?! E po, kureshtja e hapi edhe kutinë e Pandorës, apo jo, apo e hëngri edhe mollën e ndaluar?!

 

Nëse keni durimi, mbylleni email-in, ç’kyçeni facebook-un, a twitteri-n dhe përqendrojuni këtij rrëfimi. Ta dini se ky nuk është tregim me fillime siç jeni mësuar “Na ishte njëherë...”, apo me përfundime të llojit  “Dhe jetuan të lumtur!”. Fatkeqësisht po flasim për një ngjarje të rëndë, po flasim se dikush është vrarë, po flasim përjuve, për të ardhmen, andaj  ju pyes, simund të ketë përfundim të lumtur e të ardhme kur aty vritet ky “Dikushi”?!

 

E di, ndoshta ndonjëri nga ju zuri ta humb durimin qysh tani, në lidhje me atë se nuk po kupton ende asgjë, apo do sa më parë ta kuptojë për çfarë bëhet fjalë. Por, ngadalë, pse po nguteni? Kur i referohemi asaj se sa kohë bëni gjumë, them se e keni kohën me bollëk! Andaj ju lus për pak durim se kemi të bëjmë me diçka që e do krejtësisht vëmendjen tuaj.

 

Tekefundit bëhet fjalë për ju, jo për mua. Unë, për veten time, po e bëj atë që duhet bërë dhe për këtë nuk pendohem. Po flas në vend se të plasi. Por, ju? A e keni pyetur veten tuaj ndonjëherë, a po e bëni atë që duhet bërë?!

 

Dhe, ju lutem, ndaluni njëherë me ato arsyetime banale dhe rënkime ankuese prej një defetisti të papërmirësueshëm, se nuk po varet asgjë nga ju, se nuk po keni fuqi për të bërë ndryshime, se nuk po ju lejojnë ata, se janë bërë të plotfuqishëm karshi jush, e fati juaj varet nga ta, se..se.... A e dini që edhe politikani dikur ka qenë njeri. A e dini po ashtu që deshëm apo jo, pa të nuk bënë. Aha, edhe ju e dini këtë! Por, vetëm po ankoheni në këtë sojin tonë.?! E, po kanë thënë të vjetrit, lufto me atë çfarë ke.

 

Besoj, e dini edhe këtë se e mira e demokracisë është mundësia e zgjedhjes, por,fatkeqësisht e keqja aktuale është mungesa e alternativës. Andaj, mos rri anash, po hy në valle! Ama mos i luani hapat e të tjerëve verbërisht. Projektoni tuajat! Ndihuni i gjallë! Po nuk eci, në rrotë të së ëmës! Kënaqu së paku në të qenit aktiv!

 

Dil, ecë, gërvallu, shaj, bërtit, bëji tifo, këndo, vrapo, bëji salto, kërko çka të duash... Me rëndësi, çliroje veten, e mosflej, mos hesht, mos ik, mos u pajto, mos u dorëzo, mos! Mos u bë budallë!!!

 

E di, pajtohem edhe unë se kjo shoqëri për momentin është e përshtatshme për ata që dinë të notojnë në të pistë. Por, krejt çfarë mund të bëjmë tani është që me këtë të mos pajtohemi assesi.  E hapi tjetër, letë jetë thirrja për ndalesë të sportit “Not në ujë të pistë”!

 

Shsht. Një sms më erdhi!

<Anonymous wrote>: Kur vritet demokracia duhet pasur kujdes edhe në të shkruarit?!  <end sms>

Eh, po mori fund pra. Përfundoi!

Si? Jeni kurioz?  

Kërkoni ta vazhdoj rrëfimin?! Kërkoni ta dini kush e vrau?!

Ju lutem mos insistoni! E keni kot!

Tek e fundit, pse kërkoni ta dini atë që ju veç e dini, edhe atë më mirë se unë!

Andaj, po ju them edhe njëherë, troç: “Nuk ka më. Kaq!  E pat ky rrëfim.”

Tretuni tashti në Facebook!

Jetoni jetën virtuale, kënaquni me mundësitë: delete, save as, cancel, like, comments...

 

 Muhamet HALILI

Kthehu mbrapa

Shto koment