Themelohet Grupi Kundër Abuzimit me substanca narkotike në shkolla

24.03.2014 (komentet: 0)

Gjilan, 24 mars / Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan (DKA) mbetet e vendosur për të parandaluar abuzimet me substanca narkotike në hapësirat shkollore, duke e bërë këtë përmes programeve që kanë për qëllim vetëdijesimin e të rinjve për pasojat që mund të shkaktojë në jetën e tyre përdorimi i drogave dhe dukuritë tjera negative.

 

Në këtë funksion, të hënën, Drejtoria Komunale e  Arsimit ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me Policinë e Kosovës, Qendrën e Shëndetit Mendor, Qendrën për Punë Sociale, Këshillin e Prindërve si dhe Këshillin e Nxënësve, për themelimin e Grupit kundër abuzimit me substanca narkotike në shkolla.

Shqipe Kastrati-Haziri, psikologe në Drejtorinë e Arsimit, ka thënë se DKA ka hartuar një plan dinamik të punës për periudhën kohore 2014-2018, ku janë paraparë edhe detyrat konkrete që do të realizohen kudër abuzimit me narkotikë dhe dukuri tjera negative në ambientet shkollore.

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, tha se ata janë të vendosur për të krijuar një ambient të duhur për mësim cilësor në shkollat tona. Duke e marrë parasysh moshën që kanë fëmijët e shkollave, programet e tilla janë të domosdoshme për t`i vetëdijesuar ata për rrezikun që vjen nga përdorimi i substancave narkotike, ka thënë Musa.            

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, e cila i ka dhënë mbështetje themelimit të Grupit Kundër Abuzimit me Substanca Narkotike në Shkolla, ka thënë se ne jemi të përkushtuar që t`i edukojmë sa më mirë brezat e rinj, të cilët nesër do të jenë kuadro të vlefshme për vendin e tyre.

Kthehu mbrapa

Shto koment